Lajmi i fundit

LIVE/ Protestë para bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit

Instituti Amerikan vlerëson se janë reale gjasat për një sulm të ri në pjesën veriore të Kosovës

Instituti Amerikan vlerëson se janë reale gjasat për një sulm të ri në pjesën veriore të Kosovës

19:38, 19/12/2023
A+ Aa A-

Instituti amerikan, Robert Lansing, në një raport të publikuar të hënën, ka konstatuar se një sulm tjetër mund të ndodhë ne veri të Kosovë i ngjashëm me atë të 24 shtatorit në Banjskë. Për këtë deputeti nga pushteti Enver Dugolli thotë se gjasat për këtë sulm janë të mëdha, ndërkaq eksperti i Sigurisë, Burim Ramadani, e sheh shqetësuese mbështetjen e grupeve serbe në veri nga Serbia, si potencial për tensione vlerëson së është edhe Bosnja e Mali i Zi.

KOHA

Shqetësimet për mundësinë e një sulmi të ri paraushtarak serb, që ka ngritur presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Samitin e Berlinit, i ka konfirmuar edhe një raport i publikuar të hënën nga një institut amerikan.

Robert Lansing Intitute (RLI) thekson mundësinë e një sulmi tjetër në pjesën veriore, nga një grup i furnizuar me armë nga Serbia, pas atij të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, e dy policë të tjerë u plagosën.

Në këtë raport thuhet se Serbia është e gatshme ta nisë një konflikt të ri, duke u mbështetur nga grupet serbe jo vetëm në Kosovë, por edhe ato në Rusi.

Raporti përmend edhe shqetësimin që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ngriti pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në nëntor.

Sipas raportit, Serbia është duke e kërcënuar direkt edhe NATO-n nëpërmjet veprimeve në pjesën veriore të Kosovës.

“Gjasat për sulme të reja në Kosovë, veçanërisht pas incidentit të 24 shtatorit, mbeten të konsiderueshme. Ky shqetësim shtohet nga vëzhgimi i një grupi të organizuar të pajisur me mbështetje logjistike dhe armatim të rëndë që thuhet se është furnizuar nga Beogradi. Serbia duket e gatshme të nxisë konflikte të përhershme në rajon, duke shfrytëzuar jo vetëm grupet serbe brenda Kosovës, por edhe ato të rreshtuara me Moskën. Ndërsa një pushtim konvencional mund të mos jetë i pashmangshëm”, thuhet në raportin e Robert Lansing Institute.

Mundësinë e një sulmi të ri në veri nuk e ka përjashtuar as kryeministri Albin Kurti.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi, sepse nuk varet nga ne”, ka thënë ai ditë më parë në një intervistë për gazetën gjermane, “Stern”.

E deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, i cili është anëtar i Komisionit parlamentar për siguri, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po tregon qasje të rrezikshme për institucionet e sigurisë ndërkombëtare e vendore.

“Jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe institucionet e sigurisë globale, ndërkombëtare siç është NATO-ja, EULEX-i e kështu me radhë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë gjithnjë e më shumë, sa është rrezik me këtë qasje të Serbisë të udhëhequr nga një diktator”, ka thënë Dugolli.

Por, ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, thotë se Serbia ka konfirmuar qysh më 24 shtator, mundësinë e sulmit tjetër ndaj sovranitetit të Kosovës.

“Lidershipi i Serbisë, pas këtyre zgjedhjeve të fundit, ka rikonfirmuar qëndrimet dhe narrativen nacionaliste dhe ekstremiste edhe si e tillë, ajo ka dëshmuar më 24 shtator se mund të bëjë veprime, ose mund të mbështesë si shtet veprime të grupeve terroriste, të grupeve paramilitare dhe si e tillë nëse Serbia nuk merr ndëshkime direkt, sidomos lidershipi i Serbisë, nuk merr ndëshkim direkt, qoftë në listë të zezë apo veprime të tjera, jam i bindur se situata të tilla do të përsëritën jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi”, ka thënë Ramadani.

Përkitazi me kërcënimet e paralajmëruara, KOHA u ka dërguar pyetje edhe NATO-s dhe KFOR-it, por nuk ka pranuar përgjigje.

Më 24 shtator në fshatin Banjskë, një grup serbësh hyri nga Serbia përmes rrugëve ilegale, të armatosur rëndë, të cilët sulmuan policinë. Gjatë ballafaqimit me policinë, mbetën të vrarë tre pjesëtarë të këtij grupi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco