Mediu: Akti terrorist në Kosovë, ka mbrapa Serbinë dhe qeverinë e saj

18:18, 12/10/2023
A+ Aa A-

Nga Fatmir Mediu

Së pari dua të vlerësoj faktin që rezoluta e sotme e Kuvendit bashkon jo politikën shqiptare, por e vendos atë në shërbim të Kosovës dhe interesit kombëtar.

Së dyti mendoj se duhet kudo të bëjmë të qartë se; akti terrorist dhe organizimi ushtarak kundër Kosovës, nuk ishte një akt i thjeshtë i Raidoiçiç, por një vepër që ka mbrapa Serbinë dhe qeverinë e saj, inteligjencën Serbe dhe Ruse, për t`a kthyer Ballkanin në një vatër të Re konflikti.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe kryeministrit kohë më parë se;nuk mund të ketë luftë dhe Serbia nuk mund të bëjë asgjë, është më shumë se naive.

Së treti ajo buron nga fakti se; në politikën tonë të jashtme, ne kemi zëvendësuar Institucionet me individ dhe protagonizmin, jemi ndoshta i vetmi vend anëtar i NATOs, i cili nuk ka një agjensi të analizës së mirëfilltë të çështjeve të sigurisë, dhe ato nuk janë thjesht ushtarake, por shumë më gjerë se kaq, sidomos me këto situata konfliktesh dhe gjeopolitike të trazuar.

Së katërti: Kosova nuk duhet të na ndajë, por të na bashkojë, duhet të bashkojë dhe qeveritë, Parlamentet.

Së pesti: Shqiptarët, Kroatët, Boshnjakët edhe Sllovenët, Malazezët, janë viktima të politikës Serbe, me vrasje, spastrime etnike, përdhunime, shkatërrime, ndërhyrje politike, përçarje  fetare, sepse Serbët kanë menduar se ata janë pronarë të Ballkanit.

Putin e ka deklaruar se; Ballkani është back yard i Rusisë dhe ka zgjedhur si aleat Serbinë, dhe kërkon të rifutet në Ballkan me konflikte, me shërbimet inteligjente, politike dhe ekonomike.

Prandaj, çdo ide për Kosovën, së pari duhet të konsultohet me Prishtinën, duam apo nuk duam, pastaj me vendet e NATO-s në Ballkan. Ndoshta ka ardhur koha për të ndërtuar një strukturë ushtarake të përbashkët me vendet e NATOs në Ballkan, për t`ju përgjigjur si hap i parë cdo agresioni të mundshëm.

Së gjashti: Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Palestinës mund të krijojë një problem për një zhvendosje, për atë çka ndodhi dhe mund të ndodh në Kosovë, prandaj një qëndrim politik dhe ushtarak i përbashkët i vendeve të NATO-s në Ballkan, është një kusht.

Mendoj se është interes i yni, rajonit dhe NATO-s, që në bashkëpunim me SHBA, të organizohet një iniciativë sigurie politiko-ushtarake në Ballkan.

Së shtati: Dialogu, i cili duhet të ketë si qëllim statusin përfundimtar të Kosovës, duhet të rikthehet sa më shpejt, sepse vonesat mund të sjellin probleme të paparashikueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco