Si u rakorduan SPAK dhe mazhoranca për të goditur liderin e opozitës

Si u rakorduan SPAK dhe mazhoranca për të goditur liderin e opozitës

09:18, 19/12/2023
A+ Aa A-

Seanca e djeshme në Komisionin e Mandateve dëshmoi edhe njëherë se një dosje e dyshimtë, si ajo e privatizimit të klubit 'Partizani' nuk po trajtohet si zbardhja e një afere të dyshuar si korruptive. Nuk ka dyshim se shumë shqiptarë mund të kërkojnë të dinë të vërtetën se si dhe sa ka përfituar dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, që nga pronar i një trualli me mbi 100 m2, doli nga kjo histori me mbi 5 milionë euro. Shumë të tjerë duan të kuptojnë se deri në ç’pikë e ka ndihmuar vjehrri, i gjithëpushtetshëm, burrin e vajzës së tij? Mbi këtë aferë të denoncuar prej vitesh ka shumë dilema dhe dyshime që mund t'i zbardhte vetëm një drejtësi e pavarur.

Por dalja publikisht, në sallën e parlamentit, e dy prokurorëve që kërkuan arrestimin e Berishës, ka rritur dyshimet për mos zhvillimin e një procesi të drejtë, të ekuilibruar dhe të paanshëm.

Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai (të cilës nuk i’u ndje zëri i gojës, vetëm servirte letrat që nuk i gjente dot ish-shefi), treguan përpara komisionit të imuniteteve arrogancë që fshihte mungesën e profesionalizmit. Ata i përgjigjeshin thatë dhe pa argumenta avokatëve mbrojtës së Berishës (ky i fundit nuk ishte prezent në sallë). Kur Genc Gjokutaj i pyeti se pse ata kishin paraqitur në kërkesën e tyre si argument të korrupsionit të  Berishës, ndryshimin e destinacionit të truallit sportiv në tokë ndërtimi, kur dihej se një gjë të tillë se kishte bërë ish-kryeministri, por Rama si kryebashkiak, prokurori u përgjigj: “kjo s’ka lidhje me imunitetin e Berishës për të cilin po diskutojmë sot”. 

Më kot avokati insistoi se ishte SPAK që e kishte vënë këtë fakt në relacionin dërguar Kuvendit dhe se kjo bëhej për të sugjestionuar deputetët, askush nuk i dha përgjigje. Po me të njëjtën lehtësi, deputetët socialistë rrëzuan edhe kërkesën, në dukje logjike të avokatëve, që më parë të prisnin një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e masave kufizuese ndaj deputetit Berisha. Boll të shikoje mirësjelljen dashamirëse të rilindasve me Arben Krajën dhe padurimin foshnjor që tregonte Lindita Nikolla kur e merrnin fjalën avokatët, për të kuptuar tingujt që rezononin mes palëve. 

Po ta shohësh çështjen jo vetëm nga aspekti formal i komunikimit, por edhe nga koklavitja e argumentave ligjorë, duket sikur ka një rakordim mes SPAK dhe mazhorancës për të goditur liderin e opozitës. E këtu vijmë tek shkelja më e madhe që po e bëjnë të dy palët në rakordim. Ligji shqiptar e kërkon që heqja e imunitetit të deputetit të bëhet pasi prokuroria servir prova bindëse për këtë. Por kjo gjë nuk ndodhi në seancën e djeshme. Një truk ligjor i SPAK, që kishte vendosur paraprakisht të kufizonte lirinë e deputetit në fjalë pa pyetur parlamentin, tani i kërkonte Kuvendit masë më të rëndë ndaj Berishës, që e kishte quajtur të paligjshëm detyrimin e paraqitjes dhe marrjen e pasaportës. Duke pretenduar se lideri i PD e kishte sfiduar me mosparaqitje, SPAK kërkoi arrestimin si një masë më të rëndë. Por me këtë lëvizje tinzare, ai krijoi precedentin e rrezikshëm që deputeti mund të zhvishet nga imuniteti edhe nëse prokurorët nuk sjellin prova. Natyrisht për këtë duhet bashkëveprimi i drejtësisë së re me të zgjedhurit e pushtetit, por gjatë seancës u duk se ai nuk mungonte. Kjo përputhje prokurorë politikanë, u pa qartë edhe tek standardet e dyfishta të përdorura. Në rastin e Saimir Tahirit parlamenti i “lejoi” drejtësisë që të kufizonte lirinë e lëvizjes së deputetit. Në rastin e Berishës deputetët mbajtën qëndrim se kjo është një e drejtë e SPAK dhe s'i takon atyre të vendosin.  Pra, deri më tani, Prokuroria e Posaçme ka kufizuar lirinë e një deputeti, në këtë rast liderit të opozitës, duke anashkaluar parlamentin dhe e pastaj ka përdorur këtë “risi” si një rast për të kërkuar arrestimin, duke shmangur detyrimin për të paraqitur prova.

Këto janë anët e errëta që u panë vetëm këtë të hënë. Po t'i shtosh atyre se, që në fillim, masën ndaj Berishës e mori një gjykatëse e dyshuar për konflikt interesi si Irena Gjoka, pasi ishte shkarkuar me firmën personale të ish-presidentit (1992 -1997). Po të vazhdosh më tej me faktin se gjykata e rrëzoi pretendimin për largimin e saj. Po të theksosh se, pas kësaj, Berishës iu vunë dy palaço si avokatë për ta mbrojtur kryesisht, ndërkohë që ata ishin deklaruar publikisht si kundërshtarë të tij, madje një karagjoze që duhej ta mbronte shkruante tekste publike pro arrestimit të tij, pra po ti shohësh të gjitha këto, dyshimet për degradimin drejt një procesi farsë bëhen të mëdha. Dhe kjo e gjitha për hir të SPAK- t që vepron me nxitimin aprofesional që buron nga urdhrat.

Pikërisht kjo sjellje e politizuar po e vret që pa nisur dosjen 'Partizani'. Ndërkohë që aty ka dyshime reale për abuzim dhe korrupsion, SPAK po ua pamundëson shqiptarëve hedhjen e dritës mbi të. Pasi më shumë sesa të bëjë drejtësi, ndoshta i intereson goditja e Berishës. Kjo me sa duket do të ndodhë dhe të enjten ku parlamenti, me votat e PS, pritet t'i hapë rrugë arrestimit të kreut të PD./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco