U quajtën si 'Syri i Zotit', kamerat e Policisë dështojnë me krimin në Kamëz

U quajtën si 'Syri i Zotit', kamerat e Policisë dështojnë me krimin në Kamëz

15:28, 29/11/2023
A+ Aa A-

Kur, dy muaj më parë, Policia e Shtetit vendosi disa kamera për vëzhgimin e terrenit në Kamëz, propaganda qeveritare e prezantoi si risinë që do të luftonte pa kompromis kriminalitetin.

Madje, megafonët qeveritarë shpërndanë në eterin mediatik se tashmë Kamza u bë si Londra, që konsiderohet si qyteti më i monitoruar nga kamerat në botë.

Me pak fjalë, nëse do të besoje propagandën qeveritare, do të bindeshe se këto kamera mund të konsideroheshin pa frikë si “Syri i Zotit”.

Image

Në foto: Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, duke prezantuar sistemin e kamerave në Kamëz

Por, “çunat e Kamzës”, të cilët, fatkeqësisht, varfëria i ka nxitur drejt kriminalitetit dhe fitimit të shpejtë, nuk janë nga ata që kapërdijnë pilulat propagandistike si aspirina për dhimbje koke.

Këta “çuna” janë gjithnjë vigjilent dhe godasin, madje edhe duke ushtruar terror tek qytetarët, pa e pasur aspak frikën se do t’i zbulojnë ato kamerat “speciale” të vendosura në Kamëz.

Dhe shembullin konkret se askush nuk do t’ia dijë për ato kamera dhe, për më tepër se ato pajisje nuk janë aspak siç u propagandua nga qeveria dhe Ministria e Brendshme, u dha në dy raste gjatë këtyre ditëve të fundit.

Në 18 Nëntor 2013, dy persona, të cilët lëviznin me një automjet “Audi”, kanë vendosur lëndë plasëse tritol në dyqanin e një 24-vjeçari në rrugën “Donald Trump”, në Kamëz.

Nga shpërthimi ka pasur dëme të konsiderueshme materiale, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.

Policia, me ato kamerat speciale, identifikoi mjetin e përdorur, por e ka të pamundur, të paktën për momentin, që të identifikojë autorët.

Image

Në foto: Momenti kur një person i vendos tritol lokalit në Kamëz

Ato kamerat si “Syri i Zotit”, nuk janë aq të afta se të zbulojnë detaje të hollësishme. Pra, janë thjesht kamera, si çdo pajisje tjetër regjistruese, me një rezolucion ndoshta pak më të lartë, por sërish aparatura të thjeshta.

Kalojmë më tej. Në 28 Nëntor, në ditën e Festës së Pavarësisë, një automjet tip “BMË”, me tre persona në bord, ndalon pranë një pike argjendarie në Kamëz.

Duke kërcënuar punonjësit, grabitësit rrëmbejnë një sasi floriri dhe bizhuteri të tjera, të cilat besohet se arrijnë në sasisë e një kilogram metale të çmuar.

Image

Në foto: Makina që dyshohet se është përdorur për vjedhje e argjendarisë në Kamëz

Kamerat “e shumëpropaganduara” fiksuan automjetin, si edhe siluetat e tre personave të përfshirë në grabitje. Fiksuan edhe targën e mjetit, e cila rezultoi e vjedhur në një makinë tjetër. Fiksuan edhe lëvizjen e “BMW-së” drejt fshatit Larushk, në drejtim të Fushë-Krujës.

Më tej, asgjë. Pamjet e “kamerave inteligjente” nuk siguruan asgjë më shumë se çdo kamerë e thjeshtë regjistrimi në rrugë.

Atëherë, për çfarë duhej e gjithë ajo propagandë dy muaj më parë për vendosjen e atyre kamerave të sigurisë?

Mesa duket, detajet mund të fshihen tek tenderi për blerjen e tyre./ Nga Boldnews.al

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco