Presidenti i Këshillit Evropian, thirrje Serbisë e Kosovës: Mos i lini fantazmat e së shkuarës t’ju vjedhin të ardhmen!

Presidenti i Këshillit Evropian, thirrje Serbisë e Kosovës: Mos i lini fantazmat e së shkuarës t’ju vjedhin të ardhmen!

12:51, 16/10/2023
A+ Aa A-

"Nuk ka asnjë bashkëpunim pa pajtim! Nuk ka një të ardhme të qëndrueshme pa pajtim dhe të gjithë e dimë që pajtimi kërkon kurajë politike dhe fokus të sinqertë tek e ardhmja."

Nga fjala e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë:

“Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në Ballkanin Perëndimor e megjithatë ka qenë një  rrugë mjaft e ngadaltë, shumë e ngadaltë, zhgënjyese për ju në rajon dhe për ne në Bashkimin Evropian. Por tashmë të gjithë e dimë, të gjithë e ndiejmë që është koha për ta arritur premisën tonë, për ta realizuar këtë premtim.

Natyrisht që na duhet të bëjmë shumë që të jemi gati nga të dyja palët.

Partnerë dhe miq tanë në rajon! Ju e dini që ju duhet të realizoni angazhimet tuaja duke nisur me reformat e nevojshme e ne në BE duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj.

Në mënyrë të përsëritur mendoj, besoj se duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030-ën për t’u zgjeruar dhe e di që ky afat është hasur me disa skepticizma në rajonin tuaj sepse keni pritur për një kohë të gjatë dhe e di që e keni krahasuar zgjerimin me një nuse, dhëndri i së cilës nuk vjen asnjëherë në dasmë. Megjithatë, ne po e përgatisnim “dasmën”.

Në BE, zgjerimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në meritë dhe në fakt duhet të nisë e duhet të bëjnë gjërat të lëvizin, duke qenë se është e nevojshme nëpërmjet bërjes së reformave nga ana juaj dhe gjithashtu edhe nga ana jonë për të nisur debatin serioz për të ardhmen e BE-së.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka përqendruar vëmendjen tonë tek gjeopolitika e zgjerimit, tek rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Asnjëherë më shumë se kurrë nuk duhet të rrimë krah për krah si sot për të mbështetur me të drejtë, popullin e Ukrainës dhe ne së bashku me ju, Ballkanin Perëndimor në zemrën tonë, do të jemi më të fortë.

Do të jemi më të fortë për të vendosur standarde për të bashkuar me partnerët tonë, për të nxitur interesat tona dhe mbrojtur vlerat e përbashkëta.

Ju e keni bërë objektivin tuaj të anëtarësimit në BE, të qartë si kristal shumë herë dhe duam që ju të keni sukses, t’ju mbështesim në këtë rrugëtim.

Pra, si do ta bëjmë këtë realitet së bashku?!

Së pari, përmes integrimit gradual në politikat e BE-së. Përfitimet kësisoj do të ndihen më shpejt nga qytetarët tuaj edhe gjatë procesit të anëtarësimit...

Së dyti, edhe përfundimi, realizimi i tregut të përbashkët rajonal do ta nxitë këtë lloj integrimi, ta bëjë më shumë tërheqës për investime dhe kam shumë kënaqësi që një marrëveshje e re për njohjen e kualifikimeve do të nënshkruhet sot. Shpresoj fort që edhe tre marrëveshjet e lëvizshmërisë që janë nënshkruar do të ratifikohen nga të gjitha palët sepse do të jenë në përfitim qoftë të Ballkanit Perëndimit, qoftë edhe të BE-së.

Së fundi, zonja e zotërinj, e fundit në radhë por jo nga rëndësia: Nuk mund të lëmë konfliktet dypalëshe të na mbajnë peng! Zgjidhja e tyre mund të jetë më e dhimbshme se reformat, por duhet bërë! Mos i lini fantazmat e së shkuarës t’ju vjedhin të ardhmen! Në fakt, tensionet midis Serbisë dhe Kosovës e kanë sjellë sërish këtë në vend të parë. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa pajtim! Nuk ka një të ardhme të qëndrueshme pa pajtim dhe të gjithë e dimë që pajtimi kërkon kurajë politike dhe fokus të sinqertë tek e ardhmja.

Fokus tek e ardhmja: kjo do të jetë fryma për këtë samit e për samitin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor  që do të zhvillohet në Bruksel.

Qytetarët tanë, sidomos të rinjtë tanë, duan një të ardhme më të ndritshme dhe optimiste. Sigurisht që ne mund të bëjmë realitet.”  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco