Berisha: Dumani është protagonist i krimit elektoral! Ai po fle mbi dosjen ku kërkohej likuidimi i kandidatit të opozitës

19:36, 25/01/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, ka akuzuar kreun e SPAK Altin Dumani se, është protagonist edhe në krimin elektoral.

Berisha tha se, Dumani fle mbi dosjen ku kërkohej likuidimi i kandidatit të opozitës në zgjedhjet lokale.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Miqtë e mi, Shqipëria sot është në diktaturën e drogës, krimit, vjedhjeve dhe kjo u realizua vetëm e vetëm nëpërmjet mekanizmit të shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.

Një prokuror i ndershëm, i guximshëm, regjistroi në kohë elektorale dhe doli se Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Vangjush Dako, Pjerin Ndreu, shefa policie, deputetë etj, vepronin së bashku si organizatë e shëmtuar kriminale kundër vullnetit të qytetarëve.

Blinin vota, terrorizonin me banda qytetarët.

Sa vite kanë dosjet 184 dhe 339? Çfarë bëri Dumani me Dumanët e tij? Asgjë, asgjë, bëri avokatin e krimit elektoral më të shëmtuar në Shqipëri.

Atëherë miqtë e mi, ç’përfaqëson Dumani? A përfaqëson ai krimin e Edi Ramës?

A nuk është ai një protagonist i shëmtuar i krimit elektoral.

Një natë, unë u thashë, ua shpjegova, një oficer i guximshëm i Shërbimit Informativ Kombëtar, me bashkëpunëtorët e tij, regjistruan zyrtarë dhe qeveritarë në Kukës, teksa ndanin për qëllime elektorale 1 milionë euro.

Regjistruan zëra kriminelësh që kërkonin armë për të likuiduar kandidatin e opozitës.

Dumani i krimit fle mbi këtë dosje dhe ka fytyrë të zotohet se ne jemi të paanshëm, se ne jemi të pavarur.

Pavarësia jote është varësi fund e krye ndaj krimit dhe ti do përgjigjesh gjithë jetën tënde për këto qëndrime.

Qytetarë dhe qytetare, të dashur miq, drejtësia e paanshme, drejtësia që garanton të drejtat civile të qytetarëve është themeli i shtetit ligjor, i rendit demokratik.

Por kur drejtësia ka përfunduar në duart e krimit, është emergjencë kombëtare të rivendosim drejtësinë e vërtetë, të shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e kësaj bande të rrezikshme për Shqipërinë, të rrezikshme për rajonin, të rrezikshme për aleatët tanë.

Rrofshi ju, Rruga e shpresës është rruga e fitores.

Fitore, fitore, fitore!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco