Lajmi i fundit

LIVE/ Protestë para bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit

Pushteti e opozita pajtohen për vettingun, por ndryshimet kushtetuese s’mund të bëhen pa Listën Serbe

Pushteti e opozita pajtohen për vettingun, por ndryshimet kushtetuese s’mund të bëhen pa Listën Serbe

12:10, 15/02/2024
A+ Aa A-

Pushteti e opozita janë pajtuar me tri propozim-amendamentet kushtetuese, që kanë të bëjnë me vettingun në sistemin e drejtësisë, të cilat janë shqyrtuar në seancën e veçantë të Kuvendit të enjten.

Por përkundër pajtueshmërisë së arritur, ato nuk mund të votohen pasi për miratim të ndryshimeve kushtetuese duhen edhe votat e Listës Serbe, parti kjo që është duke bojkotuar seancat e Kuvendit.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, ka theksuar se Komisioni i ka shqyrtuar propozim-amandamentet dhe pas disa ndryshimeve, përfshirë renditjen e propozim-amandamenteve i ka rekomanduar Kuvendit që t’i miratojë.

Ai ka thënë se ka pasur një konsensus politik në Komision për zhvillimin e Procesit të vlerësimit kalimtar ose vettingut.

“Qytetarët meritojnë sistem të pavarur dhe efikas. Ne kemi qenë dëshmitare për një sistem të kapur. Raste të tilla kanë bërë që integriteti i sistemit të drejtësisë të jetë i komprometuar e i cenuar. Sistemi vuan nga gjyqtarë e prokurorë joprofesionistë. Dikush mund të thotë se ky vetting është jo i plotë se prek vetëm kokat e sistemit por po harrojnë që aty është i gjithë problemi”, ka theksuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka theksuar se elementi i parë i dhënies së konsensusit për këtë vetting ka qenë element i edukimit politik për pushtetin aktual.

“Në vazhdimësi është parë një tendencë e kapjes së institucioneve nga pushteti. Koncepti i integritetit të cenueshëm është koncept abstrakt dhe mund të keqpërdoret. Ideja dhe propozimi ynë është që të kemi sistem efikas të drejtësisë. Ne kemi propozuar duke parë parasysh elementet problematike dhe duke parë që është problematike të bëhen ndryshime kushtetuese kemi propozuar të bëhet një sistem i monitorimit të performancës së gjyqësorit dhe prokurorisë”, është shprehur Gashi.

Sipas tij nga pushteti aktual nuk ka pasur vullnet as njohuri dhe as qasje për ndryshime përmbajtjesore. “Ideja e tyre ka qenë ide përmbysëse revolucionare. Mendoj që anëtarët e komisionit kanë bërë një punë të mirë. Por është ditur që në fillim që qëllimi nuk do të arrihet. Me Këtë kemi dhënë kontributin tonë sa kemi mundur për edukimin e pushtetit”, ka theksuar Gashi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se vettingu është proces i pashmangshëm dhe se si grup e kanë mbështetur.

“Asnjëherë si Kuvend nuk duhet të heqim dorë nga ky proces dhe shpresoj që brenda kësaj legjislature të arrijmë ta procedojmë përpara”.

Ndërsa, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka theksuar se sistemi gjyqësor është ndërtuar nga një sistem profesionist për 20 vjet, pavarësisht se, siç ka thënë ai, këtë nuk e pranon partia në pushtet. Në emër të grupit parlamentar i ka dhënë mbështetje ndryshimeve kushtetuese.

“Për 20 vjet ky sistem gjyqësor është ndërtuar nga një sistem profesionist. Mazhoranca mendojnë që gjithçka që është e mirë rrjedh prej kur kanë filluar të qeverisin këta. Mendoj që ka gjyqtarë e prokurorë që marrin vendime ndoshta jo të pranueshme por sistemi ynë nuk e ka përvojën si të rajonit. Por duhet të kemi pushtete te ndara dhe politika duhet të jetë larg gjyqësorit. Ne do t’i përkrahim por ju e dini që duhen dy të tretat e komuniteteve”, ka shtuar ai.

Edhe, Enis Kervan nga grupi parlamentar multietnik i ka dhënë mbështetje procesit.

“Ne si grup parlamentar multietnik e mbështesim procesin e vettingut. Rrjedhimisht plotësimndryshimet e propozuara i konsiderojmë të domosdoshme. Fatkeqësisht si grup nga komunitetet kemi bartur pasoja nga mospjesëmarrja e komunitetit serb në Kuvend. Meqë i kemi të drejtat e garantuara me Kushtetutë e ligje nuk duhet t’i keqpërdorim për qëllime personale”, ka deklaruar Kervan./KOHA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco