Keqqeverisja e Ramës bllokon sërish integrimin: Greqia rrëzon 'drejtësinë e re' dhe zgjedhjet e 14 Majit

13:39, 30/11/2023
A+ Aa A-

Betimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, është zyrtarisht kusht i Brukselit për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Gazeta greke Kathimerini, publikoi detaje për qëndrimin e shtetit helen, që zyrtarizoi si kusht për Shqipërinë, betimin e Belerit dhe respektimin e të drejtës për prezumimin e pafajësisë. Keqqeverisja e Edi Ramës do i kushtojë sërish shtrenjtë rrugës evropiane të Shqipërisë. Në qëndrimin e saj zyrtar, Athina rrëzon të ashtuquajturën drejtësi të re dhe zgjedhjet skandaloze të 14 majit

SYRI TV

Greqia e ka vendosur zyrtarisht kusht, betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gazeta greke Kathimerini, ka zbardhur detaje nga tre kërkesat  që Athina zyrtare, ka vendosur sa i takon çështjes Beleri,  duke e kthyer betimin e kryebashkiakut, në një kusht të Brukselit.

Kërkesat bazohen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe i janë bashkangjitur letrës së dërguar Tiranës dhe Shkupit nga 27 vendet e BE-së, për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave.

Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë.

“Parandalimi i betimit të kryebashkiakut të zgjedhur është një vendim politik i ndërgjegjshëm i qeverisë shqiptare, që pasqyron përbuzjen e saj ndaj parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Për Greqinë, situata që mbizotëron bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe të drejtën europiane, të cilat janë të panegociueshme. Çështja Beleri përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pjesëtarëve të pakicës etnike greke. Ndaj, Greqia nuk do të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura”.

Më tej gazeta greke, raporton se ashpërsimi i qëndrimit të Greqisë, lidhet me indiferencën që Tirana ka treguar këtë periudhë, por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.

Në deklaratë paraqitet edhe një historik të shkurtër i çështjes, ku theksohet se në prag të zgjedhjeve të 14 majit, Beleri kishte qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve të drejtpërdrejta verbale nga lidershipi politik shqiptar.

Dhe me gjithë minimin e kandidaturës së tij, ai ishte një nga shtatë kandidatët e opozitës që arriti të zgjidhej në 61 bashkitë e vendit.

Aty thuhet se paraburgimi i Belerit pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjes së tij bie në kundërshtim me ligjin shqiptar, sipas të cilit është e qartë se marrja e detyrave nuk duhet të ndikohet nga procesi apo përfundimi i çështjeve të pazgjidhura, pasi është një akt i thjeshtë administrativ, i cili nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit.

Deklarata me shkrim është tashmë qëndrimi i regjistruar zyrtarisht i Greqisë për procesin e anëtarësimit në BE dhe pengesa konkrete, e vendosur në rrugën europiane të Shqipërisë, pas një sërë paralajmërimesh që u injoruan nga qeveria shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco