SYRI TV/ Qeveria fshehu pronarët reale të Sharrës, SPAK-u hetoi 3 vjet për të zbuluar Zoto-Mërtirin

14:38, 07/08/2023
A+ Aa A-

Nëse i referohesh ligjit për Koncesionet, atëherë qeveria shqiptare duhet të ketë pasur dijeni që në vitin 2018 se kompania mëmë e landfillit të Tiranës, e regjistruar në Hollandë, ka qenë në kontrollin e plotë shoqërisë shqiptare “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos.

Kontrata e nënshkruar në 31 gusht 2017 ndërmjet “Integrated Energy bv” dhe Ministrisë së Mjedisit për llogari të qeverisë shqiptare, mbështetet në ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”. Në nenin 32 të tij thuhet se, kur koncesionari privat është një subjekt për qëllime të veçanta, siç është rasti i kompanisë menaxhuese të Sharrës, “atëherë ndryshimi i pronësisë apo i menaxhimit të shoqërisë private si rezultat i transferimit të kapitaleve ose të aksioneve të biznesit, nuk mund të bëhet pa miratimin e autoritetit kontraktor, që ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Ministrisë së Financave”.

Kompania mëmë e koncesionarit të Sharrës, “Integrated Energy bv”, e cila më pas ndryshoi emrin në “Geogenix bv”, u krijua në Gusht 2017 në Amsterdam, me bashkimin e tre operatorëve: “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos: “Paul Wurth” dhe “Energy 2 srl”. Në 28 Dhjetor 2017, pra vetëm tre muaj pas nënshkrimit të kontratës koncesionare të Sharrës, shoqëria “Paul Wurth” i ka shitur aksionet e saj në Hollandë tek “ITS” e Klodian Zotos. Të njëjtin veprim ka bërë edhe aksioneri tjetër, “Energy 2”, në datë 12 janar 2018. Bazuar në ligjin për Koncesionet, Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave, duhet të ketë pasur dijeni se, që prej janarit 2018, kompania mëmë në Hollandë ka qenë në pronësi të plotë të Klodian Zotos. Por, kjo e dhënë, shihet qartë që nuk i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Prokurorët specialë, të cilët nisën hetimin për landfillin e Tiranës në vitin 2020, arritën vetëm pas tre viteve në konkluzionin se pronarët de fakto të koncesionarit janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. 

“Syri Televizion” ka raportuar më herët se pronarët në letra të kompanisë “Geogenix” në Hollandë deklaruan për prokurorët shqiptarë se nuk e njihnin njëri-tjetrin, nuk njihnin menaxherët e shoqërisë dhe nuk kishin dijeni dhe as kishin dhënë autorizim për t’u regjistruar si pronarë fundorë të kompanisë që menaxhon landfillin e Sharrës në Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco