SYRI TV/ Hera e parë që bëhet një kërkesë e tillë, SPAK: Seancat për Ahmetajn me dyer të mbyllura

14:09, 10/07/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Kuvendi që seancat e Këshillit të Mandateve për rastin e Arben Ahmetajt të zhvillohen me dyer të mbyllura. Kjo është hera e parë që Prokuroria bën një kërkesë të tillë pasi në historikun e parlamentit, të gjitha kërkesat e organit të akuzës për heqjen e mandatit të deputetëve janë zhvilluar me dyer te hapura.

Nga SYRI TV

Në kërkesën që SPAK i ka dërguar Kuvendit për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Arben Ahmetajt, bie në sy fakti se Prokuroria e Posaçme, për herë të parë ka kërkuar në mënyrë specifike që të gjitha seancat për këtë çështje të zhvillohen me dyer të mbyllura. SPAK e ka argumentuar këtë kërkesë me ruajtjen e sekretit hetimor, por dyshimet mbeten se një kërkesë e tillë lidhet me atë se çfarë Arben Ahmetaj mund të thotë gjatë këtyre seancave për aferën multimilionere të inceneratorëve. 

“Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet, në lidhje me këtë kërkesë, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura.”

Kjo është hera e parë që Prokuroria kërkon që seancat e diskutimit për heqjen e mandatit të një deputeti të zhvillohen me dyer të mbyllura. Nëse kthehemi në kohë, shohim se seancat e kërkuara për heqjen e mandatit të deputeteve, Tom Doshi, Mark Frroku apo Armando Prenga janë zhvilluar të hapura. Po kështu edhe seanca për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, pavarësisht refuzimit të parlamentit ndaj kërkesës së Prokurorisë, u zhvillua e hapur.

Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për mbajtjen e seancave me dyer të mbyllura, është në tagrin e parlamentit që të vendosë për një kërkesë të tillë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco