Zjarri në pallat/ PD: Ngjarje shumë shqetësuese, Veliaj të japë të dhënat

Zjarri në pallat/ PD: Ngjarje shumë shqetësuese, Veliaj të japë të dhënat

10:52, 15/09/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike reagoi zyrtarisht për ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku një pallat 10-katësh u dogj me lehtësi.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak e Tiranës, Dorian Teliti, tha se ngjarja është shumë shqetësuese. Ai shtoi se dëmet mund të ishin shmangur.

Për këtë arsye, Teliti tha se kanë kërkuar informacion nga Erion Veliaj dhe stafi i tij për dosjen e këtij ndërtimi.

DEKLARATA E PLOTË

Ditën e djeshme ishim dëshmitarë të një ngjarje tejet të rëndë.

Një nga pallatet e Tiranës u përpi nga zjarri dhe falë punës heroike të zjarrfikësve të Tiranës, ia dolëm të mos kishim asnjë humbje jete.

Gjithsesi, dëmet materiale ishin tejet të mëdha dhe ajo që ndodhi dje ku disa apartamente janë shkrumbuar plotësisht, mund të ishte tërësisht e evitueshme.

Pasi zjarri u vu nën kontroll, kam qenë në kontakt me disa ekspertë të fushës, inxhinierë dhe arkitektë, të cilët pas konstatimeve që kanë bërë edhe në terren, më kanë konfirmuar që ishte tejet e mundur evitimi i dëmeve kaq të mëdha.

Nuk është e thënë që nuk do kishte rënë zjarri, por ama dëmet nuk ishin këto.

Për këtë arsye unë kam depozituar një kërkesë në Bashkinë e Tiranës drejtuar Erion Veliajt dhe drejtorëve të tij për të marrë një dosje të plotë teknike për këtë projekt ndërtimi të kësaj godine.

Sa e sigurt ka qenë kjo godinë?

Cilat janë masat e ndërmarra kundër zjarrit?

A është respektuar apo jo leja e ndërtimit pasi ne e dimë shumë mirë që për të marrë një leje ndërtimi, duhet të plotësosh të gjithë parametrat për mbrojtjen ndaj zjarrit?

Pse Bashkia e Tiranës nuk ka furnizuar këto godina me hidrantët zjarrfikës?

Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, ne i kemi kërkuar në shkresën zyrtare, të cilën sapo e kam depozituar këtu në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak dhe shpresoj që brenda 10 ditësh të marrim përgjigje nga Erion Veliaj dhe stafi i tij.

E përsëris, dje fatmirësisht nuk pati humbje jete, por ajo që ndodhi kur apartamente të tëra u shkrumbuan, gjë e cila sot ka vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën, qëndrueshmërinë teknike të godinës së banimit, është tejet shqetësuese.

Gjithashtu dje kemi qenë dëshmitarë se autobotet e zjarrfikësve mbaronin ujin, lëviznin nëpër rrugët e Tiranës për t’u furnizuar me ujë dhe kjo ka rritur më tej kohën për fikjen e zjarreve, duke shtuar akoma më shumë dëmet materiale.

Kjo është e papranueshme dhe unë në cilësinë time jam këtu për të kërkuar informacionin e plotë për të zbardhur të vërtetën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco