Strazimiri: Është plan politik, këtyre iu duhet Sali Berisha i izoluar, i kufizuar, i kontrolluar!

Strazimiri: Është plan politik, këtyre iu duhet Sali Berisha i izoluar, i kufizuar, i kontrolluar!

10:47, 27/10/2023
A+ Aa A-

Z. Gent Strazimiri, anëtar i Kryesisë së PD-së, ka bindjen e plotë se pushteti i Edi Ramës po pengon me të gjitha format, paraqitjen para gjykatës të Kryetarit të PD, deputetit Sali Berisha, pavarësisht hetimit që kanë nisur vetë ndaj tij për rolin si ish-Kryeministër në privatizimin e terreneve sportive të Klubit Sportiv Partizani.

Strazimiri i ka mëshuar vazhdimisht misterit që po endet në opinionin publik se cila është arsyeja, përse SPAK-u nuk i kërkon Kuvendit, autorizim për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha.

“Cili është problemi që nuk e çon letrën në Kuvend edhe sikur të mos e kishe detyrimin ta çoje?! – ngriti pyetjen Strazimiri. -  A mos ka mazhorancën në Kuvend, Sali Berisha dhe ke hall se Kuvendi ta rrëzon dhe Sali Berishën nuk e kap dot?!”

Në një intervistë në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, z. Gent Strazimiri ka argumentuar sot se pushteti nuk do asgjë tjetër përveçse një lider të opozitës, si Sali Berisha, të izoluar dhe të kontrolluar.

“Unë besoj se dalëngadalë po bëhet më i qartë mozaiku, - tha Strazimiri. -  Këta thjesht nuk e duan Sali Berishën në gjyq, këta nuk kanë asnjë provë, kanë 200 faqe me broçkulla. Këta nuk e duan Sali Berishën në gjyq, këta nuk e duan Sali Berishën të sqarohet, këta nuk e duan Sali Berishën t’i sqarojë për akt-akuzën. Flas për rastin e gjykatës. Vendimin e kanë marrë, tashti po bëjnë vetëm letrat dhe nuk iu intereson nëse thërrasin “në mbrojtje” të Sali Berishës, kundërshtarët e tij, ithtarët e regjimit të Enver Hoxhës apo dhe persona qartësisht dement apo me shëndet jonormal mendor. Këtyre thjesht iu duhet një Sali Berishë që të mos jetë aktiv, një Sali Berishë i detyruar dhe “i kontrolluar” me ligj, në mënyrë që të mos arrijë të zhvillojë dot aktivitetin e tij politik.

Pse e them këtë?! E them këtë sepse në rastin konkret kanë hapur një debat idiot nëse duhet që ndaj tij, Sali Berishës, të merret një masë sigurie duke i marrë leje parlamentit apo duke mos i marrë leje parlamentit... a është e nevojshme të përfshihet parlamenti në këtë histori.... Logjika që nxjerrin dhe që është një logjikë idiote është se këta nuk po ia heqin lirinë duke e arrestuar, por këta thjesht po “ia kufizojnë” duke i marrë pasaportën dhe duke i krijuar një detyrim për paraqitje.

Në momentin e parë duket si një koncept juridik dhe goxha i thelluar.

Këtë koncept juridik që është i saktë si një e një që bëjnë dy, është shkencë ekzakte praktikisht, e ka sqaruar Gjykata e Strasburgut në vitin 2011 dhe veçanërisht për masat e sigurisë kur thotë, bazuar në artikullin 5 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, paragrafi i parë, se çfarë është liria individuale; a mund të kufizohet apo të hiqet liria individuale; a ka dallim midis heqjes dhe kufizimit të lirisë individuale në rastin e masave të sigurisë. Thotë se “nuk ka asnjë dallim, as në natyrë, as në përmbajtje, ndryshon vetëm forma” dhe e ka bërë këtë pikërisht që organet represive të shtetit si prokuroria apo gjykata të mos guxojnë të kufizojnë qoftë edhe për disa orë lirinë e një qytetari të thjeshtë. Bëhet fjalë për qytetarin e thjeshtë!

Imagjinoni se si konceptohet i njëjti interpretim, i njëjti përkufizim në Gjykatën e Strasburgut për një qytetar, deputet, domethënë me cilësi të cilësuara, i mbrojtur veçanërisht nga një instancë sovrane që është Kuvendi, në rastin konkret Kuvendi i Shqipërisë! 

Sigurisht që gjykata këtë e di, sigurisht që prokuroria këtë e di, prandaj them që ata po e shkelin për mendimit tim, sipas një plani politik, aspak juridik! Nuk po pyesin më a po shkelet ligji apo nuk po shkelet ligji, këta thjesht po bëjnë letrat. Këtyre iu duhet Sali Berisha i izoluar, i kufizuar, që të mos kryejë aktivitetin e tij politik. Këta vetëm në gjykatë për t’u paraqitur, për të çmontuar akuzën që ka paraqitur Prokuroria, këta Sali Berishën nuk e duan!

Kështu që nuk jemi në një situatë juridike, ka elementë komikë siç ishte rasti i dy avokatëve, por jemi në kufijtë e një tragjedie. Jemi në kufijtë e një tragjedia, se këtu nuk bëhet fjalë për fatin e individit Sali Berisha, këtu bëhet fjalë për demokracinë në Shqipëri, për rendin kushtetues. Heqja e lirisë në çfarëdolloj forme – thotë Kushtetuta – është e ndaluar në qoftë se Kuvendi nuk jep leje për një deputet të Kuvendit.

Gjykata e Strasburgut e ka sqaruar dhe thotë që – heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, ka vetëm dallime të shkallës së heqjes së saj, por jo në natyrë dhe në përmbajtje -  dhe këta nuk pyesin për këtë punë.

Do të marr një variant krejtësisht praktik. Ta zëmë se Sali Berisha për kapriçio thotë jo, nuk vij, dua t’i bëni kërkesë Kuvendit dhe Kuvendi të japë leje që unë të vij atje. Ta zëmë se është ky varianti.

Cili është problemi që nuk e çon letrën në Kuvend edhe sikur të mos e kishe detyrimin ta çoje?! Ka mazhorancën në Kuvend, Sali Berisha dhe ke hall se Kuvendi ta rrëzon dhe Sali Berishën nuk e kap dot?!

Jo, nuk është kështu! Kuvendi, që është SPAK-u praktikisht, mezi po pret me gojën e të parit të tij që drejton mazhorancën, që Sali Berisha të shkojë në gjykatë.

Ka pesë ditë, e gjashtë ditë sot, që vetëm këtë veprim nuk e bëjnë, që e kanë të detyrueshme për ta bërë, vetëm këtë veprim nuk e bëjnë, që të mos ketë mundësinë Sali Berisha që të paraqitet në gjykatë.

Ka dhe një element tjetër. Në qoftë se Sali Berisha vetë, vullnetarisht do të shkonte në SPAK, pa pasur nevojë fare të shkonte te Kuvendi, siç ka thënë vetë, unë nuk i njoh vetes asnjë imunitet, edhe në këtë rast aktet procedurale do të ishin të pavlefshme. Po ashtu sipas një interpretimi të Strasburgut, në mos gaboj të një vendimi të vitit 2006 për rastin e një deputeti turk, i cili ka shkuar vullnetarisht dhe pa pritur që të jepej autorizimi Kuvendit, Gjykata e Strasburgut i ka konsideruar aktet procedurale të pavlefshme!

Pse?! Sepse institucioni imunitetit është një institucion që i përket parlamentit, institucioni i sovranit në një shoqëri. Secili prej deputetëve anëtarë të parlamentit, e mbart personalisht, përkohësisht dhe është i detyruar ta ruajë, nuk është e drejtë thjesht e tij, është i detyruar ta ruajë këtë imunitet të paprekshëm sepse në këtë mënyrë ruan rolin dhe sovranitetin e parlamentit në Kuvend.

Të gjitha këto që iu thashë gjykata i ka të qarta, prokuroria i ka të qarta, atyre thjesht iu duhet një Sali Berishë që të jetë i izoluar diku, i kontrolluar prej tyre dhe vetëm në gjykatë ai nuk duhet të paraqitet.”/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco