Kryebashkiaku Erjon Veliaj është detyruar këtë të premte të marrë përsipër një akt të vështirë, në një moment të sikletshëm që lidhet me inceneratorin e Tiranës. Në një kohë që SPAK ka sekuestruar pronën dhe po heton zyrtarët që u përfshinë në grabitjen e fondeve shtetërore, Veliaj kërkoi që Këshilli Bashkiak të kalojë 600 milion lekë pagesa të prapambetura për inceneratorin.
Këshilltarët e majtë e miratuan këtë akt pa bërë asnjë reagim.
Ndërkohë opozita reagoi ashpër. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti tha se paratë e shkollave po shkojnë për një incenerator fantazmë.
“Në sallën e Këshillit Bashkiak, Veliaj shpërtheu në të bërtitura dhe fyerje ndaj këshilltarëve të opozitës që kundërshtuan pagesën qindra miliona lekë për inceneratorin që nuk ekziston. Këshilltarët e opozitës u pritën nga 30 policë. Kush mendon se mund të intimidojë këshilltarët e opozitës, gabon rëndë. Veliaj i hoqi të drejtën opozitës, mbajti ligjëratën mashtruese dhe u largua,” tha Teliti.
“Janë 600 milionë lekë të reja, janë 6 milionë euro që merren nga paratë e shkollave dhe kopshteve dhe çohen për të paguar inceneratorin fantazmë,” tha ai.
“Kemi dyshime të forta se prona publike e Gardës së Republikës i jepet në formati klientelist, një përfaqësuesi të lartë të PS,” theksoi Teliti.
© SYRI.net