SYRI TV/ ‘Mirëqeverisja’ e Shqipërisë, e përkeqësuar: BERZH e rendit Shqipërinë të parafundit në rajon

13:54, 22/11/2023
A+ Aa A-

Në raportin e fundit të tranzicionit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson negativisht Shqipërinë në kapitullin e mirëqeverisjes. Raporti i BERZH për vitin 2023 e klasifikon Shqipërinë me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet, ndërsa vërehet se vit pas viti vendi ynë ka përkeqësim sa i përket qeverisjes.

Nga SYRI TV

Të dhënat e publikuara në Raportin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për vitin 2023 e klasifikojnë Shqipërinë me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet, për treguesin e mirëqeverisjes.

I vetmi vend që Shqipëria lë pas është Bosnjë-Hercegovina e cila ka marrë 4.09 pikë.

Raporti pasqyron rënie të Shqipërisë në kapitullin e “mirë-qeverisjes” vit pas viti.  

Referuar të dhënave, në vitin 2016 Shqipëria vlerësohej me 5.28 pikë, ndërsa një vit më parë, në vitin 2022 renditej me 4.74 pikë.

Në vlerësimet e BERZH Kosova renditet më sipër Shqipërisë, me 4.85 pikë.

Nga vendet e rajonit, renditur në vend të parë për qeverisjen e mirë në vitin 2023 rezulton Mali i Zi me 6.34 pikë, ndërsa pas tij renditen Rumania, Bullgaria, Serbia dhe Greqia.

Treguesi i i mirëqeverisjes është një ndër pikat më të rëndësishme në raportin e publikuar nga BERZH, ku përmes pikëve jepet vlerësimi për funksionimin, cilësinë standardet e institucioneve politike dhe ekonomike, kontrollin e korrupsionit si dhe sundimin e ligjit. Këta faktorë duket se në Shqipëri po njohin përkeqësim nga viti në vit, gjë që e faktojnë edhe pikët e raportit për mirëqeverisjen në Shqipëri, të cilat kanë shkuar drejt rënies.

Gazetar: F. Çela

Pamjet: Syri TV

Montazhier: O. Demo

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco