Në kujtim të mikes së Kosovës, ministres suedeze Lindh, vrarë nga një ekstremist serb

Në kujtim të mikes së Kosovës, ministres suedeze Lindh, vrarë nga një ekstremist serb

13:55, 11/09/2023
A+ Aa A-

Nga Albin Kurti

Sot janë bërë 20 vite nga vdekja e Anna Lindh, ish-Ministres së Punëve të Jashtme së Suedisë (1998 – 2003). Anna Lindh vdiq mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2003, nga plagët e marra prej një sulmi të paramenduar ndaj saj që ia mori jetën.

Mbrëmjen e 10 shtatorit, Lindh kishte dalë të blente rroba në një dyqan në Stokholm, kur Mijailo Mijailoviç, një 24 vjeçar ekstremist i lindur në një familje të migruar nga Serbia në Suedi, e sulmoi ministren Lindh duke e goditur me thikë në gjoks.

Anna Lindh vdiq në spital disa orë më pas, duke e lënë të tronditur publikun evropian si viktimë e një prej atentateve më makabre ndaj një politikani evropian të profilit të lartë, siç ishte Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë.

Ndërkaq, vrasësi i saj Mijailo Mijailoviq u arrestua pas dy javësh dhe pas procesesh gjyqësore, një vit më vonë, atij iu dha një aktgjykim që e dënoi me burgim të përjetshëm.

Sipas hetimeve, vrasësi serb Mijailo Mijailoviç nuk mund t’ia falte kurrë ministers së jashtme suedeze Anna Lindh, mbështetjen që ajo ia kishte dhënë fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Në një fjalim të mbajtur më 15 korrik 1999 në Almedalen, Ministrja e Jashtme e Suedisë Anna Lindh, e cila vinte nga radhët e socialdemokratëve, kishte thënë: “Lufta në Kosovë ishte unike në një aspekt: sulmet e NATO-s nuk u bazuan në politika të fuqisë, në resurse apo pretendime territoriale, por mbi të drejtat e njeriut.

Vendet demokratike thjesht nuk mund ta pranonin agresionin e Millosheviçit kundër njerëzve të pafajshëm. Kosova na tregoi se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi në Evropë. Nuk është lufta, por anëtarësimi në BE ajo që mund ta sjellë paqen në Ballkan në planin afatgjatë. Kosova na kujton se sa është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë që të drejtat e njeriut të respektohen për ta parandaluar luftën.”

Sigurisht që atëherë Lindh nuk mund ta ketë menduar që fjalimet dhe politikat e saj në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, do të bëheshin shkaktari i vrasjes së saj.

Ndaj sot, teksa e kujtojmë miken e Kosovës, Anna Lindh, e kujtojmë bashkë edhe me vërtetësinë historike dhe fuqinë e fjalëve të saj për Kosovën!

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco