SPAK nuk prek rrjetin e kompanive të Amant Josifit

14:47, 04/03/2024
A+ Aa A-

Syri Televizion

Rreth 15 kompani call center, të lidhura drejtëpërdrejtë apo indirekt me Amant Josifin dhe të përfshira në mashtrimin e mijëra qytetarëve europianë në vlerë 2.4 miliardë euro, vijojnë të jenë të paprekura nga autoritetet hetimore shqiptare.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, njoftoi disa ditë më parë se ka dërguar për gjykim disa persona, kryesisht të nivelit të ulët, të cilët ishin pjesë e grupit të hetuar nga autoritetet spanjolle. Gjithashtu, SPAK-u njoftoi se kishte vendosur nën sekuestro edhe disa kompani të këtyre personave, mes të cilëve edhe ato në emër të Amant Josifit.

“Syri Televizion” kreu një verifikim në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe rezultoi se një numër i konsiderueshëm shoqërish private, të lidhura me skemën mashtruese, janë aktive ose të pezulluara. Por asnjëra nuk është nën sekuestro.

Erind Pysqyli është një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Amant Josifit, i cili u ekstradua drejt Spanjës në fillim të vitit 2022. Në emër të tij rezultojnë 7 kompani në Shqipëri. Pesë prej tyre janë aktive, ndërsa dy të pezulluara. Berlando Saraçaj, bashkëpunëtor i ngushtë i Josifit dhe gjithashtu i ekstraduar në Spanjë, ka në Shqipëri tre kompani.

Njëra prej tyre vijon aktivitetin, ndërsa dy të tjera janë pezulluar. Tre persona që u dërguan së fundmi për gjykim nga SPAK-u, si pjesë e grupit të Amant Josifit, e konkretisht Merxhan Çeliku, Endri Bulku e Erlind Cekaj kanë në total 4 kompani të tjera.

Nga këto njëra është aktive, ndërsa të tjera janë me status pezulluar, por jo të sekuestruara. Gjithashtu, tre shoqëri të tjera, të kontrolluara nga Josifi nëpërmjet personave të tjerë, janë në likujdim e sipër ose të ç’regjistruara gjatë vitit 2023, pa pasur asnjë shqetësim nga autoritetet shqiptare.

Amant Josifi është një personazh shumë i njohur në Shqipëri dhe i lidhur ngushtësisht me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij. Josifi është një ortak i hershëm biznesi me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu, Amant Josifi ka shërbyer edhe si këshilltar i Olta Xhaçkës, gjatë kohës që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Amant Josifi i shpëtoi arrestimit në Tiranë, në nëntor të vitit 2022, pasi operacioni ndërkombëtar u dekonspirua nga autoritetet lokale. Disa muaj më herët u raportua se Josifi u ndalua në Dubai për llogari të autoriteteve spanjolle. Ai u la I lirë, në pritje të procesit gjyqësor që do të zhvillohet në Spanjë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco