Kërkesa për njohje/ Zaimi: Hera e parë që Serbisë i bëhet kërkesë e qartë nga niveli më i lartë i udhëheqjes së BE

Kërkesa për njohje/ Zaimi: Hera e parë që Serbisë i bëhet kërkesë e qartë nga niveli më i lartë i udhëheqjes së BE

11:46, 02/11/2023
A+ Aa A-

Nga Arbër Zaimi

Kërkesa për njohje de facto të Kosovës është tashmë e thënë nga Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni si dhe Ursula Von der Leyen e Charles Michel.

Është hera e parë që Serbisë i bëhen haptazi kërkesa të tilla, pa ambiguitet, në një nivel kaq të lartë (Evropa nuk ka nivel më të lartë se kaq).

Pse ka rëndësi kjo?
1. Sepse njohja de fakto është e kuptuar si fazë e përkohshme drejt njohjes formale, dhe nuk ka asnjë kuptim tjetër.

2. Sepse njohja de fakto do të thotë pranim i funksionimit të Kosovës si shtet, në raportet ndërkombëtare por edhe në raportin e brendshëm.

Cili ishte reagimi i parë i Vuçiqit?
Ai doli nga takimi me liderët evropianë dhe deklaroi nga Brukseli se nuk e pranon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe as integritetin territorial të Kosovës. Mospranimi i integritetit territorial është kërcënim i drejtpërdrejtë për agresion, sidomos kur thuhet nga një vend kufitar.

Cili ishte reagimi i dytë i Vuçiqit?
Ai nisi një fushatë ku përditë publikohet në media të ndryshme nga një “draft-statut” ekskluziv për Asociacionin. Synimi është i qartë, të hiqet edhe një herë presioni nga Serbia e cila nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjet, dhe të vendoset te Kosova.

Por, tashmë drejtuesit evropianë e dinë se Kurti ka ofruar nënshkrim për marrëveshje, por jo marrëveshje pa nënshkrim të dyanshëm. Pra, nuk ka asnjë draft të pranuar nëse nuk ka nënshkrim të dyanshëm, dhe të tillë nuk ka për faj të Serbisë. Megjithatë, fushata për publikime “draft statutesh” do të vazhdojë sepse Vuçiqit i duhet ta paraqesë veten si “të fortë” dhe Kurtin si “problematik”, pavarësisht se takimi i fundit në Bruksel dëshmoi të kundërtën. Do të publikohen pra edhe në shqip “draft-statute” edhe pse cilido që ka njohuri elementare juridike e di se ato që po publikohen as që ngjajnë me dokumente të llojit statutor. Edhe pse do të ishte më e natyrshme për shqiptarët ta vinin theksin te pengesa e vërtetë e normalizimit, që është obligimi i Serbisë për njohje de fakto të Kosovës.

Cili ishte reagimi i tretë i Vuçiqit?
Në 1 nëntor ai shpalli zyrtarisht zgjedhjet qeveritare që do të mbahen në 17 dhjetor 2023. Pra, nuk priti të bëhen as dy vite prej zgjedhjeve të kaluara, që janë mbajtur në 2022. Vuçiqi e ndjen se presioni evropian tashmë është shtuar shumë, dhe kërkon të blejë kohë.

Me zgjedhjet serbe në dhjetor ai blen tre-katër muaj kohë, pastaj do të jenë zgjedhjet parlamentare evropiane në pranverë, pastaj do të jenë zgjedhjet në Gjermani në qershor, e më pas zgjedhjet amerikane në nëntor. Aty i ka shpresat Vuçiqi, që të shpëtojë nga presioni aktual.
Por

Mund të ketë surpriza. Vuçiqi mund t’i humbë zgjedhjet qeveritare, dhe të mbetet president pa mbështetjen e qeverisë. Ekziston një mundësi e tillë. Mund të ketë edhe surpriza të tjera, për të gjitha palët, andaj duhet vëmendje e shtuar.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco