EKSKLUZIVE/ Edi Rama propozoi shtet brenda shtetit me Asociacionin. Drafti franko-gjerman është tjetër

EKSKLUZIVE/ Edi Rama propozoi shtet brenda shtetit me Asociacionin. Drafti franko-gjerman është tjetër

20:14, 07/11/2023
A+ Aa A-

Në kulmin e tensioneve në Kosovë dhe në kohën kur kryeministri Edi Rama ishte kthyer në figurën më të urryer në opinionin publik në Kosovë, shefi i qeverisë shqiptare ftoi mediat në një konferencë për shtyp.

Ishte 8 qershor dhe Rama zbuloi se kishte gati një draft të Asociacionit, të cilin ua kishte dërguar kancelarive perëndimore.

Rama pranoi se nuk ishte konsultuar për këtë draft me qeverinë e Kosovës, sikundër nuk pranoi kurrë që ta bënte publik draftin e tij.

Por vetëm pas takimit në Bruksel, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte gati që të pranonte draftin e Asociacionit, Edi Rama në mënyrë tinëzare përdori mediat e tij në Shqipëri, për të publikuar lajmin se Kurti kishte pranuar draftin e tij.

Ishte vetëm një mashtrim i paskrupullt, por sipas opozitës qëllimi ishte sërish që të minohej procesi i negociatave, pasi Serbia dhe Aleksandër Vuçiç do deklaronin se nuk pranonin një draft të Shqipërisë, kur në fakt ai ishte propozim i Perëndimit.

Por tashmë edhe drafti i Edi Ramës është bërë publik dhe drafti i Asociacionit, të cilin kryeministri shqiptar e mbajti të fshehtë.

E shpjeguar me pak fjalë, Rama propozon me anë të këtij drafti një shtet brenda shtetit me Asociacionin. Drafti franko-gjerman, për të cilin Kurti u dakordësua dhe Vuçic nuk ka rënë akoma dakord, është mjaft i ndryshëm.

Neni 7 pika 1 thotë se Asociacioni e kryen aktivitetin e vet duke u bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e zbatueshme, në pikën 2 thuhet se trupat e Asociacionit do t’i respektojnë plotësisht të dyja gjuhët zyrtare, serbishten dhe shqipen, ndërsa në pikën 3 thuhet se Asociacioni do të jetë i liruar nga detyrimet dhe taksat mbi bazën e njëjtë si komunat pjesëmarrëse.

Në nenin 28 të statutit flitet për trupat e Asociacionit, i cili do të ketë Kuvend të Asociacionit, President, Nënpresident,  Këshill, Bord, Zyrë të Apelit dhe të Ankesave e Asociacionit/Bashkësisë. Në nenet në vijim përshkruhen në detaje kompetencat e secilit trup.

Në nenin 17- ku theksohen detyrat e deleguara- autorizimet e posaçme thuhet se Asociacioni do të veprojë si një Agjenci e Specializuar nën kompetencat e Zyrës së Kryeministrit.

Në nenin 18 thuhet se Asociacioni do të themelojë një trupë të përbashkët që do të ketë katër departamente.

-Departamenti për Zhvillim Ekonomik.

-Departamenti për Arsim.

-Departamenti për Shërbime të Kujdesit Shëndetësor.

-Departamenti për Planifikim Urban dhe Rural.

Asociacioni do ta ketë buxhetin e vet, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Në draft thuhet se Asociacioni do të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës, duke u mbështetur në bashkëpunimin e përbashkët dhe në ndarjen e të dhënave në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit, dhe në përputhje me sistemin ligjor të Kosovës.

Sipas nenit 26, pika 1: “Me anë të Nenit 79 të Kushtetutës, Asociacioni nuk është palë e autorizuar për të propozuar drejtpërdrejt legjislacion të ri”.

“Megjithatë, në mirëbesim, Zyra e Kryeministrit do të punojë me Asociacionin për t’i akomoduar interesat e nismave të tilla”, thuhet në këtë nen.

Neni 25 flet për raportin e Asociacionit me Policinë e Kosovës. Pika 1 e këtij thotë se Komandanti i policisë në Veri zgjidhet nga propozimet e kryetarëve të katër komunave.

“Komandanti i Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës që i mbulon katër komunat veriore (Severna Mitrovica/Mitrovicë e Veriut, Zvecan/Zveçan, Leposavic/Leposaviq dhe Zubin Potok) përzgjidhet nga një listë e nominimeve të paraqitur nga Asociacioni”.

Neni 39 i draftit përshkruan fushëveprimin e Kryeministrit në raport me Asociacionin.

Në pikën 2 thuhet: “Për ta siguruar pajtueshmërinë me Kushtetutën, ky Statut dhe ligjet e zbatueshme përkatëse, të gjitha Rregulloret e Posaçme dhe Vendimet Zbatuese do të kalojnë nëpër një shqyrtim administrativ nga Zyra e Kryeministrit. Procesi i shqyrtimit administrativ ndodh brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike pas dorëzimit të të dhënave nga Asociacioni. Vetëm pas një shqyrtimi pozitiv, këto vendime mund të zbatohen”.

Më tej theksohet se në rast të kontesteve mes dy palëve, fjalën e fundit do të thotë Gjykata Kushtetuese.

Me statutin e hartuar nga Edi Rama, Asociacioni ka kompetenca të plota “që të menaxhojë plotësisht institucionet ekzistuese të arsimit dhe të kujdesit shëndetësor të themeluara e të financuara nga Republika e Serbisë” deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

““Rrjeti Serb i Arsimit” do ta ketë të drejtën për të lëshuar diploma të dyfishta. Dizajni i diplomës (diplomës së Kosovës) të dhënë nga “Rrjeti Serb i Arsimit”, me anë të ligjeve të zbatueshme, do të rregullohet me një marrëveshje të ndarë mes ofruesit dhe autoriteteve kompetente. Instituti themelues në Republikën e Serbisë do të lëshojë një diplomë dublikatë (diploma serbe). Vendi i lëshimit të diplomës dublikatë është qyteti (në Republikën e Serbisë) ku ndodhen zyrat kryesore. Qeveria e Kosovës do ta trajtojë diplomën dublikatë si diplomë të huaj të vlefshme”, theksohet në këtë nen.

Sipas statutit, komunat (me shumicë serbe) që duan të bëhen anëtare themeluese të Asociacionit, jo më vonë se 7 ditë e njoftojnë me shkrim Kryeministrin e Kosovës për këtë qëllim.

Sipas nenit 6 pika 2: “Asociacioni është një Entitet i Posaçëm Ligjor i së Drejtës Publike, i themeluar me anë të Lex Specialis, “Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që e Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve””.

Asociacioni ka të drejtë të paditë dhe të paditet, ka të drejtë të ketë në pronësi prona të luajtshme dhe të paluajtshme, të ketë në bashkëpronësi entitete që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit, të bëjë kontrata, përfshirë kontratat e punësimit dhe të drejta të tjera.

Neni 10 thotë se Asociacioni do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë një stemë dhe një flamur në përputhje me ligjet e zbatueshme.

“Dizajni i këtyre simboleve duhet t’i pasqyrojë parimet e gjithë përfshirjes dhe respektin për të gjitha komunitetet etnike, fetare e të tjera”, thuhet në pikën 2 të nenit 10.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë draft-statutin e Asociacionit në gjuhën shqipe:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco