Sherri në parlamentin shqiptar/ Flakët e opozitës zgjojnë ambasadorët

Sherri në parlamentin shqiptar/ Flakët e opozitës zgjojnë ambasadorët

09:07, 22/11/2023
A+ Aa A-

Tymi dhe flakët në parlament me sa duket nuk kanë kaluar pa vëmendjen e ambasadave kryesore politike në Tiranë, që janë zgjuar nga gjumi letargjik i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendit. Ndonëse menjëherë pas përfundimit të seancës skandaloze, ku projektbuxheti i vitit të ardhshëm u vootua vetëm në 5 minuta, deputetët e qeverisë e konsideruan gjithcka normale duke pretenduar se problemi është në sherrin e brendshëm të PD-se, në deklaratat e përfaqësive të huaja nuk rezulton kështu.

Si me një dorë të rakorduar, ato kanë mbajtur qëndrime ku vihet në dukje mosfunksionaliteti i kuvendit, mungesa e dialogut, kriza që zgjat prej muajsh, domosdoshmëria e rolit mbikqyrës të kuvendit dhe zbatimin e regullave të vendosura paraprakisht nga ky i fundit. Ndonëse në të gjitha prononcimet qe lapsi.al i ka krahasuar, vërehet një kujdes për të mos u fërkuar me regjimin e Edi Ramës, edhe midis qëndrimeve të SHBA, Britanisë dhe Gjermanisë ka nuanca të ndryshme. Ndërsa selia e Rrugës së Elbasanit ka bërë deklaratën më të rrumbullakosur dhe më pa karakter, në qëndrimin anglez vihen re tone më të ashpra për moslejimin e komisioneve hetimore, që nënkuptohet në qëndrimin se parlamenti duhet të kontrollojë. Edhe ambasadori gjerman, Karl Bergner, në një prononcim personal është shprehur pro një bashkëpunimi (që mungon) sipas regullave “që i ka përcaktuar vetë parlamenti”.

Në një prononcim që i dha Zërit të Amerikës ambasada e ShBA e vinte theksin te funksionaliteti i munguar i kuvendit dhe tek rikthimi i dialogut pozitë opozitë: “E shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë. Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar. Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”, theksohej në prononcim.

Ndaj krizës që ka përfshirë Kuvendin e Shqipërisë ka reaguar edhe ambasada britanike, e cila u bëri thirrje paleve që të punojnë së bashku me qëllim që të garantojnë rolin mbikëqyrës të Parlamentit.

“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve", shkruhet në mesazhin e ambasadës britanike.

"Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti”.

Kontrolli i qeverisë prej parlamentit ishte një pikë e rëndësishme edhe e prononcimit të ambasadorit gjerman Karl Bergner. “U… bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”, theksoi ai.

Që prej mesit të tetorit parlamenti shqiptar nuk ka zhvilluar asnjë seancë normale dhe as komisionet e Kuvendit nuk e kanë ushtruar dot funksionin e tyre si pasojë e veprimeve destruktive të opozitës. Ato arritën kulmin në seancën e së hënës, kur mazhoranca socialiste miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2024, një seancë e cila zgjati më pak se 5 minuta. Gjatë këtyre muajve, PS ka shkelur disa herë Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit duke refuzuar kërkesat e opozitës për ngritjen e 7 komisioneve hetimore parlamentare.

Po kështu shumica në Kuvend, ka refuzuar ndryshimin e përbërjes së anëtarëve të komisionit të reformës elektorale dhe në kundërshtim me rregulloren ka ndërhyrë edhe në çështjen e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Pikërisht pas kësaj gjendjeje të tensionuar, kanë reaguar edhe ambasadat kryesore. Thirrja e amerikanëve për dialog dhe Kuvend funksional, bie ndesh me qëndrimin e shumicës se nuk pranojmë asnjë nismë të ndërmarrë nga non-grata Berisha. Po ashtu ajo e Berlinit dhe Londrës që parlamenti të lejohet të ushtrojë kontroll, i shkon kundër vullnetit të shumicës që refuzon ngritjes së komisioneve hetimore.

Por me gjasë këto zëra diplomatikë ka shumë mundësi të përfundojnë si zëra në shkretëtirë. Për një kohë të gjatë, Perëndimi e ka toleruar instalimin e regjimit të Ramës dhe tashmë është tejet vonë për të përdorur të njëjtat mjete si ato që funksiononin në kohën kur Shqipëria qe ende një demokraci parlamentare. Qeveria pritet t'i injorojë këto thirrje aq më tepër që vetë kryeministri Rama e ka shpallur se nuk do lejojë më ndërmjetësime të ndërkombëtarëve në konfliktet e brendëshme me opozitën./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco