Berisha: Organizata kriminale skapiste amnistoi sërish Beqën pasi ai deklaroi se paratë i ka marrë Rama

Berisha: Organizata kriminale skapiste amnistoi sërish Beqën pasi ai deklaroi se paratë i ka marrë Rama

11:08, 20/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, foli gjatë lidhjes live në median sociale, teksa ndodhej në sallën e Kuvendit, edhe për çështjen e Ilir Beqës.

“Qytetarë dhe qytetare, ne këtu po mbrojmë të drejtat tuaja kushtetuese, ne këtu po mbrojmë parimet themelore të lirisë së qytetarëve, ne këtu po mbrojmë të drejtën tuaj për të mësuar me transparencë se cfarë bëhet me taksat tuaja.

E gjitha kjo që zhvillohet sot e mbi një muaj, ka vetëm një arsye. Edi Rama ka tmerr nga komisionet hetimore parlamentare.

Ai ka tmerr nga komisionet se i ka ndërtuar sarajet e Surrelit, ka fillimi në mbarim me korrupsion. Se ka blerë 5 mijë metra tokë në kundërshtim me ligjin. Se ka ndërtuar pallatin 5-katësh të familjes së bashkëshortes, kryekëput me vjedhje dhe korrupsion. Se ka vjedhur gjatë kohës kur ishte kryetar bashkie, sipas OSBE-së, 200 milionë euro të vendosura në konto bankare.

Edi Rama ka frikë dhe tmerr sepse është njeriu kryesor në vjedhjen e parë të shekullit. Është njeriu kryesor në vjedhjen e dytë të shekullit.

Juve ju kujtohet mirë se si ku hajdut kalonte nga studio në studio me gërshërë me një krah dhe pincë të thyer, me të cilën mashtronte shqiptarët se ju operohet me këto vegla, dhe tani që fillova të vjedh unë, ju do keni sete të reja. Ndërkohë, çmimi u rrit 83 herë për sterilizimin dhe u bë 4 herë më i shtrenjtë se në Gjermani.

Për herë të dytë, dje Edi Rama amnistoi Beqën e tij.

Herën e parë, amnistia ishte totale, sepse organizata kriminale SKAP, nuk guxoi të kërkonte as hetim, pa lëre më masa sigurie.

Por, pasi një gjykatës i guximshëm ktheu mbrapa këtë amnisti kriminale që Edi Rama me skapistët e tij, ia akordoi Beqës, i cili ka firmat e tij në çdo etapë kryesore të sterilizimit prej 100 milionë eurosh, dhe ato firma i ka vendosur me urdhër të Edi Ramës.

Zgjodhi ditën e shtunë për amnistinë e dytë për të thënë se Beqaj po hetohet dhe nuk mund të dalë jashtë shtetit për shpërdorim detyre.

Nuk ka tallje më të madhe, nuk ka cinizëm më ekstrem se kjo.

Skapistët, kjo organizatë kriminale, e përzgjedhur nga Edi Rama, nuk guxuan dje të fajësojnë Beqën për 76 milionë të vjedhura me sterilizimin, nuk guxuan të fajësojnë Beqën për emërimin e kushëririt të parë, Burazerit, për të bërë fizibilitetin fals të sterilizimit, nuk guxuan të fajësojnë Beqën për shkelmimin e raportit të KLSH, i cili faktonte se çmimi është 83 herë më i lartë se para fillimit të sterilizimit, se mijëra të sëmurë nuk u operuan dot, por mbetën në mëshirë të sëmundjes dhe të vdekjes, sepse spitalet paguanin dot setet e sterilizuara për operimin e tij.

Edi Rama amnistoi Beqën, sepse Beqa ka deklaruar se vërtet është vjedhur me sterilizimin, por paratë i ka marrë dikush tjetër, duke aluduar se paratë i ka marrë direkt Edi Rama.

Ndaj dhe ai dje, firmosi përmes organizatës së tij kriminale, hetimin e Beqës për shpërdorim detyre. Nuk ka tallje më të madhe, nuk ka cinizëm më të madh, në një kohë kur Beqaj është njeriu që zgjodhi kompaninë, në një kohë kur Beqaj me urdhër të Ramës, shpalli fitues kompaninë e një militanti të PS, që kishte shkelmuar diplomën e mjekut dhe kishte krijuar një skuadër me dy vetë si muratorë në Pavia të Italisë.

Pra, për të gjitha këto, Edi Rama e di se pranimi i komisioneve hetimore parlamentare, shënon damkosjen e tij përfundimtare përpara shqiptarëve dhe botës,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco