Pse Këshilli i Europës hodhi poshtë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët

Pse Këshilli i Europës hodhi poshtë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët

17:41, 15/11/2023
A+ Aa A-

Nga Annalisa Cangemi

Këshilli i Europës ka shprehur dyshime për memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë. Organizata ngre disa shqetësime në lidhje me të drejtat e njeriut dhe kësaj i shtohet edhe një shqetësimi tjetër: ai i tendencës europiane për të nxjerrë jashtë territorit të kontinentit të vjetër përgjegjësitë lidhur me çështjen e azilkërkuesve.

Këshilli i Europës ka shprehur dyshime serioze për protokollin e nënshkruar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve dhe shpjegoi këto shqetësime  përmes një note të nënshkruar nga Dunja Mijatovic, Komisionere për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Organizatë Humanitare e Strasburgut.

 ‘Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) midis Italisë dhe Shqipërisë për zbarkimet dhe përpunimin e kërkesave për azil, i përfunduar javën e kaluar, ngre disa shqetësime për të drejtat e njeriut dhe shton një prirje shqetësuese evropiane: ai i tendencës europiane për të nxjerrë jashtë territorit të kontinentit të vjetër përgjegjësitë lidhur me çështjen e azilkërkuesve’, sipas personit përgjegjës për të drejtat e njeriut në KiE.

 ‘Memorandumi i Mirëkuptimit ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme në lidhje me ndikimin që do të kishte zbatimi i tij mbi të drejtat e njeriut të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve,’ është shprehur Mijatovic. ‘Kanë të bëjnë, ndër të tjera, me kohën gjatë zbarkimit, ndikimin në operacionet e kërkim-shpëtimit, drejtësinë e procedurave të azilit, identifikimin e personave vulnerabël, mundësinë e ndalimit automatik pa shqyrtim adekuat gjyqësor, kushtet e ndalimit, aksesin në asistencë ligjore dhe mjetet juridike efektive’, thekson komisionerja.

 ‘Marrëveshja krijon një regjim azili ekstraterritorial ‘ad hoc’ të karakterizuar nga shumë paqartësi ligjore,’ shton ajo, duke shpjeguar se ‘në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë themelore të të drejtave të njeriut dhe përgjegjësinë për shkeljet, duke përcaktuar një trajtim të ndryshëm mes atyre që aplikimet për azil do të  shqyrtohen në Shqipëri me ato që do të shqyrtohen në Itali.’

Për më tepër, Mijatovic thekson se marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë është pjesë e një tendence më të gjerë e vendeve anëtare të Këshillit të Europës (mes tyre edhe Shqipëria) për të ndjekur modele të ndryshme të nxjerrjes jashtë territorit europian çështjen e azilkërkuesve si një ‘zgjidhje e shpejtë’ e mundshme përballë sfidave komplekse që vijnë nga ardhja e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve.

 ‘Megjithatë, masat e nxjerrjes jashtë territorit europian të kësaj çështje  rrisin ndjeshëm rrezikun e ekspozimit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut,’ vë në dukje Mijatovic. ‘Zhvendosja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete i nxit edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, me rrezikun e krijimit të një efekti domino që mund të minojë sistemin europian dhe global të mbrojtjes ndërkombëtare’, shprehet komisionerja. ‘Sigurimi që azili mund të kërkohet dhe vlerësohet në territorin e Shteteve Anëtare mbetet elementi themelor i një sistemi që funksionon mirë, në përputhje me të drejtat e njeriut, që ofron mbrojtje për ata që kanë nevojë,’ përfundon ajo.

Mbrojtja e kryeministrit shqiptar Edi Rama

Mbrëmë kryeministri shqiptar, Edi Rama mbrojti marrëveshjen për emigrantët, duke shpjeguar se ‘nuk ka përgjigje të përbashkët as në BE dhe as brenda partive politike. Është normale që të ketë diversitet pikëpamjesh’, deklaroi ai për Tg2post. Në lidhje me akuzën për krijimin e një 'Guantanamo' në Shqipëri, Rama u përgjigj se ‘qendrat e pritjes janë tashmë edhe në Greqi dhe Itali. Në Shqipëri nuk do të jetë ndryshe’.

Sipas ministrit të Jashtëm të Italisë,  Antonio Tajani ‘kushdo që kritikon’ memorandumin midis Italisë dhe Shqipërisë ‘nuk e njeh tekstin, i cili nuk është një traktat ndërkombëtar. Më 21 nëntor, në respekt të Parlamentit italian, do të shpjegoj se çfarë shkruhet në këtë marrëveshje. Do të ketë edhe rezoluta dhe për këtë arsye Parlamenti do të përfshihet plotësisht në atë që është një zgjedhje solidariteti nga ana e Shqipërisë dhe një mënyrë për të përballuar së bashku sfidën e madhe të imigracionit të paligjshëm’./Fanpage.it - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco