Lajmi i fundit

LIVE/ Protestë para bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit

SYRI TV/ Plehrat e Shijakut, bashkia bën tender 'fiktiv', rrit me 30 milionë lekë fondin limit

SYRI TV/ Plehrat e Shijakut, bashkia bën tender 'fiktiv', rrit me 30 milionë lekë fondin limit

11:07, 08/07/2023
A+ Aa A-

Bashkia e Shijakut pritet të shpallë tenderin për depozitimin e mbetjeve urbane, pas dështimit të dy procedurave të zhvilluara vitin e kaluar duke shtuar me 30 milionë lekë më shumë fondin limit. Tenderat për depozitimin e mbetjeve të Shijakut janë thuajse fiktivë. Fakti që dy tenderat e mëparshëm janë anuluar, dëshmon se koncesionari monopol nuk ka qenë i kënaqur me shumën e vënë në dispozicion nga Bashkia e Shijakut

SYRI TV

Bashkia e Shijakut ka parashikuar të shpallë për herë të tretë tenderin për depozitimin e mbetjeve urbane, pas dështimit të dy procedurave të ngjashme të zhvilluara vitin e kaluar.

Në këtë procedurë të re, institucioni i drejtuar nga Elton Arbana ka vendosur fond limit në vlerë 280 milionë lekë të vjetra, ose rreth 30 milionë lekë më shumë se sa tenderat e mëparshëm të anuluar.

Në qershor dhe shtator të vitit 2022, Bashkia e Shijakut shpalli dy tendera të njëpasnjëshëm për depozitimin e mbetjeve urbane, me fond limit 240 dhe 250 milionë lekë të reja.

Në të dy rastet, tenderat u anuluan me argumentin se “nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në procedurat me një faze”.

Tenderat për depozitimin e mbetjeve të Shijakut janë thuajse fiktivë. Vend-depozitimi i vetëm i mbetjeve urbane në Shqipërinë e Mesme është ai i Sharrës, i cili menaxhohet nga kompania koncesionare “Integrated Energy BV”.

Pra, pavarësisht se tenderat e Bashkisë së Shijakut zhvillohen me procedurë të hapur, ku presupozohet se ka garë, e gjithë historia është në duart e koncesionarit të krijuar nga biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto.

Fakti që dy tenderat e mëparshëm janë anuluar, dëshmon se koncesionari monopol nuk ka qenë i kënaqur me shumën e vënë në dispozicion nga Bashkia e Shijakut.

Për këtë arsye, institucioni i drejtuar nga Elton Arbana ka vendosur që të shtojë fondin limit me të paktën 30 mijë euro, në përpjekje për të bindur koncesionarin e Sharrës që të pranojë mbeturinat e qytezës.

Bashkitë e tjera të Shqipërisë së Mesme, përfshirë Tiranën, Vorën, Durrësin e Kavajën, nuk kanë zhvilluar tendera për depozitimin e mbetjeve urbane.

Këto bashki u detyruan nga qeveria që të nënshkruajnë marrëveshje me koncesionarin e Sharrës, duke paguar 29 euro për ton mbeturina që dorëzojnë në landfill.

Bashkitë kryejnë pagesën e plotë të çmimit, për depozitim, ndarje dhe incenerim të mbetjeve urbane, megjithëse kompania koncesionare vijon të mos ketë ndërtuar impiantin e djegieve të plehrave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco