Abuzimi 138 miliardë lekë nga 'Rama'/ BIRN: Dëmi u shkaktua në një vit

Abuzimi 138 miliardë lekë nga 'Rama'/ BIRN: Dëmi u shkaktua në një vit

10:03, 06/07/2023
A+ Aa A-

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm ekonomik prej 138 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike apo shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2022, ku dëmi më i lartë prej 107 miliardë lekësh lidhej me sektorin e Tatime-Doganave.

BIRN

Shifra totale e ndarë sipas shkeljeve u prezantua të mërkurën nga kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku trajtoheshin gjetjet dhe problematikat e identifikuara nga KLSH gjatë auditimeve të kryera në institucionet publike.

Raporti i KLSH-së u bazua mbi 177 auditime në 205 subjekte dhe klasifikoi shkeljet sipas dëm ekonomik, parregullsi/paligjshmëri me efekte negative financiare në financat publike.

Nga auditimi i KLSH-së u konstatua; 1.5 miliardë lekë dëm ekonomik  për parregullsi dhe shkelje financiare; 88.5 miliadë lekë për paligjshmëri ligjore me ndikim në performancë; 10.5 miliardë lekë dëm për mangësi në zbatimin e legjislacionit tatimor për qeverisjen lokale; 12.7 miliardë për shkeljet e disiplinës buxhetore në realizimin e investimeve; 18.3 miliardë lekë dëm në keqadministrim dhe mangësi në monitorim të qerasë 1 euro të tokave bujqësore dhe 107.5 miliardë lekë dëm për mangësi në aktivitetin kontrollues me ndikim në të ardhurat tatimore e doganore.

Në total janë gjetur 5 420 shkelje dhe janë dhënë mbi 5 mijë masa për përmirësimin e punës dhe efikasitetin e këtyre institucioneve.

KLSH ka gjetur gjithashtu shkelje në zbatimin e kontratave koncesionare/PPP, që sipas raportit, “rezulton se janë kryer pagesa për vitet e kaluara në vlerën prej 15 292,593 mijë lekë ose 2.5 % e shpenzimeve gjithsej për to, të cilat përbëjnë risk të shtuar për krijimin e detyrimeve të prapambetura”.

Duke përmbledhur shkeljet e gjetura, Shehu u tha deputetëve se: “kemi evidentuar raste të përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik, shkelje të disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura, parregullsi dhe shkelje në administrimin e të ardhurave tatimore si dhe në keqadministrimin e pronës publike dhe mjedisit”.

Në këtë kuadër ai sugjeroi se është e nevojshme të rishikohet kuadri ligjor si dhe orientimi i ndërhyrjes së qeverisë në, atë që ai e quajti, “raportin kosto-përfitim për çdo projekt me financim të buxhetit të shtetit”.

Ai bëri të ditur se në bazë të këtyre gjetjeve, KLSH ka referuar në organet kompetente 4 kallëzime penale pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore për 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme.

Në të paktën 7 raste, shtoi Shehu, vendimet e tij për trajtim tekniko-juridik për vlerësim të elementëve penalë janë referuar pranë organit të prokurorisë dhe më pas i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Deputetët vunë në dukje shifrën e lartë të dëmit në krahasim me vitet e tjera, por zyrtarët e KLSH-së e lidhën këtë shifër dhe me institucionet e monitoruara, duke iu referuar monitorimit të drejtorisë tatimore dhe të doganave të Tiranës apo Durrësit, që mbajnë peshën më të lartë në raport me gjithë sektorin.

Relatorja e komisionit, Enslemvera Zake vlerësoi se KLSH kishte përmbushur përgjegjësitë ligjore, duke u bazuar në monitorimin e Kuvendit, dhe se kishte zbatuar rekomandimet e lëna një vit më parë.

Ajo vuri në dukje se ka rënë numri i kallëzimeve penale, por Shehu tha se është në komunikim të vazhdueshëm me prokurorinë dhe punohet në mënyrë paralele për konstatimet e shkeljeve të ligjit penal.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco