Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Syri TV/ Basha e Alibeaj delegjitimohen si palë, Gjykata e Lartë rendit shkeljet e Apelit

22:46, 18/03/2024
A+ Aa A-

Kolegji i Gjykatës së Lartë ka zbardhur vendimin e plotë të çështjes së simboleve të Partisë Demokratike duke deligjitimuar si palë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn. Në vendimin e zbardhur janë renditur shkeljet e Gjykatës së Apelit në shqyrtimin e kësaj çështje dhe theksohet fakti se Apeli ka shmangur detyrimet e saj ligjore, ku më i rëndi ishte njohja si palë në proces e dyshes Basha-Alibeaj.  Kolegji i Gjykatës së Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të dërgojë çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues.

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e plotë lidhur me atë që tashmë njihet si çështja e “vulës dhe logos” së PD-së. Referuar vendimit të Kolegjit çështja do të shqyrtohet në Apel, ndërsa Gjykata e Lartë në vendimin e saj deligjitimon si palë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.

Në asnjë rast,  gjykata (Apelit) nuk mund të vendoste prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, pasi në mënyrën se si e ka analizuar çështjen kjo gjykatë nuk ka dhënë konsiderata në lidhje me çështje substanciale të ligjit procedural e që duhet të merren parasysh gjatë rigjykimit, të cilat lidhen me: cili do të jetë riti i gjykimit që duhet të ndiqet në rigjykim, cili do të jetë pozicioni procedural i PDSH së përfaqësuar nga Lulzim Basha, përsa kohë ky subjekt ka paraqitur ankimin mbi bazën e të cilit gjykata e apelit ka vijuar zhvillimin e gjykimit në shkallë të dytë gjykimi (pra është legjitimuar si palë ndërgjyqëse në proces, por çfarë pozicioni do të ketë, person i interesuar, ndërhyrës kryesor me padi, ndërhyrës dytësor); si dhe  cili do të jetë objekti i shqyrtimit në rigjykim, regjistrimi i vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, apo pavlefshmëria e vendimeve dhe ndryshimeve statutore të nxjerra nga ky Kuvend”.

Vlen të theksohet fakti se, në gjykimin e iniciuar në shkallë të parë është pretenduar regjistrimi i akteve të nxjerra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH në datën 11.12.2021, gjykim i cili është iniciuar me kërkesë të Komisonit të Rithemelimit. Ndërsa ankimi në gjykatën e apelit, është paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, përfaqësues më autorizimin e lëshuar nga   Lulzim Basha. Nga faktet e pranuara në gjykim, nuk rezulton që pala që ka ushtruar ankimin ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë të ketë paraqitur para kësaj të fundit, ndonjë kërkesë me të cilin të ketë kërkuar që të ndërhyjë në këtë proces gjyqësor, ose të ketë paraqitur një padi themeli, me të cilin të pretendohej deklarimi i pavlefshëm i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, si dhe të vendimeve të dala nga mbledhja e këtij kuvendi.

Kolegji arrin në konkluzionin se Gjykata e Apelit i është shmangur detyrimeve të saj ligjore, të cilat janë të detyrueshmë për tu zbatuar dhe ka renditur shkeljet e trupes gjykuese të Apelit sa i përket kësaj cështje.

Në rastin konkret, rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Në këtë kuvend, është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili, ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH tek të tretët. Për këtë arsye, nisur nga natyra e ndryshimeve statutore të marra në këtë Kuvend Kombëtar, pala e interesuar i është drejtuar gjykates me kërkesë, që të bëjë pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në regjistrin e partive politike. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi, nga Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti Enkelejd Alibeaj.

Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se,  kërkesa për heqje dorë nga funksioni i Kryetarit të PDSH nga ana Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike. Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka vlerësuar dhe nuk ka marrë në analizë të detajuar faktin nëse ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i datës 17.07.2021, në të cilin Lulzim Basha është rizgjedhur Kryetar i PDSH janë regjistruar në regjistrin e partive politike apo jo, si dhe nëse kanë prodhuar efekte juridike këto ndryshime. Gjithashtu, gjykata e apelit nuk ka vlerësuar dhe nuk ka konkluduar nga pikëpamja e faktit dhe e ligjit se, çfarë efekti ligjor dhe rëndësie nga pikëpamja juridike ka mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të PDSH, si dhe vendimet e marra në këtë Kuvend, ku disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me shkarkimin e organeve drejtuese të PDSH (një prej të cilëve Kryetari i PDSH Lulzim Basha) dhe krijimin e organeve të reja drejtuese, sikurse është edhe Komisioni i Rithemelimit.

Kolegji i Gjykatës së Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të dërgojë çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco