Rama, mesazh të fshehtë Vuçiçit, Ballkani i Hapur ringjallet në Beograd

Rama, mesazh të fshehtë Vuçiçit, Ballkani i Hapur ringjallet në Beograd

11:12, 18/11/2023
A+ Aa A-

Është e njohur alegoria me të cilën kryeministri Edi Rama provokon buzëqeshjet e miqve perëndimorë për zvarritjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Historia, thotë Rama, ngjan me një dasëm që ne presim prej vitesh. Nusja është gati, por krushqit nuk vijnë. Ata ende kanë mëdyshje për t’u nisur apo jo.

Por ndërkohë që nga krushqit po vijnë sinjale se janë gati për dasëm, Rama ka bërë një veprim me të cilin i ngjan asaj nuses, që e kthen kokën pas për një herë të fundit, para se të nisin impenjimet martesore.

Kështu, edhe pse e shpalli “Ballkanin e Hapur” të mbyllur dhe të përfunduar, Edi Rama është bërë pjesë e tij nëpërmjet një përshëndetjeje me zë dhe figurë në panairin e verërave që zhvillohet në Beograd.

Si provë e kësaj janë videot dhe fotot që janë shkëputur nga panairi i verërave në Beograd që u shpërndanë nga rrjetet sociale. Sepse zyra e shtypit e kryeministrisë në Tiranë nuk ka shpërndarë asnjë njoftim për mesazhin e Ramës.

Mesazhin që i dërgoi Vuçiçit në panairin e verërave, Rama e mbajti të fshehtë. Asnjë njoftim, asnjë lajm, asnjë shenjë e kësaj shfaqjeje në Beograd.

Por nuk është sekret se miqtë e tij sllavë nga Beogradi, Shkupi dhe Podgorica nuk e shohin me qejf tutelën që u imponon Bashkimi Europian. Jo më kot, ditën kur në Tiranë u mblodh Procesi i Berlinit, Vuçiçi fluturoi për në Kinë për të takuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.

Edhe në panairin “Vizioni i verërave të Ballkanit të Hapur”, presidenti i Serbisë lëshoi disa mesazhe kundër imponimit që i bën Bashkimi Europian vendeve të Ballkanit.

“Janë ata që na sjellin plane që duhet t’i pranojmë, sepse nuk jemi të mirë dhe pastaj shkulin flokët kur ne nuk i pranojmë. Ata mendojnë se janë perëndi, se ne duhet t’i dëgjojmë se çfarë thonë me marrëveshjet”, tha Vuçiç që i thuri lavde një lloj “shpirti liridashës të të gjithë popujve të Ballkanit”, që sipas Vuçiçit nuk pranon të nënshtrohet kollaj.

Këngës së Vuçiçit që sapo ka hyrë në fushatë për zgjedhjet e parakohshme, iu bashkuan edhe Jakov Milatoviç i Malit të Zi, sipas të cilit “Ballkani është më i bukur kur është i hapur” dhe Dimitar Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut.

Të tre u ulën në një bar në mbrëmje vonë dhe shpërndanë pamjet duke kënduar çakërrqejf me gotat e verës në duar.

Në fakt, këngën e mbajtën Milanoviç dhe Kovaçevksi. Të dy të skuqur nga vera ata këndonin me zë të lartë në lokal vargjet e Haris Dzinoviç.

Vuçiçi u duk më i vetëpërmbajtur. Në tryezën ku pihet verë dhe këndohet, ai ishte thjesht material për batuta dhe meme.

“Ta paktën e dimë që s’ka sasi alkoli që t’i sjellë atij një grimcë spontaniteti”, shkruante një komentues në rrjetet sociale. “Ngjan me një fëmijë që gjithë jetën e çoi “shkollë-shtëpi-shkollë” dhe 25 vjeç ka dalë për herë të parë në lokal”, shtonte një tjetër.

Natën e së enjtes, Vuçiçi nuk e kishte tepruar me asnjë gllënjkë. Por ai e kupton se në krahun e djathtë, aty ku është ulur rioshi Jakov Milatoviçi, një vit më parë qëndronte Edi Rama. Ish-aleati po “martohet” me Bashkimin Europian dhe nuk mund t’i çojë më shumë se një përshëndetje të fshehtë.

Ndaj Vuçiç nuk kishte asgjë për të festuar me këngën e Zinoviçit, vargjet e të cilit i këndonin në sfond dashurisë se humbur:

“Jepmëni verë, jepmëni bukë

Sillmëni ciganët në tryezë

Le të luajnë ata, le të sëmurëm unë

Nëse sytë e saj nuk më duan më”./LAPSI

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco