SYRI TV/ Veliaj - Sako, 400 mijë euro në ditë për Sharrën, nuk ndalen pagesat për Zoto - Mërtirin

14:30, 18/10/2023
A+ Aa A-

Teksa SPAK vijon hetimet me ende asnjë zyrtar të arrestuar për inceneratorin e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kolegia e tij në Durrës, Emirjana Sako, vijojnë pagesat mujore për kompaninë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Në datën 10 tetor, Bashkia e Tiranës dhe ajo e Durrësit kanë paguar në total 400 mijë euro pagesa për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Ndërkohë, që prej muajit gusht kur kompania u vu nën sekuestro, Integrated Energy ka përfituar 3 milionë euro pagesa nga bashkitë për mbetjet.

Nga SYRI TV

Hetimet që po zhvillon Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit nuk ka ndalur aspak Bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit për të vijuar me pagesat abuzive ndaj kompanisë koncesionare të plehrave të Sharrës.

Brenda një dite të vetme, në 10 tetor 2023, kryebashkiakët Erion Veliaj dhe Emirjana Sako, kanë derdhur në llogaritë e kompanisë me pronarë Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin pak më shumë se 400 mijë euro.

Pak javë më parë, Bashkia e Tiranës mori fonde të parashikuara për infrastrukturën arsimore, me qëllim që të paguajë faturën e fryrë të depozitimit të mbeturinave në Sharrë.

Ndërsa Bashkia e Durrësit ende nuk ka shfaqur probleme për këto fatura, pasi ka parashikuar fonde të fryra që në fillim të vitit 2023.

Kompania “Integrated Energy bv” është nën sekuestro që prej 1 gushtit të këtij viti, në vijim të hetimeve që po kryen SPAK-u për korrupsion dhe pastrim parash.

Që nga momenti i sekuestrimit e deri më tani, në llogaritë e koncesionarit janë arkëtuar mbi 3 miliardë lekë të vjetra ose rreth 3 milionë euro, ku peshën më të madhe e mbajnë bashkitë e Tiranës dhe Durrësit.

Kontrata koncesionare e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë off-shore, me pronarë të fshehur Zoton e Mërtirin, parashikon që bashkitë do të paguajnë 29 euro për ton mbeturina.

Kjo tarifë përfshin depozitimin, ndarjen e mbeturinave dhe incerimin e tyre.

Kompania koncesionare nuk ka kryer asnjëherë djegien e mbetjeve, pasi nuk ka ndërtuar inceneratorin, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen abuzive të faturës për institucionet publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi një vit më parë që qeveria dhe Bashkia e Tiranës të negociojnë me kompaninë koncesionare për të ulur çmimin e faturës, për shkak se shërbimi nuk kryhet i plotë. Ky rekomandim është injoruar deri më tani, edhe pse kompania menaxhohet nga një administrator i Agjencisë Shtetërore të Sekuestrimeve dhe Konfiskimeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco