Rëndësi të jashtëzakonshme për drejtësinë shqiptare, heqja e 'non grata's britanike për Berishën Gazetari i 'Radio France', Genc Burimi

Rëndësi të jashtëzakonshme për drejtësinë shqiptare, heqja e 'non grata's britanike për Berishën

11:43, 25/10/2023
A+ Aa A-

Gazetari i “Radio France”, Genc Burimi, e konsideron të një rëndësie të jashtëzakonshme lajmin se Britania e Madhe është gati për ta revokuar përcaktimin “non grata” për liderin e opozitës shqiptare, z. Sali Berisha.

Z. Burimi, në një intervistë nga Parisi për emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, e pa këtë në veçanti nga aspekti i shtetit ligjor që supozohet se ka vetë Shqipëria, një vend demokratik. 

 “Ky nocion “non grata”, - komentoi gazetari, -  njihet vetëm për ato vende ku nuk ka drejtësi: Kinë, Iran, Afganistan, Kore e Veriu, Rusi. Po, për këto vende, “non grata” amerikane apo “non grata” britanike ka rëndësi, sepse u kujton këtyre e vendeve që ju nuk doni t’i gjykoni ata funksionarë të korruptuar se nuk ka drejtësi... Por të bësh “non grata” Berishën nga Shqipëria, ku nga vetë këta britanikë e amerikanë konsiderohet se ka një shtet të së drejtës, është një ofendim, një poshtërim jo vetëm për ata që bëjnë “non grata”, por për vetë drejtësinë shqiptare.”

Moderatori i “Kafe Shqeto”,  Flavio Qarri, ndër të tjera i drejtoi sot gazetarit shqiptar të ”Radio France” këtë pyetje:

“Gazetarja Anduela Llabani dje tha se Anglia ishte gati për ta revokuar përcaktimin “non grata” për Sali Berishën. Çfarë lloj zhvillimi është ky, çfarë do të sillte në këto momente për Sali Berishën dhe një hamendësim, nëse ndikon kjo çështje apo jo?”

Dhe reagimi i z. Burimi ishte: “Do të ishte e jashtëzakonshme. Sigurisht ndikon, sepse edhe njëherë, në Shqipëri sot nuk jemi më ...Duhet të kuptoni se me këtë që po ndodh në Shqipëri nuk jemi në kuadrin e një procedure normale penale. Jemi thjesht në kuadrin e një shou. Pra, meqenëse është shou, në qoftë se shqiptarët mashtrohen me shou, atëherë...

Nëse Britania e Madhe, nëse e thoni ju, e tërheq “non grata”n dhe kjo sigurisht është shumë e rëndësishme sepse pikërisht ata që ushqeheshin me shou sot, do të ushqehen prapë me shou nesër, për të treguar që nuk ka kuptim kjo gjë. “Non grata” e vë sot e heq nesër, nuk ka kuptim, sepse “non grata” është....Si të thuash, SPAK-u sot është në vazhdimin e “non grata”s, në vazhdimin e diçkaje jolegale.

Dua të them diçka. Atë natë, të shtunën, kur u arrestua Malltezi në aeroport dhe isha në një emision live dhe më marrin në pyetje se çfarë mendoja e akoma nuk kishin arritur imazhet, gjënë e parë që bëra si koment e bëra në emër të shtetit të së drejtës. Dhe thashë: Shiko nga diçka e keqe - sepse sigurisht që të marrësh vesh një lajm të tillë kështu , një arrestim të shtunë në darkë, s’më dukej normale. Dhe këtu në Perëndim, sa herë ke diçka që bëhet të shtunave, gjithmonë dihet te ne kur bëhet një akt gjyqësor ndaj sferës së lartë politike gjatë uikendit, dihet fare mirë që ti e bën për të krijuar një lloj shou - dhe thashë që “nga kjo e keqe ka diçka të mirë, sepse më në fund po hyjmë në një lloj normaliteti. Më në fund ky emër i Berishës po i shkulet Amnerikës, po i shkulet “non grata”s dhe po vjen në nivelet  e tij shqiptare. Dhe, ende nuk e kisha parë dosjen në atë moment.

Këtë koment kam dhe tani: Nëse britanikët e heqin nocionin “non grata”, është një kthim në normalitet. “Non grata” nuk duhet të ekzistojë, nuk duhet të ekzistojë në sistemin e drejtësisë së një vendi demokratik.

Amerikanët mund ta bëjnë për vendin e tyre. Britanikët po ashtu, domethënë s’kanë qejf që Flavio të shkojë të bëjë shooping në Londër, po është e drejta e tyre. Por që të vijnë në pastaj e thonë që Flavio, jo vetëm të mos vijë të bëjë shooping në Londër apo në Nju Jork, po s’dua po ashtu që Flavio edhe të punojë si gazetar në Shqipëri!!! Se këtë po i bëjnë Berishës ata, këtë bën Juri Kim.

Amerika jo vetëm që s’u mjaftua të thoshte se te mua ai nuk vjen ( ok, e drejta e Amerikës), po vjen dhe thotë në Shqipëri ai të mos bëjë politikë! “Mos të bëjë politikë”! Dhe kjo është e papranueshme në konceptin e shtetit të së drejtës. Ç’punë ka një ekzekutiv i huaj, qoftë ky dhe i një vendi aleat, pa prova, pa diçka të thotë kush duhet të bëjë politikë, kush s’duhet të bëjë politikë?!

Dhe kjo është tepër e rëndësishme nëse britanikët, një vend evropian, një vend që e ka njohur demokracinë shumë më herët sesa Amerika, 20 shekuj më herët se Amerika, të dëshmojë që shteti i së drejtës nuk do ta njohë këtë “non grata”.

Ky nocion njihet vetëm për ato vende ku nuk ka drejtësi, Kinë, Iran, Afganistan, Kore e Veriu, Rusi. Po, për këto vende, “non grata” amerikane apo “non grata” britanike ka rëndësi, sepse u kujton këtyre vendeve që ju nuk doni t’i gjykoni ata funksionarë të korruptuar se nuk ka drejtësi.

Por të bësh “non grata” Berishën nga Shqipëria, ku nga vetë këta britanikë e amerikanë konsiderohet se ka një shtet të së drejtës, është një ofendim i këtyre, një poshtërim jo vetëm për ata që bëjnë “non grata”, por për vete drejtësinë shqiptare.”/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco