VIDEO SYRI TV/ 5 shkeljet e Ilir Beqjas tek Sterilizimi, detajet e plota nga vendimi gjyqësor

13:43, 05/09/2023
A+ Aa A-

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është në krye të manovrave për dorëzimin e kontratës koncesionare 100 milionë euro në duart e disa kompanive, të drejtuara nga emigranti-murator, Ilir Rrapaj. Gjykata e Posaçme ka vlerësuar 5 shkeljet për Sterilizimin. Ajo i kërkoi SPAK-ut të hetojnë rolin e Beqajt në këtë procedurë koncesionare.

Nga SYRI TV

Gjykata e Posaçme vlerëson se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, është në krye të manovrave për dorëzimin e kontratës koncesionare 100 milionë euro në duart e disa kompanive, të drejtuara nga emigranti-murator, Ilir Rrapaj. Gjyqtari Erion Bani vlerëson se Ilir Beqja, në bashkëpunim me vartësit e tij e kishin parashikuar fituesin e kësaj kontratë që kur nisën procedurat në vitin 2013 dhe që u finalizuan në vitin 2015.

Së pari, Ministri Beqja kishte marrë informacion nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ se aty ekzistonte një repart modern për sterlizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe që kishte nevojë vetëm për financimin e trajnimit të stafit.

Ky Repart plotësonte nevojat për sete kirurgjikale të QSUT-së dhe të të gjithë spitaleve rajonale. Por, Beqja nuk reagoi asnjëherë për këtë informacion.

Së dyti, në kërkesën që i drejtonte Ministrisë së Financave për financimin e projektit koncesionar, Beqja deklaronte se kompania private do të shfrytëzonte këtë Repart, për të cilin ishin shpenzuar qindra milionë lekë nga Buxheti i Shtetit.

Së treti, në kërkesën për mbështetje financiare, Ilir Beqja garantonte se shpenzimet e kontratës koncesionare nuk do të preknin tavanet buxhetore të miratuara për Ministrinë e Shëndetësisë. Realiteti tregoi që këto tavane jo vetëm që u shkelën, por kostot koncesionare u dyfishuan gjatë zbatimit të kontratës.

Së katërti, të dhënat e siguruara nga sistemi TIMS gjatë hetimit të SPAK-ut, tregojnë se Ilir Beqja, në disa raste, para dhe pas procedurës tenderuese, ka udhëtuar njëkohësisht me ortakët apo përfaqësuesit e kompanive, të cilat fituan kontratën koncesionare.

Së pesti, Ilir Beqja kishte të gjithë informacionin e nevojshëm se zëvendësi i tij, Klodian Rrjepaj, kishte miqësi me emigrantin-murator, Ilir Rrapaj.

E, megjithatë, Beqja nuk shmangu konfliktin e interesave, por e vendosi zëvendësin tij Rrjepaj në krye të komisionit të koncesionit, që shpalli fitues kompaninë ‘Sani Service’, e cila zotërohet në 40 përqind të aksioneve nga Ilir Rrapaj. Mbi bazën e këtyre elementëve kryesorë, por edhe detajeve të tjera, gjykata e posaçme kërkoi nga SPAK-u që të hetojnë rolin e Ilir Beqjas në procedurën koncesionare me kosto 100 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco