SYRI TV/ Autoriteti Portual Durrës bllokon kompanin gjermane, i zaptohet terminali lindor

14:52, 06/08/2023
A+ Aa A-

Kompania gjermane EMS-Fehn-Group, që menaxhon prej 2012 Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, është bllokuar në aktivitetin e saj nga Autoriteti Portual i Durrësit, në një kohë që kontrata është ende në fuqi. Në një intervistë për DW, menaxheri tregtar i kompanisë gjermane Florian Çimo, e konsideron të papritur zaptimin e terminalit të kompanisë, ndërsa thotë se incidenti shkel marrëveshjen dypalëshe të investimeve Gjermani-Shqipëri.

SYRI TV

Në fundin e muajit korrik, kompania gjermane EMS-Fehn-Group, e cila ka menaxhuar nga viti 2012 Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, u bllokua në aktivitetin e saj të përditshëm. Edhe pse EMS ka fituar tenderin koncensionar 35- vjeçar për menaxhimin dhe operimin e kësaj pjese të portit, Autoriteti Portual i Durrësit më 29 korrik vendosi aty blloqe betoni. Veprimet u argumentuan me faktin se ka një plan të ri sigurie, në kuadër të zhvillimit të projektit "Durrës Marina & Yacht”.

Në një intervistë për DW, Florian Çimo, menaxheri tregtar i kompanisë gjermane, tregon se për zaptimin e terminalit të tyre janë njoftuar përmes postës elektronike vetëm disa orë para se të ndërmerreshin  këto veprime, ndërkohë që kontrata me kompaninë është ende në fuqi dhe nuk dihet çfarë e pret në të ardhmen.

“Autoriteti Portual i Durrësit pretendon se veprimet e ndërmarra janë bërë me qëllim zbatimin e një plani të ri të sigurisë së portit. Kjo ishte hera e parë që ne mësuam rreth këtij plani. Vetëm një ditë para se pjesë të terminalit tonë të zaptoheshin, pas orarit zyrtar të punës, pasditen vonë të datës 28 korrik, EMS Albanian Port Operator Shpk, ka marrë një email nga Autoriteti Portual i Durrësit. Ky email na vinte në dijeni rreth një plani të ri menaxherial për Portin e Durrësit. Sipas këtij plani, pjesë të Terminalit Lindor ishin rezervuar për zhvillimin e projektit “Durres Marina & Yacht”. E gjitha kjo ndodh ndërkohë që kontrata koncensionare me EMS-Fehn-Group është ende në fuqi dhe kompania jonë është lënë krejtësisht në terr informativ në lidhje me të ardhmen e këtij koncensioni në Shqipëri. Sipas këndvështrimit tonë, kjo është një tjetër masë, në vazhdën e veprimeve që Shqipëria ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit për të dëmtuar aktivitetet tona tregtare dhe për të na nxjerrë ne jashtë Portit të Durrësit.”

“Ne nuk e prisnim që pjesë të qenësishme të terminalit tonë të zaptoheshin. Në të njëjtën kohë, ne nuk do të spekulojmë nëse ka ndonjë lidhje mes incidentit të së shtunës dhe kërkesës për arbitrazh kundër shtetit shqiptar, kërkesë e cila është depozituar nga EMS-Fehn-Group pranë ICSID (International Center for Settlement of Investment Disputes) gjatë muajit prill. Qëllimi i këtij arbitrazhi është kërkesa për dëmshpërblim financiar për humbjet e shkaktuara nga Shqipëria në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të investimeve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.”

Menaxheri tregtar i kompanisë gjermane EMS Albanian Port Operator Shpk Florian Çimo, thotë se incidenti i fundit shkel marrëveshjen dypalëshe të investimeve Gjermani-Shqipëri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco