Dosja Ahmetaj/ Takimi me Mërtirin, edhe Baftjar Zeqo 'humb' kujtesën

Dosja Ahmetaj/ Takimi me Mërtirin, edhe Baftjar Zeqo 'humb' kujtesën

10:30, 13/07/2023
A+ Aa A-

Ish-kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo, ka reaguar për herë të parë në lidhje me përmendjen e emrit të tij në dosjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin e Arben Ahmetaj.

Deputeti Zeqo tha se nuk ka firmosur asnjëherë tendera për inceneratorët, pasi sipas tij impiantet e përpunimit të mbetjeve u krijuan pas vitit 2015, kur ai tashmë e kishte lënë detyrën e kryebashkiakut. Por ai mashtroi hapur sepse përgjimet flasin për një tjetër tender, i cili lidhet me instalimin e matësave elektronike të ujit nga kompania e Mirel Mërtirit. Edhe Zeqo, njësoj si Fadil Nasufi, ish-kryebashkiak i Beratit, i bëri bisht pyetjeve.

Zeqo u distancua nga Ahmetaj, duke e cilësuar vetëm si shok të partisë dhe jo mik të tijin personal.

“Nuk ka asnjë moment që flet që unë jam takuar me Ahmetajn, as kam pirë kafe… Nuk kam firmosur tendera për inceneratorët. Inceneratori është pas vitit 2015. Momenti i dytë është që po heton SPAK, kaq di unë për incneratorët. Nuk kam komunikuar me Ahmetajn, është shok partie nuk ka qenë shoku im”, tha Zeqo.

Ish-kryebashkiaku i Fierit shtoi se kanë kaluar 11 vite që kur Ahmetaj i ka dërguar një mesazh për të pritur Mirel Mërtirin. Ai shtoi se nuk mban mend nëse e ka takuar Mërtirin apo jo.

“Nuk më kujtohet takimi dhe tema për Mërtirin. Po të mbaja mend do thoja. Unë nuk e njoh si fytyrë. Ahmetaj më ka nis një sms që të pres Mërtirin. Takimi ka ndodh para 11 vitesh. Unë nuk e di a e kam pritur apo jo. Jam i shqetësuar që emri im shpërdorohet, jo se është përmendur në SPAK”, tha ai”, tha Zeqo.

Në një investigim të publikuar në shtator të vitit 2020, BIRN zbuloi se përpara se të niste biznesin e trajtimit të mbetjeve urbane, Mirel Mërtiri kishte lidhur kontrata për instalimin e matësave elektronikë të ujit me ndërmarrjet e Ujësjellësve në bashkitë e Fierit, Korçës, Beratit dhe Pogradecit.

Në vitet 2012-2014, projektet e matësve elektronikë të ujit u shtrinë në gjashtë qytete dhe u aplikuan nga kompanitë Integrated Technology Services, FMO dhe Miklo Construksion. Ato u kushtuan ndërmarrjeve të ujësjellësve më shumë se 18 milionë euro në total.

Mesazhet e sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme sugjerojnë se Ahmetaj, asokohe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, luante rol në suksesin e bizneseve të Mërtirit përmes kontakteve të tij me kryebashkiakët socialistë.

Në një mesazh të datës 13 shtator 2012, Ahmetaj i kërkon Baftjar Zeqos, asokohe kryetar i Bashkisë së Fierit një takim me të dhe me Mërtirin.

“I dashur, dua të ulemi këto ditë për kafe unë, ti dhe Klod Mërtiri,” citohet njëri prej mesazheve në dokumentet e Prokurorisë. Në 15 shtator, Ahmetaj e ka përsëritur kërkesën për takim me Zeqon dhe ka marrë një “OK” prej tij.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco