Lajmi i fundit

ODEON/ "Baladë dritash për Zobrën", Viola Isufaj për enigmën e nje verbi të pazakontë

Ironia e Artan Fugës: Po xhirohet një film me titull ‘Portofoli i Lushnjes’

Ironia e Artan Fugës: Po xhirohet një film me titull ‘Portofoli i Lushnjes’

09:43, 20/08/2023
A+ Aa A-

Nga Artan Fuga

Hahahahaha!

Agjencia Telegrafike Shqiptare jep lajmin e madh, scoop-in, atë që gjithë media botërore do ta pasqyrojë, atë që ndodh rrallë, diçka krejt e habitshme, nuk ndodh askund tjetër prej 6000 vjetësh: dy çiklistë, turistë italianë, gjetën një portofol plot me lekë dhe e dorëzuan në Policinë e Lushnjës.

Lushnjarët e kanë zakon që humbasin portofolet. Shenjë bollëku myzeqar - deklaroi një deputet, specialist i këngës: Osman Takja - djalë i bukur!

Nuk dihet të kujt ishin lekët. Ku i kishte gjetur lekët i zoti i portofolit, në ç'vend fiks i kishte humbur, a iu dorëzuan apo jo, si është e mundur që shqiptarët që kalonin atypari nuk i kishin gjetur më përpara, çfarë prerje kishin lekët, dhe çfarë mesazhi dha për miqësinë Itali-Shqipëri humbësi i portofolit kur iu kthyen leket.

Dihet se i kishte thënë një komshiu se ato lekë do t'i ruante pa harxhuar si një dhuratë, do t'i fuste në qyp, shenjë e rënë nga Qielli, parathoshin fat dhe zhvillime të mbara!

Më e rëndësishme akoma, në portofol ishte edhe karta e tij e identitetit. Kjo, që paratë e humbura t'i ktheheshin, në rast se portofoli do t'i binte nga xhepi!

Dikush thotë se i zoti e kishte hedhur portofolin me qëllim në pistën ku biçiklonin turistë për t'i provuar ndërgjegjen e tyre. Përpara tyre kishin kaluar çiklistë grekë, por asnjëri prej tyre nuk kishte denjuar t'i hidhte sytë portofolit provokues mbushur me lekë. Kjo tregon dallimin e madh midis çiklizmit në Greqi dhe në Itali - deklaroi ish-shefi i federatës së çikloturizmit në Maltë!

Ato lekë mund të kishin përfunduar në plehra dhe drejt e në inceneratorin e Fierit! - tha ish-nënkryetari i bashkisë së Lushnjës në një intervistë për një televizion të Tiranës!

Një gazetar investigativ i një medie prestigjioze po hulumton se çfarë lidhje ka ngjarja e Beratit ku katër gjoja italianë vodhën pronarin e një restoranti, zonja e të cilit e quajti veten gjysëm-italiane; me ngjarjen e Lushnjes ku italianët në vend të shkonin të blinin kadaif ose paçe apo ndonjë kos deleje të leshtë, në ndonjë lokal, si te restorant "Kozi", i dorëzuan lekët në komisariatin më të afërt, duke ndryshuar itinerarin e udhëtimit me disa dhjetëra kilometra, duke mposhtur tentacione infernale.

Kush gjen lekë dhe i dorëzon, siç ndodh përditë këto ditë vere, merr si shpërblim edhe një foto me policë të komisariatit ku dorëzon leket!

Itali-Shqipëri 1:1.

Një autogol italianët në Berat, dhe po ata shënojnë në Lushnje!

Më kujtohet kur kombëtarja jone luante me Kinën dhe dilte 7 me 7.

Pasi Agjencia Telegrafike Shqiptare e dha lajmin jashtëzakonisht të rëndesishëm, dhjetëra media e ritransmetuan.

Rai po përgatit një kronike të zgjeruar në formë dokumentari në bashkëpunim me një televizion të famshëm në Shqipëri. Po ashtu po xhirohet një film me titull: Portofoli i Lushnjes!

Në çfarë derexheje kemi arritur!!!

Çfarë po i bëjnë informimit të qytetarit!

Mire banalitete idioteske, por edhe një infantilizim shqetësues i përgjithesuar.

Po mosni more mosni! Mos budallallepsni njerëzit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco