Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

SYRI TV/ Aeroporti i Vlorës në dorë të gjykatës, kërkohet anulimi i kontratës koncesionare

15:57, 01/08/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Shkallës së parë është urdhëruar nga Apeli Administrativ të marrë në shqyrtim padinë që kërkon anulimin e projektit të aeroportit të Vlorës. Në padi, dy shoqata mjedisore ngritën një sërë problematikash, duke nxjerrë në pah se nuk janë respektuar dispozitat ligjore për projektin koncesionar. Pavarësisht shkeljeve, kryeministri Rama duket i vendosur për të vijuar projektin, por çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata administrative, ku është kërkuar shpallja e pavlefshme e kontratës koncesionare.

SYRI TV

Gjykata e Apelit Administrativ ka urdhëruar kolegët e shkallës së parë të marrin në shqyrtim padinë e dy organizatave mjedisore, të cilët kërkojnë anulimin e projektit të aeroportit të Vlorës. Shoqata “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror” dhe Shoqata “Ornitologjike e Shqipërisë” kërkuan nga gjykata administrative e Tiranës të shpallë absolutisht të pavlefshme kontratën e nënshkruar në qershor 2021 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe bashkimit të operatorëve “Mabco Construksion”, “Mabeteks”, “Insaat Sanay” dhe “2A Group”.

Në padinë e tyre, dy shoqata ngritën një seri problematikash ligjore dhe teknike. Sipas paditësve, autoritetet shtetërore nuk kanë respektuar dispozitat ligjore për projektin koncesionar. Gjithashtu, ata kanë evidentuar se aeroporti i ri do të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme jetën bimore dhe shtazore të zonës Vjosë-Nartë, të mbrojtur nga legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare të mjedisit.

Gjykata administrative e Tiranës vendosi mospranimin e padisë së dy shoqatave, në dhjetor të vitit 2022. Organizatat mjedisore e ankimuan vendimin pranë Apelit Administrativ.

Trupa gjykuese e Apelit së dytë konstatoi shkelje të rënda proceduriale në vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi këtë të fundit që të marrë në shqyrtim padinë e shoqatave.

Apeli Administrativ e ka marrë vendimin në fund të qershorit 2023 dhe është zbardhur i plotë vetëm pak ditë më parë. Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ përkon në të njëjtën kohë me Rezolutën e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku ngrihej shqetësimi për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Në Rezolutën e miratuar fund të Majit 2023, Komisioni i Jashtëm, i bënte thirrje qeverisë shqiptare “të ndalojë projektet që rrezikojnë të shkelin normat kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së biodervistetit, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës …”.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Brukseli, kryeministri Edi Rama duket i vendosur për të vijuar projektin e aeroportit të Vlorës. Tashmë, çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata administrative, në të cilën është kërkuar shpallja absolutisht e pavlefshme e kontratës koncesionare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco