SYRI TV/ Tragjedia në Vilë-Bashtovë, Kumbaro sillet sikur të mos kishte ndodhur gjë

14:49, 10/07/2023
A+ Aa A-

Arrestohet nga Policia, pronari i një lokali në plazhin e Vilë Bashtovës, ku një ditë më parë u mbytën babai dhe dy djemtë e tij të mitur. Në pranga është vënë shtetasi Pëllumb Nika për mos plotësim të kushteve të sigurisë në plazh. Nga ana tjetër, ministrja Mirela Kumbaro sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ka publikuar në rrjete sociale shifrat e turistëve që kanë vizituar vendin gjatë muajit qershor.

Nga SYRI TV

Disa orë pas tragjedisë që ndodhi në plazhin e Vilë Bashtovës, është vënë në pranga pronari i një lokali. Sipas policisë, i arrestuar është Pëllumb Nika, 34-vjeç nga Tirana. Ky shtetas kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, hapësirën e plazhit në Vilë Bashtovë, ku ndodhi tragjedia e mbytjes së babait me dy fëmijët e mitur.

34-vjeçari është vënë në pranga për shkak se nuk ka përmbushur detyrimet ligjore të garantimit të sigurisë sipas kontratës së lidhur me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Të dielën në mesditë, në plazhin e Vilë Bashtovës humbi jetën Elvis Halilaj me dy djemtë e tij të mitur. Pushues që ndodheshin në këtë plazh në momentin e tragjedisë, treguan se nuk kishte roje dhe as kulla vrojtimi në këtë plazh. Madje, të dielën deti ishte me dallgë të mëdha, ndërsa nga ana e autoriteteve dhe lokalit që kishte marrë parcelën e plazhit me qira, nuk ishin vendosur flamuj të kuq, bova apo dhe sinjalizues të tjerë për të informuar pushuesit mbi rrezikun e larjes në det.

Por duket se me arrestimin e 34-vjeçarit, po shmanget përgjegjësia ligjore për institucionet e tjera që kanë autoritetin për të kontrolluar plazhet dhe zbatimin e masave të sigurisë nga ana e operatorëve ekonomik që shfrytëzojnë këto pasuri. Agjencia Kombëtare e Bregdetit por dhe ministrja përgjegjëse për sektorin e Turizmit Mirela Kumbaro, nuk kanë reaguar për tragjedinë e rëndë të Kavajës. Madje, mëngjesin e kësaj të hëne, ministrja Mirela Kumbaro në mënyrë cinike ka vijuar aktivitetin e saj normal në rrjetet sociale, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në vend të një ngushëllimi për shuarjen e një familje në plazh, Kumbaro zgjedhur të publikojë në rrjetet e saj sociale një video ku propagandon shifrat e turistëve në vend, një pjesë e të cilëve edhe të huaj, kanë ardhur në Shqipëri, por kanë humbur jetën për shkak të mungesës së sinjalistikës apo mungesës së zbatimit të rregullave të sigurisë nga bizneset private apo dhe ato publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco