EU Reporter: Shqetësim në rritje në Uashington për të drejtat e disidentëve iranianë në Shqipëri

EU Reporter: Shqetësim në rritje në Uashington për të drejtat e disidentëve iranianë në Shqipëri

11:50, 03/08/2023
A+ Aa A-

EU Reporter

Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan zhvilloi një seancë dëgjimore më 26 korrik për të diskutuar mbi disa emërime të Departamentit të Shtetit të mbetur pezull, përfshirë atë të Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Në komunikimin me të emëruarin James Obrien, Kryetari i Komitetit Robert Menendez ngriti çështjen e personave që kërkojnë azil në zonën e aktivitetit të tij dhe iu referua në veçanti komunitetit prej rreth 3000 azilantëve iranianë që prej disa vitesh jetojnë në Shqipëri.

“Më 20 qershor, qeveria shqiptare mësyu në kampin Ashraf 3”, tha Menendez, duke shtuar se ka  pasur “versione të ndryshme” të operacionit.

Sipas lajmeve, një rezident u vra gjatë operacionit policor dhe një numër të tjerësh pësuan dëmtime që kërkonin trajtim në spital. Shqipëria pranoi të strehonte mijëra anëtarë të lëvizjes kryesore opozitare iraniane, Organizata e Muhaxhedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), disa vjet më parë.

Menendez u shfaq skeptik për motivet e mësymjes kur ngriti çështjen në seancën e së mërkurës. Nga njëra anë, ai i shprehur mirënjohjen Shqipërisë që pranoi të ndihmonte në shpërnguljen e anëtarëve të MEK nga ish-baza ushtarake amerikane Camp Liberty në Irak, ku ata ishin bërë objekt sulmesh të përsëritura nga ana e regjimit iranian. Por nga ana tjetër ai theksoi se “nëse kërkon strehim, pa diskutim që duhet të jesh në pozita për ta ditur nëse ai strehim është i sigurt”.

Obrien ishte dakord për të dyja pikat, duke thënë “bashkohem me ju në vlerësimin e Shqipërisë, e cila ka qenë një vend shumë i rëndësishëm strehimi për një numër njerëzish që kanë kërkuar azil”. Ai vazhdon me premtimin se do ta shqyrtonte operacionin në Ashraf 3 dhe do të raportonte për konkluzionet e arritura në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë.

I pyetur nga Menendez nëse do t’u “përkushtohej mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të rezidentëve të Camp Ashraf”, Obrien u përgjigj “absolutisht”.

Edhe disa ligjvënës të tjerë amerikanë kanë shprehur shqetësim për sigurinë e rezidentëve të kampin, shpesh duke ua bashkuar këto çështje kërkesave për përkrahje ndërkombëtare për protestat pro-demokraci në Iran, të cilat kanë qenë veçanërisht të dukshme që nga shtatori i kaluar, kur një revoltë kombëtare mori shkas nga vdekja e një gruaje kurde 22-vjeçare, Mahsa Amini, nga duart e policisë.

Për këtë qëllim, Përfaqësuesit Lance Gooden (PR-Texas) dhe Steve Cohen (PD-Tennessee) paraqitën një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve më 27 korrik, duke dënuar qeverinë iraniane për goditjet kundër disidencës, veçanërisht masakrën e vitit 1988 mbi të burgosurit politikë, e cila synonte kryesisht anëtarët dhe mbështetësit e MEK. Rezoluta identifikoi protestat e fundit si “të rrënjosura në më shumë se katër dekada të rezistencës së organizuar” që regjimi iranian u përpoq pa sukses ta shuante duke vrarë deri në 30,000 disidentë dhe aktivistë gjatë verës së vitit 1988. Prandaj, ajo i kërkoi Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB të përfshinte hetimet për atë masakër si pjesë e hetimit të tij të vazhdueshëm për shtypjen e kryengritjes së shtatorit.

Rezoluta deklaronte se SHBA duhet të përfshihet në çdo hetim ndërkombëtar për vrasjet pa gjyq të disidentëve iranianë dhe të protestuesve më 1988. Rezoluta theksoi edhe se mbi 900 rezidentët e Ashraf 3 janë ish të burgosur politikë që mund të dëshmojnë për detajet e masakrës dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë iranianë, mes tyre edhe të presidentit aktual Ebrahim Raisi.

Dhe vërtet, disa nga rezidentët dhanë dëshmi të tilla më 2021 në kuadrin e procesit në Suedi kundër Hamid Noury, ish-zyrtar burgu në Iran, i akuzuar për krime lufte dhe vrasje masive.

Rezoluta e Dhomës së Ulët të Kongresit i shprehur mirënjohje Shqipërisë, por edhe shqetësimin për zgjatjen e përkushtimeve të saj.

Ajo i bëri thirrje “qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që në bashkëpunim me aleaten tonë Shqipërinë, të sigurojë mbrojtje të plotë të refugjatëve politikë iranianë në Ashraf 3 në Shqipëri dhe t’u sigurojë atyre të gjitha përfitimet nga të drejtat e përcaktuara nga Konventa e Gjenevës e vitit 1951 dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë të drejtën e jetës, lirisë e sigurisë, dhe mbrojtjen e pronës, si dhe lirinë e fjalës e të grumbullimit”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco