Fakti që Ramës iu desh ta varroste Ballkanin e Hapur e t'i kthehej 'Berlinit' - fitore e forcave proevropiane

Fakti që Ramës iu desh ta varroste Ballkanin e Hapur e t'i kthehej 'Berlinit' - fitore e forcave proevropiane

10:25, 16/10/2023
A+ Aa A-

Znj.Ilda Zhulali, një diplomate karriere, e ka vlerësuar mjaft Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet sot në Tiranë, si një dëshmi së pari që Bashkimi Evropian nuk e ka hequr vëmendjen nga Ballkani Perëndimor.

E pyetur sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, znj. Zhulali e cilësoi mbajtjen e këtij samiti në Tiranë edhe një fitore të vogël të forcave proevropiane shqiptare. 

“Fakti që Kryeministrit brenda 6 muajve iu desh të bënte një ndryshim 180gradë, - tha ajo, - pra ta varroste apo ta balsamoste Ballkanin e Hapur dhe t’i rikthehej rrugës normale të Procesit të Berlinit është një fitore e vogël në një farë mënyre, por e rëndësishme e gjithë forcave pro-europiane që duan ta shikojnë të gjithë këtë rajon të integruar në BE ”.

Pjesë nga intervista e znj. Ilda Zhulali:

“Zhvillimi i këtij takimi është i rëndësishëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e sigurisë ku ne ndodhemi është një ngjarje që tregon se BE vazhdon të tregojë kujdes për hapësirën e vet kontinentale dhe  pse jo edhe politike, që është Ballkani.

Duke qenë se jemi ende në kushtet kur po vazhdon lufta në Ukrainë, ndërkohë që po ndiqet një vatër e re konflikti në Lindjen e Mesme, në Izrael dhe fqinjësinë e tij, ku Bashkimi Evropian do të duhet të kushtojë edhe aty vëmendje politike, financiare dhe ushtarake, është shumë e rëndësishme për ne që BE nuk e ka humbur vëmendjen nga Ballkani Perëndimor. Përkundrazi, zhvillimi i këtij takimi në Tiranë tregon që ne vazhdojmë të jemi përparësi në këtë axhendë. Kështu që në kuptimin politik kjo është një ngjarje e rëndësishme për të gjitha vendet tona.

Është po ashtu e rëndësishme që ka vazhdimësi Procesi i Berlinit sepse ne kemi parë përgjatë disa viteve të paktën 5 vitet e fundit, një përpjekje nga Kryeministri ynë (fatkeqësisht) dhe Presidenti serb, për ta rivalizuar Procesin e Berlinit dhe procesin e integrimit evropian me një nismë rajonale të Ballkanit të Hapur, ku të përjashtuarit e mëdhenj ishin Kosova dhe Bashkimi Europian.

Fakti që Kryeministri brenda 6 muajve iu desh të bënte një ndryshim 180 gradë, pra ta varroste apo ta balsamoste Ballkanin e Hapur dhe t’i rikthehej rrugës normale të Procesit të Berlinit është një fitore e vogël në një farë mënyre, por e rëndësishme e gjithë forcave pro-europiane që duan ta shikojnë të gjithë këtë rajon të integruar në BE dhe jo ta rivalizojnë të ardhmen me nisma të tjera, të cilat nuk kanë prodhuar asgjë të mirë për Ballkanin, për vetëm vatra të hapura konflikti.

Po ashtu është e rëndësishme, një ngjarje për t’u përshëndetur edhe hapja e degës së Kolegjit të Evropës në Shqipëri , që është një tjetër mbështetje për Shqipërinë dhe të rinjtë shqiptarë, një përpjekje e Bashkimit Europian që të rinjtë shqiptarë ta shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane në Shqipëri.

Në këtë kontekst, si samiti, si hapja e degës së universitetit janë për t’u përshëndetur dhe do të duhej që Kryeministri shqiptar të ndiqte interesin më të mirë të Shqipërisë dhe të rajonit në axhendën e këtij samiti, të mos ta përdorte atë për të bërë “tallave” politike, siç është mësuar ai ta bëjë, siç e qesharakëzoi në një farë mënyre edhe atë, a thua se BE ka mbetur ka mbetur për të ngrënë në gostitë e Tiranë apo t’ia përveshësh këtë fytyrës së shqiptarëve, që janë një nga popujt më të varfër të Evropës që i afrojnë ceremoni super-galante liderëve evropianë. Ne kemi parë që samitetet evropiane që zhvillohen në vendet anëtare të BE nuk kanë asnjë nga këto zbukurimet folklorike dhe shou-t që bën kryeministri ynë, por përqendrohen tek pikat e diskutimeve të cilat do të kenë impakt për qytetarët.

Ne deri tani kemi parë disa çështje të rëndësishme që do të diskutohen , kemi pasur dy takime të nivelit të ministrave, që ka qenë ai për çështjet e brendshme, ku pikë kryesore është lufta kundër krimit të organizuar.

Veçanërisht për Shqipërinë ky është një problem madhor dhe kjo është një nga çështjet që është diskutuar në kuadër të Procesit të Berlinit.  Po ashtu edhe në kontekstin e ministrave të Jashtëm, çështjet e sigurisë janë përparësore.”/ar.sh/SYRI.NET

*Ilda Zhulali ka përfunduar me meritë studimet pasuniversitare për Diplomaci në Universitetin e Oksfordit, si bursante Chevening, dhe është diplomuar me medalje ari për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin Amerikan të Selanikut.

Ilda Zhulali ka një përvojë 22 vjeçare si diplomate karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si këshilltare e dy Presidentëve të Republikës. Ajo është anëtare e bordit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe drejtuese e departamentit të marrëdhënieve me jashtë në Partinë Demokratike.

Znj. Zhulali ka qenë pjesë e ekipit drejtues në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian, gjatë të cilit u përmbushën në kohë rekord 140 kërkesa nga ana e Shqipërisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco