‘Nuk është ngritur akuzë’/ Zëri i Amerikës: Berisha paraqitet në SPAK për dosjen ‘Partizani’

‘Nuk është ngritur akuzë’/ Zëri i Amerikës: Berisha paraqitet në SPAK për dosjen ‘Partizani’

19:14, 23/01/2024
A+ Aa A-

Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen e privatizimit të ish Klubit sportiv Partizani . Në hyrje të godinës së SPAK-ut ai u prit nga një grup simpatizantësh apo dhe deputetësh që e përkrahin atë, nën brohoritje dhe thirrjet me emrin e tij.

Kjo është hera e parë që ai paraqitet te prokurorët e çështjes që kur në tetor të vitit të kaluar u mor nën hetim. Ndaj zotit Berisha nuk është ngritur akuzë. Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup pallatesh. Duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, sipas hetimit, ai dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish pronarëve, dhe se përmes kontrolleve administrative është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të zoti Malltezi për realizimin e privatizimit.

Ish kryeministri i ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë. Edhe sot në përfundim të seancës së pyetjeve e cila zgjati rreth 90 minuta, ai deklaroi se nuk ka asnjë provë kundër tij, por vetëm trillime. “Ju thashë prokurorëve se kam ardhur këtu, të shemb piramidën e turpshme të mashtrimit që keni ndërtuar me shpifje, trillime, mashtrime, falsifikime. Në të cilën nuk ka asgjë të vërtetë. Ka vetëm zbatim të porosisë politike”, deklaroi ai.

Zoti Berisha përsëriti akuzat ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, “si grupi i strukturuar kriminal, si mercenarë që përdoren” nga kryeministri Edi Rama, duke përdorur më pas tone kërcënuese ndaj prokurorëve të cilët “do të marrin të gjithë ndëshkimin e merituar”.

Ish kryeministri në mënyrë të përsëritur ka pretenduar se veprimet e ndërmarra ndaj tij kanë qenë në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Me këto argumenta ai nuk iu bind vendimit të gjykatave për masën e “Detyrimit për paraqitje”, gjë që çoi më pas në vendosjen e tij në “arrest shtëpie”, në fund të dhjetorit. Një masë të cilën ai e ka kundërshtuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila pritet të shprehet nesër për këtë./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco