‘Ushtar’ i dyshes Rama-Basha/ Celibashi te mbledhja e Alibeaj-Gjiknurit, reagojnë anëtarët e KQZ-së

‘Ushtar’ i dyshes Rama-Basha/ Celibashi te mbledhja e Alibeaj-Gjiknurit, reagojnë anëtarët e KQZ-së

12:46, 27/02/2024
A+ Aa A-

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ishte i pranishëm në mbledhjen online te Komisionit të Reformës Zgjedhore të bashkëdrejtuar nga Damian Gjiknuri i PS dhe Enkelejd Alibeaj i PD së vulës.

Mirëpo duket se Celibashi e ka kthyer institucionin që drejton në një institucion monokratik, duke i vënë vulën vetë çdo vendimi, siç ishte edhe ftesa e ardhur për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ai ka lajmëruar anëtarët e organeve drejtuese të KQZ vetëm një natë më parë përmes një e-maili që mban orën e dërgimit 22:45.

Në një letër dërguar Celibashit, të cilën e disponon SYRI TV, anëtarët e organeve drejtuese të KQZ i tërheqin vëmendjen Celibashit për mënyrën se si po e drejton këtë institucion duke i vënë në dukje se po e kthen atë në një institucion monokratik.

LETRA

I NDERUAR Z. CELIBASHI

Ditën e sotme më 24.02.2024, herët në mëngjes jemi njohur me një e-mail që Ju e keni dërguar mbrëmë në orët e vona të mbrëmjes, ekzaktësisht në ora 22:55 PM të datës 23.02.2024.

Me anë të këtij e-maili Ju na vini në dijeni se keni marrë një ftesë për pjesëmarrje në një seancë dëgjimore që Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore do të zhvillojë ditën e martë datë 27 shkurt 2024 ora 10:30, për të kontribuar me mendime dhe sugjerime në lidhje me këtë reformë. Seanca dëgjimore do të zhvillohet on line. Në vijim, duke vlerësuar me dobi, Ju keni propozuar që ditën e hënë në datë 26 shkurt 2024 ora 17:00 të zhvillonim paraprakisht një takim konsultativ. Krahas sa mësipër Ju keni propozuar gjithashtu që të paktën një përfaqësues i Rregullatorit dhe KAS, si dhe Lealba të ishin pjesëmarrës në këtë seancë dëgjimore.

Pasi jemi njohur me përmbajtjen e kërkesës tuaj, së pari konstatojmë se bashkëlidhur e-mailit tuaj nuk ndodhet asnjë kërkesë, ftesë zyrtare apo e-mail zyrtar ku bashkëlidhur do të ndodhej ftesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore drejtuar KQZ. Në kushtet e komunikimit zyrtar ndërmjet Organeve Drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konstatojmë se kjo është një mangësi serioze në etikën e komunikimit ndërmjet nesh.

Së dyti, përsëri në kushtet e mungesës së informacionit dhe në kushtet e mos disponimit të ftesës së dërguar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, është e paqartë për ne si anëtarë të Organeve Drejtuese të KQZ se në çfarë cilësie është dërguar kjo ftesë? Kjo ftesë (nëse ekziston) është dërguar në përgjigje të shkresës nr. 113 prot., datë 15.01.2024 që Ju si KSHZ i keni dërguar mendimin tuaj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor Kryetarëve të Partive Kryesore Politike dhe për dijeni Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore? Apo kjo ftesë (nëse ekziston) është vullnet i lirë i Komisionit të Posaçëm?

I nderuar Z. KSHZ.

Rastësisht jemi vënë në dijeni të shkresës nr. 113 prot., date 15.01.2024 me anën e së cilës Ju keni dhënë mendimin tuaj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pasi jemi njohur me përmbajtjen e kësaj shkrese konstatojmë se:

Shkresa është në emër të KSHZ, ndërkohë që në përmbajtjen e saj dhe pothuajse përgjatë gjithë shkresës ju keni cituar literalisht termin KQZ dhe keni marrë atributet e KQZ. Në dijeninë tonë Ju nuk keni zhvilluar asnjë takim konsultativ me Organet Drejtuese të KQZ lidhur me propozimet konkrete për ndryshime në Kodin Zgjedhor që do t’i adresohen Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Partive Politike Kryesore. Nga ana tjetër, rezulton se në datë 9 Janar 2024, nga ana juaj si KSHZ u është kërkuar të gjithë Drejtorëve të KQZ mendim për problematika apo çështje të Kodit Zgjedhor në kuadër të ndryshimeve të mundshme të Kodit Zgjedhor, por ndërkohë që Ju Komisioner nuk e keni parë aspak të udhës që nga data 9 Janar 2024 e deri në datë 23 Shkurt 2024 ora 22:55 e mbrëmjes (pra rreth 1.5 muaj më vonë) të komunikoni me Organet Drejtuese të KQZ për të diskutuar, identifikuar, dhe dakordësuar problematika apo rekomandime të ndryshme për ndryshime të Kodit Zgjedhor, të cilat e përmirësojnë procesin zgjedhor?!

Sa mësipër, sjellim në vëmendjen tuaj se Kodi Zgjedhor, në pikën 12/2 përcakton se:

2. Organet drejtuese të KQZ-së janë:

a) Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve;

b) Komisioni Rregullator; dhe

c) Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Më tej akoma, neni 12 në pikën 3 përcakton se:

3. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik, që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët.

Në pikën 4 po të nenit 12 përcaktohet se: “Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet”.

Ndërsa në pikën 5 po të nenit 12 përcaktohet se: “Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor”.

Referuar përcaktimeve të sipërcituara rezulton e qartë dhe pa asnjë ekuivok se:

KQZ përbëhet nga 3 Organe Drejtuese, me detyra të qarta e të ndara, që do të thotë se KQZ nuk është Organ Monokratik;

KSHZ ushtron kompetenca ekzekutive dhe përfaqëson KQZ në marrëdhënie me të tretët, ndërkohë që Rregullatori miratori Aktet me karakter Normativ ndërsa KAS shqyrton ankesat dhe vendos sanksionet për shkeljen e rregullave të Kodit Zgjedhor.

Sa mësipër, sjellja e KSHZ dhe komunikimi në emër të KQZ pa u konsultuar me asnjë nga Organet Drejtuese të saj lidhur me rekomandimet që ata kanë për proceset e administrimit zgjedhor, përbën një shkelje të hapur të parashikimeve të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, në veprimtarinë e KQZ deri më sot, kryesisht në organizimet, aktivitetet apo eventet e ndryshme që zhvillon KQZ vetëm, ose në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, kemi konstatuar se në të shumtën e rasteve ne si Organe Drejtuese të KQZ nuk jemi informuar mbi zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Zhvillimin e tyre e kemi mësuar rastësisht nëpërmjet platformave sociale si Facebook apo Instagram. Mjafton të përmendim aktivitetin e organizuar nga KQZ në ambientet e saj në datën 1 Shkurt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zgjedhjeve. Në këtë aktivitet jo vetëm që nuk u ftua të merrte pjesë asnjë nga anëtarët e Organeve drejtuese të KQZ si Rregullator, KAS apo Nënkomisionere Shtetërore e zgjedhjeve, por as nuk u mor mundimi nga JU Komisioner të na informonit mbi zhvillimin e këtij aktiviteti. Në vlerësimin tonë kjo përbën një shkelje të hapur të etikës dhe frymës së Kodit Zgjedhor, pasi siç theksuam edhe mësipër, Ligjvënësi ka normuar në nenin 12 të Kodit Zgjedhor se KQZ përbëhet nga 3 Organe Drejtuese – 1) KSHZ; 2) KRR dhe 3)KAS që do të thotë se KQZ NUK ËSHTË ORGAN MONOKRATIK, e në këtë këndvështrim veprimet tuaja për përjashtimin nga pjesëmarrja e Organeve të tjera Drejtuese nga aktivitetet dhe organizimet e KQZ përbën një shkelje të qëllimit dhe frymës së Ligjvënësit të materializuar në Kodin Zgjedhor.

Përpos sa mësipër, dy nga anëtarët e Komisionit Rregullator me keqardhje konstatojnë se këto nuk janë shkeljet e vetme ligjore të konsumuara nga ana e KSHZ në kryerjen e detyrës së tij. Në disa raste vërejmë se Ju keni miratuar akte me karakter normativ, të cilat qartazi ligjvënësi ja ka ngarkuar për kompetencë Komisionit Rregullator. Këtu mund të përmendim të paktën dy akte me karakter normativ dhe konkretisht:

Vendim i KSHZ nr. 20 datë 27.01.2023 me objekt: “Për Miratimin e Rregullave Për Raportimin Financiar Vjetor të Partive Politike, Verifikimin e Financimeve dhe Shpenzimet e Tyre si dhe Përcaktimin e Mënyrës së Pagesës së Audituesve Ligjorë”;

Vendim i KSHZ nr. 22 datë me objekt: “Vendim Për Zbatimin e Projektit Pilot Për Procesin e Votimit dhe Numërimit Elektronik të Votave, në Zgjedhjet Për Organet e Qeverisjes Vendore të Datës 14 Maj 2023, Në Bashkitë Elbasan, Kamëz Dhe Vorë”

Aktet e sipërcituara, por edhe akte të tjera (të cilat janë në proces verifikimi nga ana jonë) referuar Kodit të Procedurave Administrative janë Akte Absolutisht të Pavlefshme, e në këtë kontekst nuk prodhojnë asnjë pasojë juridike, mjaft të konstatohen si të tilla.

Miratimi i këtyre akteve, të cilat qartazi janë akte me karakter normativ përbën një shkelje të hapur të nenit 19, pika 1, gërma “ç”të Kodit Zgjedhor ku përcaktohet se: “Komisioneri nuk mund të vendosë për çështje që janë kompetencë e Rregullatorit”.

Në këto kushte ftojmë KSHZ që të vlerësojë me seriozitet veprimet e tij, të rishikojë procesin e tij të organizimit të punës, dhe të zbatojë ligjin, pasi me veprimet e tij deri më tani qartazi është në shkelje të përcaktimeve ligjore të Kodit Zgjedhor.

Në vijim, vlerësojmë se kërkesa juaj për takim konsultativ lidhur me mendimin dhe propozimin tonë drejtuar Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Partive Politike Kryesore, në kushtet aktuale nuk ka asnjë vlerë reale.

Me respekt,

Anëtarët e Organeve Drejtuese të KQZ dhe Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve.

Helga Vukaj Lealba Pelinku Muharem Çakaj Ledio Braho Elvis Çefa

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco