'O o o njerëz, qeveria po na rrjep! Sigurimi me dhunë i banesave është rrjepje e pastër'

'O o o njerëz, qeveria po na rrjep! Sigurimi me dhunë i banesave është rrjepje e pastër'

11:11, 09/08/2023
A+ Aa A-

Nga Ylli Manjani.

Shihni me vëmendje!  Përgjatë 48 orëve të fundit, ndërkohë që opinioni publik merret me idiotësinë "e kujt është kulla e re te gropa e Hajdinit?", qeveria ka dalë me një projektligj që rrjep njerëzit me detyrim.

“Është e Zenit, apo e Zamirit?! E Gimit apo Ilirit (Shtufit)?! Po Saliu ç'tha?! Foli Luli ndiq paranë, ore ejjj?! Kush e dha lejen, Rama apo Erioni?! Po të ishte Alimehmeti, nuk do të firmoste... Belindin e vuri Erioni në pazar me Salën... Ky është spin për të harruar inceneratorët...” - O zot, sa teori e pasion ka marrë një temë krejt rutinë!

O o o o o o o o o, njerëz!

Po amani more, amani!

Shihni more, qeveria ka dalë me një thes bosh dhe po na detyron të gjithëve, po të gjithëve fare, që të hedhim para në këtë thes, pa asnjë përfitim apo shërbim në këmbim.

Ligji komunist i sigurimit me dhunë të banesave është rrjepje e pastër! Është mbushje e një thesi të zbrazur!

E çfarë mbushje pa?! Doni të bëjm një hesap të thjeshtë?

Ja, sipas censusit të fundit të 2012-ës, janë diku tek 1 milionë e kusur banesa në vend. Sot janë sigurisht më shumë se aq, por le të marrim 1 milionë banesa.

Nëse i vemë një prim 100 euro për banesë, krijohet me dhunë në fond prej 100 milionë euro në vit. Pra 100 milionë euro në vit, pa marrë asnjë shërbim mbrapsht!!! Thjesht, para e rrjepur nën frikën e një tërmeti imagjinar... 100 milionë euro buxhet vjetor shtesë që e përdor qeveria sipas qejfit!

Tenderë e koncensione pa hesap me buxhet i krijuar nga pagesa me dhunë e çdo familje shqiptare që ka në pronësi banesë! Asgjë në këmbim! Edhe po ra tërmeti, prapë nuk merr asgjë, se nuk ka asnjë skemë sigurimi, aq më keq kur është unike dhe me detyrim, të marrë përsipër riskun 100% të një fatkeqësie!

Asnjë skemë në rruzull nuk e siguron dot!

Si ka mundësi që ka më shumë rëndësi kush ndërton një kullë apo një pallat (a thua se nuk ka të tilla vërdallë) dhe nuk tërheq vëmendjen ligji komunist i rrjepjes të shqiptarëve?!

Po na rrjep qeveria ore ej! E kuptoni apo jo?! Le pastaj ç'po i bëjnë tregut të lirë dhe ekonomisë së tregut. E pabesueshme! Është ashiqare rrjepja dhe publiku merret me një pronë private në fund të fundit.

Çdo popull, meriton qeverinë që ka.

Padyshim që është e vërtetë...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco