Ergys Agasi, si hija në errësirë e Edi Ramës

Ergys Agasi, si hija në errësirë e Edi Ramës

14:26, 03/03/2024
A+ Aa A-

Ergys Agasi nuk është një emër i panjohur për opinionin, sidomos për qarkun e Durrësit. Ai ka hyrë në politikë si një militant i Ilir Metës që më pas e braktisi sapo ish-kreu i LSI-së iku nga qeverisja me Ramën.

Agasi ka qenë 4 vite kreu i Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Lefter Koka dhe firmoseshin bëmat dhe gjëmat me aferën e 3 inceneratorëve. Kjo detyrë e ngriti jo pak politikisht, dhe me ikjen nga LSI-ja filloi ngritjen në kupolën e PS-së në Durrës.

Pas largimit nga LSI-ja, Agasi afrohet me socialistët dhe sot është një nga personazhet nën hije që lëvizin urdhrat e pashkruara të Edi Ramës. Sot ai ka një pushtet të madh si i deleguar politik për qarkun e Durrësit nga socialistët, qark ku është deputet vetë kryeministri.

Por, influencat e Agasit shkojnë përtej Durrësit apo Shijakut, shkojnë në Shkodër apo Elbasan, zona problematike ku kanë ende ndikim të fortë disa grupe të strukturuara kriminale të shumë përmendura për përfshirje në vrasje apo trafik droge.

Ai ka një influencë të madhe në këto zona që shpesh përdoren për vota në zgjedhje.

Ai shihet shumë pranë kryeministrit tek "Vila 30" në Tiranë, ku dhe zhvillohen takimet jo zyrtare. Aty ku Rama ka "gatuar" komisione anti-SPAK, apo zhvillon takime private për të mos pasur një regjistër të personave që takon, shpesh shfaqet Ergys Agasi. Ky është djali i ish-deputetit dhe ish-Sekretarit të PS-së, Bardhyl Agasi.

Miku i afërt i Ramës i këtyre kohëve lëviz emërime të forta në nivelet më të larta të pushtetit, nga Hipotekat dhe deri në kupolën e Policisë së Shtetit.

Agasi njihet dhe si mik dhe ortak i Alqi Bllakos, ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit që ndodhet pas prangave për aferën e inceneratorëve. Ergys Agasi është bashkëpronar me Edmond Bllakon i kompanisë së transportit ndërkombëtar të mallrave ‘EA LOGISTICS’. Edmond Bllako është babai i Alqi Bllakos, i arrestuar nga SPAK-u për çështjen e inceneratorëve.

Me një influencë mjaft të madhe pas pushtetit të dhënë nga Edi Rama si Drejtues Politik i Qarkut Durrës ku kandidon vetë kryeministri, Agasi shfaqet herë si biznesmen, herë si këshilltar i Ramës, herë si emince gri nën errësirën e lidhjeve të politikës me botën e egër për interesa elektorale.

Ai shfaqet si biznesmen cigaresh që më pas çon aktivitetin e tij edhe tek paraja elektronike dhe zgjeron aktivitetin në shumë fusha./CNA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco