VIDEO/ Gjykata Kushtetuese pezullon ratifikimin e protokollit Rama-Meloni në Kuvend deri në shqyrtimin e kushtetueshmërisë nga ana e saj

17:38, 13/12/2023
A+ Aa A-

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ratifikimin e protokollit të nënshkruar nga kryemisnitri Edi Rama dhe homologia italiane Georgia Meloni për të sjellë refugjatët në Shqipëri.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije se është marrë  në shqyrtim padia e bërë nga deputetët e opozitës, kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për refugjatët.

Kushtetuesja ka pezulluar ratifikimin, duke bërë që ditën e nesërme të mos mund të votohet kjo marrëveshje në Kuvend, sikurse ishte parashikuar.

Seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Në datën 6 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetueshmërisë së protokollit të nënshkruar të Këshillit të Minsitrave të Shqipërisë dhe qeverisë së republikës italiane për forcimi në fushën e emigracionit.

Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij protokolli bazuar në nenin 131 pika 1 shkronja b të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe nënshkrimit pasi protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në atë kategori marrëveshjes që kërkojnë autorizimin e presidentit pasi prek çështje të territorit dhe të drejtave themelore sipas nenit 121 pika 1 shkronja a dhe b të Kushtetutës.

Po ashtu ata kanë paraqitur edhe 3 kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i protokollit është planifikuar nga kuvendi për seancë plenare të datës 14 dhjetor 2023.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese në datën 11 dhjetor 2023 pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në mbledhjen e gjyqtarëve.

Mbledhja e gjyqtarëve e mbledhur sot në datë 13 dhjetor 2023 vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentash.

Bazuar në nenin 52 pika 3 të ligjit nr. 8577/2000 shqyrtimi në seancë të çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në kuvend të protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, duke mbajtur parasysh parashikimin e dispozitës së njëjtë ligjore që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, mbledhja e gjyqtarëve vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datë 18 janar 2024 ora 10:00.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco