Meta: Opozita duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’u dhënë përgjigje sfidave!

12:57, 08/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit që ka zhvilluar sot  me kryetarin e PD-së, z. Sali Berisha, në selinë blu.

Z. Meta u pyet për një datë protestash opozitare, u pyet se si e shihte faktin që KQZ e shpalli Partinë e Lirisë si partinë e parë opozitare, u pyet për një Gazmend Bardhi si kryeministër në të ardhmen...

Ndiqni në vijim, përgjigjet e plota të Kryetarit të Partisë së Lirisë, duke filuar që nga arsyeja e takimit të sotëm në PD me z. Berisha.

Ilir Meta tha: Në kushte kaq degraduese në të cilat ndodhet situata me shtetin e së drejtës, me demokracinë, në këto rrethana ku skandalet e qeverisjes, të korrupsionit të saj skizofrenik mbivendosen me njeri-tjetrin dhe ndërkohë, kur problemet ekonomike dhe sociale rëndojnë dhe që vazhdon të shprehet në fenomenin e largimit apo të shpopullimit, është detyra e opozitës të bashkojë të gjitha energjitë e saj, jo vetëm të saj, por të gjithë shoqërisë në rivendosjen e shtetit të së drejtës, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe padyshim kjo axhendë përfshin angazhimin parlamentar. Përshëndes çdo përpjekje për të kualifikuar të gjithë potencialin e opozitës në këtë drejtim në pushtetin vendor ku tashmë opozita ka përfaqësimin e saj në të gjithë vendin dhe kudo në kontakt me të gjitha grupet e interesit që ndihen të kërcënuar dhe të përjashtuar nga kjo keqqeverisje.

Pyetje: Do të jeni në Kukës për fushatë?

Ilir Meta: Ne jemi kudo ku kërkohet angazhimi dhe kontributi ynë dhe dega e Partisë së Lirisë atje ka qenë dhe mbetet shumë aktive.

Pyetje: Z. Meta, do të jene tre deputetët tuaj në takimin e radhës që do të zhvillojnë 43 deputetët e dalë nga zgjedhjet 25 prillit?

Ilir Meta: Deputetët tanë janë çdo ditë, edhe kur nuk ka parlament, në vijën e parë të ballafaqimit me këtë regjim. Deputetët tanë janë çdo ditë në vijën e parë të ballafaqimit me këtë regjim dhe kanë qenë gjithmonë.

Z. Meta, ka muaj që flisni si ju, si z. Berisha për aksion opozitar të bashkërenduar në parlament, ka pasur edhe botime librash, edhe ekspozita mjaft interesante, por a keni një datë proteste z. Meta, për ta ngritur popullin opozitar kundër kryeministrit Rama?

Ilir Meta: Pa asnjë diskutim që do të ketë edhe data të tilla po kjo nuk është çështja më e rëndësishme, por më e rëndësishmja është që të kemi një program gjithnjë e më të bashkërenduar e më të përfshirë.

Pyetje: KQZ e njeh Partinë e Lirisë si partinë e parë opozitare. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Ilir Meta: Nuk jam këtu për t’u marrë me procedurat teknike, opozita besoj se duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’i dhënë përgjigje të gjitha këtyre sfidave, të cilat kanë sjellë një situatë kaq të rënduar për shkak të kësaj keqqeverisjeje, e cila ecën me ritme galoponte drejt çuarjes së vendit në një kolaps të plotë.

Z. Meta, nëse do të jeni bashkë me Berishën edhe në vitin 2025, nëse ai propozon emrin e Gazmend Bardhit si kandidat për kryeministër, do ta pranonit?

Ilir Meta: Nuk jemi këtu për t’u marrë me këto çështje. Ju e dini që ne jemi të angazhuar për të respektuar çdo parim demokratik./ar/shSYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco