Boçi: Aksioni ynë nuk ndalet, ne e kemi Kryetarin tonë Sali Berisha, mosbindja civile edhe më e fortë!

12:08, 31/12/2023
A+ Aa A-

Nënkryetarët e PD, Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi, së bashku me një grup deputetësh dhe mbështetësish të PD-së, kanë dhënë sot një deklaratë për media ku kanë theksuar me forcë se aksioni opozitar nuk do të ndalet, pavarësisht heqjes së lirisë që i kanë bërë pushteti, liderit të opozitës, Kryetarit të PD-së, Sali Berishës. Deklarata u bë përpara banesës së z. Berisha, vend të cilin Boçi e quajti si "selia e imponuar, e dytë, e PD-së."

"Autorët e aferave sot janë jashtë, jashtë hetimeve, jashtë hekurave, - tha Boçi, - denoncuesit janë në hetim, denoncuesit janë në masë arresti dhe arrestimi i tyre nuk është aspak juridik. Arrestimi i tyre është krejtësisht politik.

Ne, sigurisht, e kishim një pritje të tillë të sjelljes politike, të sulmeve të vazhdueshme ndaj opozitës, të dëshmuara përgjatë shumë viteve dhe pjesa e aksionit tonë nuk ndalet.

Unë e di shumë mirë që me këto veprime, mazhoranca dëshmon hallin e vet, hallin e të gjendurit dhe të të kapurit në korrupsion.

Nuk është halli ynë ky sot, megjithëse transmetohet si i tillë. E vërteta është krejt e përmbysur dhe të vërtetën e dinë sot dhe shqiptarët, e dinë edhe mediat dhe ne do të mundohemi ta transmetojmë dhe ta kundërshtojmë.

Aksioni ynë do të vazhdojë. Të mos mendojë kush që PD-ja do të stepet para këtyre veprimeve. Ne e kemi Kryetarin tonë, e kemi të qartë strategjinë e aksionit.

Mosbindja civile do të jetë e fortë në vitin që na pret. Në një aksion të gjithanshëm politik, mosbindja do të dëshmohet edhe në sallën e parlamentit me akte të forta nga deputetët e opozitës, por sigurisht edhe nga demokratët e nga qytetarët.

Sot është sulmuar jo Sali Berisha, jo thjesht PD-ja, jo thjesht opozita. Sot është sulmuar e gjithë shoqëria shqiptare, çdo qytetarët në ekzistencën e tij, në dimensionin e lirisë dhe të demokracisë.

Janë vlera që duken abstrakte, sepse njeriu e lidh ekzistencën edhe me ekonominë, por janë vlera thelbësore që japin pasoja në të gjithë jetën tonë, që japin pasoja në mungesën e sigurisë, arsimore, shëndetësore, ekonomike, japin pasoja në braktisjen e këtij vendi, në humbjen e burimeve njerëzore dhe në humbjen e vlerave që ka Shqipëria.

Ne do të vazhdojmë betejën tonë, do të jemi dhe në selinë e PD-së, edhe në selinë e imponuar, të dytë, të PD-së, gjithmonë në ditët në vazhdim.

Organizimi ynë do të dëshmohet, do të jemi në kontakte të vazhdueshme. Njerëzit sot kanë ardhur spontanisht vetë me dëshirën e tyre dhe më pas, në ditët në vazhdim, ne do të kemi dhe organizimet tona”,

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco