'Gjyqi i hapur si rikthim në komunizëm, pamja që të afron sot procesi kundër Berishës dhe Malltezit'

'Gjyqi i hapur si rikthim në komunizëm, pamja që të afron sot procesi kundër Berishës dhe Malltezit'

09:25, 28/10/2023
A+ Aa A-

Nga Erion Dasho.

Brezi im është brezi i fundit që ka përjetuar gjyqet e popullit në komunizëm. Një fajtor i paracaktuar, një grup hetuesish kriminelë, një gjykatës gjakatar, një sallë e indoktrinuar dhe e eksituar dhe, shpesh, edhe një turmë tuhafësh jashtë sallës që ndiqnin tragjikomedinë nëpërmjet altoparlantëve.

Këto gjyqe kishin mision jo thjesht ndëshkimin e "fajtorit" (kryesisht me prova të stisura dhe të manipuluara), as edhe farkëtimin e mëtejshëm të imazhit të partisë "syshqiponjë" e "grushtçelik", por në radhë të parë krijimin e një klime terrori që askujt të mos i shkonte mendja jo më të vepronte e të fliste, por as të mendonte kundër partisë dhe qoftëlargut.

***

Të njëjtën pamje ofron sot gjyqi kundër Berishës dhe Malltezit.

Provat e qepura shkel e shko nga hetuesit e SPAK, gjykatësit e partisë që bezdisen nga avokatët dhe mundohen të rikthejnë dekadat kur ky profesion që demokratizon procesin gjyqësor, ishte i ndaluar dhe anatemuar, fajtorët e paracaktuar dhe, mbi të gjitha, turma e eksituar jo më në sallën reale, por në atë virtuale që kërkon me afsh dënimin e armiqve të partisë.

Dhe çuditërisht paralelizmi shkon deri në detajet më të imta. "Fajtori" duhet të linçohet publikisht, por pa i dhënë mundësinë të flasë e të mbrohet.

Konferencat për shtyp të Berishës transmetohen të cunguara ose të montuara sipas oreksit nga portalet e Karlove dhe Merove, thjesht sa për të gjetur "prova" dhe "argumentë" të tjerë të "fajësisë".

Kulmi arriti duke i mohuar Berishës të drejtën për të mbrojtur veten në sallën e parlamentit!

Nëse SPAK dhe GJKKO do të ndiqnin procedurën kushtetuese që parashikon kërkesën për heqjen e imunitetit, Berisha dhe opozita do të kishin dy forume të cilat normalisht do të ktheheshin në salla debati dhe avokatie, çka shihet si rrezik nga partia dhe Borati.

Diskutimi në Komisionin e Mandateve dhe, më pas në Sallën Plenare duhet të transmetohet live dhe trushpëlarët nuk do të dëgjojnë vetëm të "vërtetat" e Karlove dhe Merove, por edhe argumentet ligjorë të Berishës dhe demokratëve.

Me sa duket, kjo duhet ndaluar me çdo kusht!

***

Kujtdo që ka pasur dyshime se ndoshta SPAK nuk ishte vegël politike e partisë, tashmë i është davaritur çdo dyshim.

Nëse SPAK do të ishte thjesht një mekanizëm ligjor, nuk do të kishte shkelur kaq hapur dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën vetëm e vetëm për t'i mundësuar partisë-shtet një gjyq të hapur dhe linçues.

Shqiptarëve nuk u nevojitet një "drejtësi" e tillë. E patën një të ngjashme për 45 vjet dhe e hodhën në koshin e historisë para 33 vjetësh. Sikundër 33 vjet më parë, edhe sot ka ardhur koha që qytetarët të marrin në dorë fatet e tyre nëpërmjet protestave dhe mosbindjes civile.

Jo për Berishën dhe Malltezin, por për vete dhe për fëmijët e tyre!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco