Gjokutaj: Rama, porosi që procedura për Berishën jo në parlament, që guri të hidhet, po dora e tij të mos shihet!

Gjokutaj: Rama, porosi që procedura për Berishën jo në parlament, që guri të hidhet, po dora e tij të mos shihet!

11:53, 08/11/2023
A+ Aa A-

"Kjo është pjesë e skenarit të Ramës për pastrimin e rrugës për zgjedhjet e vitit 2025 , por ajo që dëmton më shumë nuk janë zgjedhjet politike apo pengimi i njërit apo tjetrit kandidat, por është për herë të parë,  për herë të parë, gjykata që u trumbetua si reformë në drejtësi, si drejtësi e re e cila do të zhdukte pandëshkueshmërinë dhe do të vinte procesin penal në shina juridike, ka përfunduar në një institucion që punon me mall të porositësit. "

"Pra z. Rama ka një impakt të drejtpërdrejtë në këtë pikë dhe sigurisht bën përpjekjet e tij maksimale që e gjithë kjo aferë të mos i adresohet atij."

Intervistë me z. Genci Gjokutaj, avokatin e liderit të opozitës, Sali Berishës, në procesin e nisur ndaj tij në SPAK. Av.Gjokutaj ishte i ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV nga moderatori Flavio Qarri. 

Kafe Shqeto: Në këto kohë, që po flasim për të drejtat e njeriut, për mikpritje, shtet e norma, në Shqipëri po konsumohet një dramë politike dhe e të drejtave të njeriut. Lideri i opozitës po sulmohet nëpërmjet sistemit të drejtësisë nga ana e kundërshtarit të tij kryesor, kryeministrit të vendit. Ka diçka që nuk shkon?

Av. Gjokutaj: E gjithë kjo histori është gabim, sepse del jashtë çdo lloj arsyetimi, çdo lloj logjike. Po shikohet një dashuri e madhe, një afeksion shumë i madh ndaj emigracionit të huaj, ndërkohë që shpopullimi po bën kërdinë e sikur të mos mjaftonin vetëm këto, ndodhin edhe këto të tjerat, këto gabimet “inteligjente” të gjykatave dhe prokurorive, të cilat do t’i shpjegoj përmbledhtas.

Në fakt, në datën 23 tetor dhe në datën 26 tetor, respektivisht për z. Jamarbër Malltezi dhe për z. Sali Berisha, Gjykata Antikorrupsion ka marrë vendim për lejimin e masave të sigurimit sipas vendimit të datës 20 tetor, sepse më 20 tetor është marrë vendimi në mungesë: për z. Berisha, detyrim paraqitjeje dhe ndalim daljeje jashtë shtetit, ndërsa për z. Jamarbër Malltezi, ajo e arrestit në burg. Ky vendim është marrë në mungesë të tyre dhe me qëllimin pastaj për t’u ekzekutuar. Është bërë seanca dhe janë shpallur këto dy vendime. 

Pse e ngremë ne këtë kërkim?! 

Përveç gjykimit në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, posaçërisht për z. Berisha; përveç shkeljes së ligjit procedurial penal, përveç vazhdimit të gjykimit pa  u shqyrtuar kërkesa për përjashtim (pasi kishim depozituar një kallëzim për gjyqtaren e çështjes për shpërdorim detyre, pikërisht për shkakun se ajo i kishte lejuar vetes që të merrte një vendim pa e kaluar çështjen në një procedurë parlamentare siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, procedura penale, praktika e Kuvendit, jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut të të Drejtave të Njeriut, i gjithë kuadri ligjor pra) dhe duke ndezur një debat të madh juridik, nëse detyrimi për paraqitje për z. Berisha si dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit janë a jo heqje lirie apo heqja është kufizim apo kufizimi është heqje e lirisë - që në fakt të dyja janë cenim i lirisë. 

Mund të ndryshojë intensiteti i tyre, që arresti në burg është një heqje e plotë lirie, ndërsa masat e tjera janë një heqje, një privim i pjessshëm i lirisë, por që sigurisht kjo e obligonte gjykatën që pa bërë një interpretim të tillë, por në funksion të ligjit,  t’ia kalonte parlamentit. 

Parlamenti nëpërmjet Komisionit të Mandateve dhe seancës plenare të çmonte nëse duhej dhënë apo jo autorizim për z. Berisha, për gjykatën që caktonte këto masa. Pra, gabimin e parë e ka bërë SPAK që nuk i është drejtuar Kuvendit si në të gjitha rastet dhe pastaj, gjykata, që në vend t’ia kthente mbrapsht kërkesën dhe të ndiqte itinerarin juridik që shpjegova, ka gjykuar drejtpërdrejt.

Kjo nuk është shkelje rastësore, sepse shikoni, edhe SPAK e ka ditur që duhet të shkonte në Kuvend dhe duhet ta bënte drejtpërsëdrejti SPAK, pa vënë në lëvizje Gjykatën, por dhe Gjykata ka bërë sikur s’e ka kuptuar. Pra, këtu kemi një marrëveshje të ngushtë midis SPAK-ut dhe Gjykatës për të realizuar një procedurë të tillë antikushtetuese dhe antiligjore.

Iku kjo pjesë. Jua thashë edhe pjesën e përjashtimit të gjyqtares, e cila nuk mund të jepte, as të merrte vendim që nga momenti i ngritjes së kërkesës sonë për përjashtim pa u gjykuar kjo kërkesë nga një gjyqtar i asaj gjykate dhe ne jemi larguar. Është ajo historia e avokatëve kryesisht më pas dhe vijme të dita e djeshme. 

Në fakt, për z. Jamarbër Malltezi, vendimi duhej të depozitohej në datën 25 tetor, ndërsa për z. Berisha në datën 28 tetor dhe ky është obligim i gjykatës. Mosdepozitimi i vendimeve të arsyetuara të kësaj gjykate sjell bërjen nul të të gjithë zinxhirit të mëtejshëm procedural, pasi siç dihet, masat e sigurimit personal dhe masat shtrënguese lidhen me afate rreptësisht të përcaktuara, afate të shpejta sepse sigurisht janë dispozita, procedura që privojnë lirinë e shtetasve dhe për këtë arsye ligjvënësit kanë parashikuar procedura e afate rreptësisht të përcaktuara dhe të shpejta për të gjykuar pjesën e masës së sigurisë, e cila është një pjesë e procesit në tërësi. 

Ne kemi kërkuar, kemi bërë dhe kërkime për procesverbalin, se pavarësisht se u caktuan avokatë kryesisht, ne jemi avokatët e zgjedhur të z. Berisha dhe nuk ka avokatë të tjerë z. Berisha përveç atyre që Gjykata caktoi në kundërshtim me ligjin, sepse donte të mbaronte gjykimin pa respektuar kërkesat minimale për njohjen me aktet dhe këto parametrat e tjerë gjyqësorë dhe kërkimet e tjera që ne kishim bërë dhe më në fund, ne vendosëm që duke gjetur këtë shkelje, tjetër kjo, pas gjithë këtyre shkeljeve, vijon një shkelje tjetër.

Pra, nuk ka të sosur kjo Gjykatë në shkeljet e saj, të cilat ju i kuptoni, Gjykata Antikorrupsion është një gjykatë e posaçme ku presupozohet se janë ekspertët më të mirë të jurisprudencës shqiptare, bëjnë gabime të tilla, në rastin e z. Berisha, gëbime të tilla të cilat studentët e juridikut nuk u falet për t’i bërë. Sigurisht që ky është një vendim për të treguar sesi Gjykata nuk duhet të veprojë, është një vendim shembull në praktikën gjyqësore dhe çuditërisht, krejt rastësisht fare dhe për koincidencë, Gjykata mban vendimin dhe nuk e zbardh brenda 48-orëve për ta zbritur në Sekretari, me qëllim ekzekutimin e masës, me qëllim dhënien e të drejtës së mbrojtjes, të drejtën e ankimit se në qoftë se ajo do ta dorëzonte brenda 48 orëve, ne do të kishim mbaruar edhe gjyqin e apelit sot.

Kafe Shqeto: I gjithë opinioni publik është i qartë se ndaj z. Beisha dhe z. Malltezi po kryhen shkelje. Ndarja ndodh tek analistët pranë mazhorancës. Një pjesë e vogël e tyre thonë që “Rama dhe Berisha janë bashkë prandaj Rama po bën këto shkelje që ta ndihmojë Berishën që të dalë i pafajshëm!!! Një pjesë tjetër thonë që pavarësisht se po bëhen shkelje, procesi në themel është i rregullt, më në fund kemi drejtësi që guxon të shkojë te ish-Kryeministra!!! Pse po bën kaq shkelje amatore, ky sistem drejtësie që ka dalë nga një reformë ku presupozohet të kishte zgjedhur zgjedhur më të mirët, më të zotët, më të aftët, ata me më shumë integritet?!

Av. Gjokutaj: Po. Që ta mbyll edhe këtë shkurt fare, jo vetëm 48-orëshi, por është edhe dispozita që thotë se kur nuk ekzekutohet ose nuk shpallet vendimi brenda aftit, arresti e humbet fuqinë. Kështu, vetë dispozita e nenit 261, thotë që kur arresti e humbet fuqinë, urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit. Flas për z. Jamarbër Malltezi. Ndërsa për z. Berisha, për masat e tjera thotë, të sigurimit, vendoset heqja e tyre. 

Tani vijmë tek pyetja dhe ky është kërkimi ynë sot në gjykatë, në orën 10.  E para njëherë: ekspertët juridikë nuk mund të jenë pranë së majtës dhe pranë të djathtës se ka një Kod Procedure  për të gjithë. Dhe kjo shprehja që “Rama po bën gabim që Berisha të marrë pafajësinë”... Po në rastin e z. Jamarbër Malltezi, e ka futur në burg që të agravohet situata?! Dhe për çfarë?!

Është njësoj si të thuash që z. Rama iu ka shembur shtëpitë, ka shpronëzuar shumë vende të tjera për t’ua dhënë trojet të tjerëve persona me qëllim që këta pronarë të shpronësuar të ndihen më të lirë nga barra e pronës sesa po të kishin pronën e tyre!!!

Këto janë absurditete, muhabete kafenesh! Ajo që mbetet dhe që është dhe unë dua t’ia përcjell me shumë forcë opinionit publik, është fakti që këto shkelje nuk janë konstatuar më parë në praktikën gjyqësore ose të paktën unë nga praktika ime nuk kam parë shkelje kaq themelore në proces dhe këto shkelje dhe nuk janë shkelje të porositura nga Rama për t’i dhënë pafajësinë z. Berisha, por mund të ketë porosi nga Rama (i sqaroj ata ekspertë që aludojnë për një gjë të tillë) mund të ketë porosi nga Rama që autorizimi për z. Berisha, dhënia e autorizimit për detyrim paraqitje ose ndalimi i daljes shtetit- dy masa shtrënguese që synojnë në të njëjtën pikë, që i kërkojnë të paraqitet njëherë në dy javë kur ai njëherë në javë është në parlament (e kuptoni nonsensin ju të masës dhe si masë në vetvete) në të gjitha këto, po, mund të ketë Rama një porosi që kjo procedurë të mos kalojë në parlament sepse si gjithmonë, ai është personi që nuk merr kosto. Pra, do që guri të hidhet në vendin e duhur, po dora e tij të mos shihet. Kjo është një pjesë e luftës politike që ai ka filluar.

Ai ka kapur institucionet juridike, ai ka kapur mediat. Të gjitha këto konvergojnë në një pikë që puna të bëhet sipas vullnetit të tij, por kjo të paraqitet si një pasojë e zbatimit të ligjit në Shqipëri. 

Kjo është pjesë e skenarit të tij për pastrimin e rrugës për zgjedhjet e vitit 2025 , por ajo që dëmton më shumë nuk janë zgjedhjet politike apo pengimi i njërit apo tjetrit kandidat, por është për herë të parë,  për herë të parë, gjykata që u trumbetua si reformë në drejtësi, si drejtësi e re e cila do të zhdukte pandëshkueshmërinë dhe do të vinte procesin penal në shina juridike, ka përfunduar në një institucion që punon me mall të porositësit. 

Pra z. Rama ka një impakt të drejtpërdrejtë në këtë pikë dhe sigurisht bën përpjekjet e tij maksimale që e gjithë kjo aferë të mos i adresohet atij.

Kjo është e vërteta që ne duhet ta themi dhe në funksion të kësaj, gjykata në funksion të këtij qëllimi që është vënë dhe me vullnet të saj sigurisht, se nuk e detyron njeri me pistoletë në kokë, gjykata me zell bën këto shkelje, të cilat mundësojnë kamuflimin e procesit politik dhe shfaqjen e tij si një proces juridik dhe një risi në drejtësinë shqiptare ku ndëshkohen të pandëshkueshmit.

Por po flasim për këtë fazë të masave të sigurimit, ju do të shikoni shumë shpejt se çfarë është themeli i çështjes, që është një skandal më vete.

Imagjoni që z. Berisha është nën hetim, se nuk ka akuzë për të, është nën hetim për veprën penale të korrupsionit vetëm e vetëm sepse sipas SPAK-ut, z. Berisha, zbatimin e programit qeverisës kur ishte në pozicionin e Kryeministrit të Shqipërisë, zbatimin e këtij programi qeverisës e paska bërë për familjarët e tij dhe jo ashtu siç janë bërë ët gjitha reformat qeverisëse në favor të shtetasve sipas përkatësisë dhe objektit të vendimeve dhe ligjvënies. Dhe nëse do të hapet një praktikë e tillë që ministra, kryeministra, anëtarë qeverie të akuzohen për vendimmarrjet e tyre dhe vendimmarrja e tyre të shikohet në raport me familjarët e tyre dhe jo me pasojën që krijon ky vendim, me raportet që rregullon kjo çështje, nga e cila kanë përfituar me qindra dhe mijëra persona të tjerë, ky pastaj është një precedent tepër i rrezikshëm sepse ky precedent do të kthehet thjesht në një armë që do të targetojë sipas vullnetit politik cilindo që del përpara të fuqishmit, atij që është mazhorancë. Dhe përdorja e sistemit të drejtësisë për të arritur synimet politike, as më shumë dhe as më pak nuk ndryshon fare nga sistemi i drejtësisë së diktaturës sepse këtë punë bënte dhe diktatura. Kësaj radhe ka dhe avokatë, por siç po e shikoni, avokatët edhe zëvendësohen. Sigurisht që procesi sot nuk mund të jetë kaq retro si në kohën e diktaturës, do të ketë dhe ca rifinitura, ca “update” si këto që po ndodhin në Shqipëri.

Kafe Shqeto: Cili është fundi, për sa i takon kësaj çështjeje, z. Gjokutaj? Çfarë do të na shohin sytë më pas?

Av. Gjokutaj: Unë e kam quajtur “Proces surprizë” dhe “Gjykatë suprizë” sepse deri ne më sot ne kemi bërë kërkime ligjore dhe kemi dokumentuar shkelje. Pra, ne i jemi referuar dispozitave konkrete, ne nuk bëjmë politikë dhe ai që ka shkelur ligjin deri më sot nuk është as z. Berisha, as z. Jamarbër Maltezi; personat nën hetim nuk mund ta shkelin procedurën të cilën e trajton SPAK-u dhe Gjykata Antikorrupsion, prandaj ky kërkim dhe kjo seancë e sotme është një përpjekje e jona për ta vendosur këtë proces në shinat ligjore, pra për të mbërritur tek procesi i rregull ligjor sepse ne jemi të bindur që pa një proces të rregullt ligjor, ne nuk mund të arrijmë objektivin që kemi në këtë proces për të çliruar nga një akuzë e mundshme dhe nga hetimi, z. Berisha dhe z. Jamarbër Malltezi, sepse kjo çështje nuk ka lidhje me ndonjë penalitet apo me fajin ashtu siç pretendohet nga SPAK. /ar/sh/SYRI.NET
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco