Drejtësia e kapur, shumëçka për të çjerrë faqet, asgje për të duartrokitur!

Drejtësia e kapur, shumëçka për të çjerrë faqet, asgje për të duartrokitur!

10:51, 02/09/2023
A+ Aa A-

"Ndërsa reforma e famshme në drejtësi ka hyrë në vitin e tetë, fytyra e "drejtësisë së re" është sot realisht një shëmtirë e deformuar, e kapur, antiprofesionale dhe e pamundur për qytetarët."

Nga Petrit Vasili

Asgjë të vetme nuk ka për t’u lëvduar, asnjë shërbim cilësisht të ndryshuar, asnjë lehtësi për qytetarët, aspak cilësi të re të vendimeve gjyqësore, pra të gjithë të zhgënjyer thonë sot "ishim më mirë kur ishim më keq".

E vetmja "duartrokitje e madhe" duhet bërë për suksesin e kësaj drejtësie është për betonimin prej saj të pandëshkueshmërisë së qeverisë dhe funksionimin e saj me regjinë e Ramës në funksion të hajdutllëqeve të tij të ditës.

Me qëllim asnjë analizë e thellë objektive nuk është bërë sistemit aktual të drejtësisë për të parë në sy situatën dramatike të drejtësisë, kolapsin e saj total dhe tronditjen e thellë të sigurisë juridike, që kjo ka sjellë.

E vetmja gjë që vazhdon janë pazaret politike me drejtësinë, që prodhojnë vetëm drejtësi të pamundur për qytetarët dhe drejtësi të kapur për qeverinë.

Pazaret politike të vjetra e të reja me drejtësinë vetëm po betonojnë kapjen e drejtësisë nga Rama dhe “Rilindja” dhe pandëshkueshmërine e tyre.

Pazaret politike të sponsorizuara nga brenda e nga jashtë po prodhojnë vetëm zemërim, zhgënjim dhe deluzion të thellë të qytetarëve.

Fakte të freskëta të sjella pas një studimi shumë serioz të situatës nga Infoçip tregojnë qartë dramën e sistemit:

Në Gjykatën e Apelit të Tiranës gjatë vitit të kaluar, 72 për qind e çështjeve civile të themelit dhe 57 për qind e çështjeve penale të themelit tejkaluan afatin ligjor të gjykimit të arsyeshëm.

Gjykata e Apelit ka 25 gjyqtarë nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë, ose më pak se 1/3 e trupës gjyqësore.

Ekspertët e Qendrës INFOCIP vlerësojnë se kjo mesatare e punës së tyre është shumë e lartë, ndërsa plotësimi i vendeve bosh mbetet një nevojë e madhe.

Që tani ne jemi përtej standardit të ngarkesës gjyqësore për secilin gjyqtar. Nga një llogari e thjeshtë për 30 mijë dosje që presin një vendim në Apel, për 300 ditë pune dhe 24 gjyqtarë, do të duhen minimalisht 4 vite punë për t’u trajtuar”, thotë zoti Gerti Shella.

Stoku i çështjeve që prisnin gjykimin në Apel për vitin 2022 ishte 23 mijë e 375 dosje.

Ndërsa me dosjet e prapambetura që u sollën nga Apelet e tjera, që u shkrinë, e ngritën në 30 mijë numrin e çështjeve që presin një vendim nga Apeli i Tiranës.

Drejtësia në agoni!

Sot për këtë drejtësi në agoni, të kapur dhe të degraduar duartroket vetëm Edi Rama, krye përfituesi i pandëshkueshmërisë, i cili falë kapjes së saj nuk është sot përpara drejtësisë.

Kjo drejtësi është armike e interesit publik, e interesit kombëtar, e barazisë përpara ligjit, e interesave të qytetarëve, e motivimit të biznesit, e lirive dhe të drejtave që shkelen e dhunohen përditë nga qeveria.

Kjo drejtësi është tubi i oksigjenit për korrupsionin kolosal të qeverisë dhe për shkelësit e ligjit si kriminelë, trafikantë dhe pastrues parash klientësh dhe mbështetës të qeverisë.

Kjo drejtësi vepron sot me regji dhe lëviz shumë ngadalë si kërmilli, kur duhet të lëvizte me shpejtësinë e erës, sepse faktet i ka përpara duarve.

Kjo drejtësi nuk është në krah të ligjit dhe të qytetarëve, por në krah të antiligjit dhe qeverisë.

Sot në vitin e tetë të reformës në drejtësi ka shumëçka për të çjerrë faqet dhe asgjë të vetme për të duartrokitur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco