Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Sinamati: 14 Maji tashmë ka hyrë në historinë e Kukësit si një nga ditët më të errëta të skllavërisë moderne

Sinamati: 14 Maji tashmë ka hyrë në historinë e Kukësit si një nga ditët më të errëta të skllavërisë moderne

18:33, 11/09/2023
A+ Aa A-

Në hapjen e fushatës elektorale për bashkinë e Kukësit, ka përshëndetur edhe ish-kandidati në zgjedhjet e 14 majit, Admir Sinamati.

Gjatë fjalës së tij, Sinamati ‘jemi së bashku sot për të bërë një bilanc të shkurtër politiko-shoqëror të asaj çfarë i ndodhi Kukësit më 14 Maj e për të projektuar së bashku përmbysjen dhe çrrënjosjen finale të metastazave të korrupsionit, dhunës dhe turpit nga godina e Bashkisë Kukës dhe kthimit të saj në një vend ku garantohet transparenca, shërbimi, respekti ndaj jetës e pronës, puna për mirëqenie si dhe trajtohet si vend i denjë përfaqësimi i vlerave më të mira të trevës sonë’, tha Sinamati gjatë fjalës së tij.

Fjala e plotë e Admir Sinamatit:

I dashur Prof.dr. Sali Berisha!

Te nderuar deputete dhe drejtues te PD!

E nderuar zonja kryetare ne detyre e PD dega Kukës!

Të dashur motra dhe vëllezër, të nderuar anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike,qytetarë kuksianë që jeni këtu në sallë dhe kudo që ndodheni!

 Së pari gjej rastin të uroj të gjithë nxënësit dhe mësuesit kuksianë për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, duke iu dëshiruar suksese dhe rezultate sa më të mira në mësime e punë si dhe përmbushje sa më të plotë të misionit dhe dëshirave të tyre përgjate këtij viti, për të mirën e Kukësit dhe Shqipërisë!

Sot jemi një ditë pas fitores së madhe të ekipit tonë të zemrës -Kombëtares shqiptare dhe le të jetë e tillë gjithë koha që vjen pas, me fitore dhe krenari te ligjshme për ne.

Jemi së bashku sot për të bërë një bilanc të shkurtër politiko-shoqëror të asaj çfarë i ndodhi Kukësit më 14 Maj e për të projektuar së bashku përmbysjen dhe çrrënjosjen finale të metastazave të korrupsionit, dhunës dhe turpit nga godina e Bashkisë Kukës dhe kthimit të saj në një vend ku garantohet transparenca, shërbimi, respekti ndaj jetës e pronës, puna për mirëqenie si dhe trajtohet si vend i denjë përfaqësimi i vlerave më të mira të trevës sonë.

Të dashur miq e bashkëpunëtorë, ne jemi dëshmitarë të gjallë të asaj dhune shtetërore kriminale e korruptuese që bëri devijimin e vullnetit të zgjedhësve kuksianë duke rilënë përkohësisht në kthetrat e mafias pushtetin e qytetarëve të Kukësit!

Ju ishit dëshmitarë të një butaforie fantazmagorike të shprehjes së ekzaltimit të Ramës dhe Majkos për gjoja besimin e marrë nga elektorati i Kukësit kur erdhën në Kukës për të përgëzuar fitoren e ‘njeriut të tyre të punës’ po aq sa nuk keni parë e dëgjuar e lëre më konstatuar ndjesën e tyre për skandalin dhunues të zyrës kryesore të qytetarit dhe shërbesës në Kukës.

14 Maji tashmë ka hyrë në memorien dhe historinë e Kukësit si një nga ditët më të errëta të skllavërisë moderne,

si dita e prostitucionit politik;

ku njerëzit: një pjesë të trysnuar nga varfëria, disa nga xhelozia e lakmia, të tjerë nga miqësia dhe konjuktura politike, harruan se kush janë, nga vijnë, ku dikush për një grusht parash, dikush për plotësimin e një egoje të sëmurë e të tjerë për përfitime nën rrogoz tradhtuan Kukësin e besimin në Zot, duke devijuar rrugën e tyre harruan destinacionin dinjitoz të Kukësit.

Po ashtu 14 Maji do të kujtohet edhe si një ditë ku qëndresa, dinjiteti, forca, perballja dhe mosnënshtrimi i afro dhjetë mijë qytetarëve të vërtetë tregoi se ka ende shpresë, ka ende besim dhe Kukësi meriton më të mirën!

Nderim, mirënjohje dhe falënderim te përzemërt e të përjetshëm nga ana ime për ato që më votuan mua dhe projektin tim më 14 Maj !

Unë jam dëshmitar i lotëve të burrave më 15 Maj, siç rrallë iu ndodh lumjanëve, unë jam dëgjues i mallkimeve të pafundme të prindërve të vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve të tyre, unë jam ballafaquar me dëshpërimin e pafundmë të intelektualëve, të rinjve dhe gjimnazistëve që 14 Maji ua errësoj shpresën, unë kam analizuar çdo detaj mbi masakrën dhe i gjendur i çliruar nga çdo mëkat personal, i braktisur nga çdo mundësi e menjëhershme për drejtësi tokësore bëra një lutje me sytë nga qielli:

O ZOT merr hak për të gjitha ndaj shkaktarëve!

Këtë gjë edhe e shkruajta të nesërmen dhe dikush nga komentuesit më ftonte të mos e ngatërroja rolin e politikanit me atë të misionarit fetar.

E për hatër të Kukësit Zoti dëshmoi se fjalët hyjnore të myftiut prefekt dhe fjalimet politike Pandit të taksës së humbur duhet të fshiheshin me një klikim butoni teknologjik dhe me një mbyllje goje.

Përpara kemi 24 Shtatorin e cila duhet të jetë ditë e votës së lirë, e votës masive për ndryshim, dita e largimit përfundimtar nga drejtimi i Kukësit nga partnerët e krimit elektoral, nga pengjet korrupsionit, nga ushtarët e bindur Safet Gjicit.

Rezultatin e asaj dite e vendos kjo sallë.

Përpara se t’u drejtohemi qytetarëve për mbështetje le t’u zotohemi atyre për besnikëri, le t’iu kërkojmë ndjesë nëse i kemi braktisur ndonjë moment, le t’iu shprehmë mirënjohje dhe t’iu kërkojmë falje për ato gjëra që nuk ua kemi realizuar dot, le t’iu garantojmë drejtësi dhe vendimmarrje transparente, le te flasim hapur me to se jemi përfaqësues te tyre para se të ndërtojmë kulisa në emër të një fitoreje që nuk do I vlejë askujt.

E nëse ne jemi të vërtetë, nëse ne jemi të bashkuar rreth vlerave dhe besimit reciprok nuk na duhet asgjë për fitore, nuk na duhet asnjë njeri që ka punuar për të kundërtën e fitores së Kukësit.

Nuk na duhen matrapazët elektoralë të përdorur nga Safeti e që lehtësisht mund të vetëofrohen pranë nesh, por ne duhet të mirëpresim dhe të kërkojmë bashkimin me ne te gjithë ata njerëz që kanë votuar nën trysninë e dhunës, të mashtruarit për përfitime projektesh shpëtimi, demokratësh që nuk na votuan më 14 Maj pasi ishin ngarkuar nga mllefi dhe helmi i disa liderëve pseudodemokratë që gjithçka të tyren e kanë arritur falë këtyre njerëzve.

I dashur miku im Emri, ju do jeni kryetar i Bashkisë Kukës sepse Kukësi dhe demokratët meritojnë të drejtohen nga burra të drejtë, të ditur, të pakorruptuar, të ndershëm dhe vendimmarrës. Nëse ju do e meritoni atë vend kjo gjë do të na rikthejë dinjitetin e nëpërkëmbur të Kukësit.

Unë besoj dhe jam i sigurtë tek fitorja jonë!

Zoti e bekoftë dhe pastë në mbrojtje Kukësin!

Fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco