Ne votojmë rezolutën, Rama të mbajë turpin për çfarë ka thënë e bërë deri sot

18:51, 12/10/2023
A+ Aa A-

Nga Oerd Bylykbashi

Në vitin 2012, kryeministri Sali Berisha u thoshte interlokutorëve nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare se kurrë në histori shqiptarët nuk kishin pasur kaq shumë tokë nën sovranitetin e tyre sa tani me dy shtetet shqiptare, dhe kjo duhej bërë çmos që të ruhej.

Në shtator 2023, kryeministri Rama tha që veriu i Kosovës ishte tokë e askujt, atë duhej t’ia merrte KFOR nga kontrolli policisë kosovare dhe për Kosovën duhej thirrur një konferencë paqeje.

Kjo tregon diferencën abisale në qëndrime për Kosovën. Deri para 10 vjetësh shtoheshin njohjet e Kosovës, sot Serbia ka arritur të zhbëjë një numër njohjesh.

Pra, për Ramën, Kosova nuk ka sovranitet mbi Kosovën e veriut sepse nuk është e zonja. Të thuash është tokë e askujt është ftesë që më i forti ta rrëmbejë, pra Serbia ta marrë, e kjo do të thotë luftë. Të kërkosh konferencë ndërkombëtare paqeje do të thotë Kosova nuk mund të negociojë si e barabartë, por duhet të presë që Fuqitë e Mëdha të negociojnë me Serbinë si në Mynihun e 1938 më Hitlerin, ndërkohë Kosova të presë jashtë derës me ankth, si Çekosllovakia, se çfarë cope do i heqin.

Askujt nuk i duhet një foto e negociatorëve europiane me një copë letër me premtimet e Vuçiçit, si ajo e kryeministrit britanik Chamberlain me premtimet e Hitlerit. Një politikë Appeasement apo Paqëtimi si ajo e 1939 është e rrezikshme.

Sulmi në veri të Kosovës nuk është thjesht terrorist, është formë hibride lufte për të krijuar destabilizim jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Të tilla kemi parë në Krime apo Donbas në 2014 dhe ja ku është sot Ukraina, nën agresion. Me këtë sulm del nga loja procesi i dialogut dhe Vuçiç shpëton nga dara e normalizimit nëpërmjet negociatave.

Numri i madh i paraushtarakëve serbë, sasia e madhe e armatimit dhe logjistikës, trajnimi, lidhja politike, plani për t’i dhënë një ngjyrim edhe konflikti fetar duke përfshirë një manastir dhe pelegrinë të pafajshëm, tregojnë një planifikim të detajuar, afatgjatë, me objektiva të mëdha, që pas kanë një aktor shtetëror. Ky është skenar lufte. Një skenar lufte shpesh përballet me lëshime ndaj agresorit dhe Serbia këtë kërkon. Më pas modeli shtrihet në Bosnjë. Jo më kot Serbia ka blërë një miliard dollarë armatime moderne, e jo më kot për këtë shqetësohen të gjithë fqinjët e saj. Jo më kot e gjitha kjo merr mbështetjen e Kremlinit.

Ambasadori amerikan në Kosovë është i qartë: Grupi me serbë ishte jo i rastësishëm, me armatim modern që nuk gjendet në tregun e zi por mund të furnizohet nga një shtet, pajisje dhe municion i prodhuara në Serbi. Në parlamentin britanik kërkohet që Radojçiç t’i dorëzohet Kosovës. Vuçiç vetë e ka quajtur aleat të ngushtë atë. Pra e gjitha përgjegjësia ka emër: Serbi dhe Vuçiç.

Ajo që habit është qëndrimi i Ramës. Ballkani i Hapur, presioni mbi Kosovën dhe de facto sanksionet mbi të, tensionimi i marrëdhënieve me Kosovën në ditët e saj më të vështira, bërja e propozimeve të njëjta me Serbinë apo siç i intereson asaj, nuk janë koincidenca por politikë e Edi Ramës e qëllimshme.

E papranueshme rezistenca për të pranuar propozimin e opozitës që të adoptohej rezoluta e parlamentit të Kosovës edhe nga ky Kuvend. E papranueshme rezistenca kundër treguarjes me gisht si fajtor të Serbisë. E papranueshme kundërshtimi i kërkesës për një hetim ndërkombëtar. Të papranueshme nga aspekti i interesit kombëtar, por të kuptueshme nga axhenda e Edi Ramës dhe e Vuçiç.

Gjithsesi sot rëndësi ka që ky Kuvend miraton me konsensus një rezolutë që mbështet plotësisht rezolutën e parlamentit të Kosovës. Është në nderin tonë në të dy anët e korridorit të kësaj salle. Turpi le t’i mbetet Ramës që edhe sot sulmoi Kosovën dhe qeverinë e saj si të ishin ato problemi.

Le të jetë edhe një provë që për çështje të interesit kombëtar, të dy anët e politikës kapërcejnë gërr-mërrin e luftës politike, ulen e gjejnë gjuhën e përbashkët dhe japin shembull. Bashkë me Kosovën, kurrë shqiptarët nuk kanë pasur kaq shumë tokë në kohët moderne dhe askush nuk ka të drejtë ta zhbëjë këtë interes kombëtar madhor.

Para 100 vjetësh, stërgjyshi im u detyrua të largohej nga Prizreni megjithë familje për shkak të serbëve sepse ndihmoi Hasan Prishtinën. Shtëpia është ende në Terzi Mahallë, po nuk ka mbetur me askush nga familja. Të tilla histori këtej kufirit ka me qindra mijëra. Kosova në çdo cep të saj është Jerusalemi i çdo shqiptari. Nëse ka një rezolutë që mbështetet me pasion dhe jo racionalitet internacionalist që i shkel syrin Serbisë, është një rezolutë për Kosovën, ndaj sot e votojmë të gjithë ndërsa Rama të mbajë turpin për çfarë ka thënë e bërë deri sot.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco