Shifrat e KLGJ/ 15 vjet për një vendim gjykate civile! Një vendim final penal shkon mesatarisht 8 vjet

Shifrat e KLGJ/ 15 vjet për një vendim gjykate civile! Një vendim final penal shkon mesatarisht 8 vjet

11:39, 15/05/2024
A+ Aa A-

Nëse në qytetar do të ngrejë një padi civile në gjykatë sot, do t’i duhet të presë mesatarisht 14-15 vjet për të marrë një vendim në të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.

Kjo, më së paku referuar shifrave optimiste të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pasi në raste të ndryshme, kjo periudhë kohore mund të shkojë edhe më gjatë.

Në raportin vjetor të KLGJ-së për vitin 2023, të dorëzuar në parlament, thuhet se një çështje civile në gjykatën e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm shqyrtohet mesatarisht për 272 ditë ose thuajse 1 vit.

Në vijim, qytetarët duhet të presin për një vendim në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, mesatarisht 2790 ditë ose gati 8 vjet.

Dhe, nëse ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë, këtu duhet pritur të paktën 7-8 vjet, nisur nga fakti se ky institucion po shqyrton dosjet e dorëzuara pranë tij në vitet 2015-2016.

Gjithsesi, edhe këto shifra vlerësohen me rezervë, sidomos për mesataren e dhënies së vendimeve të shkallës së parë. Shumë raportime mediatike, përfshirë edhe në “Syri Televizion” tregojnë se çështjet e thjeshta civile, përfshirë divorcet, kërkojnë më shumë se dy vjet për të arritur në një vendim.

Ndërkohë, për të marrë një vendim penal në të tre shkallët e gjyqësorit, duhen më së paku 7 vjet, ku sërish kohëzgjatjen më të madhe e kanë shqyrtimet në nivel Apeli, me 885 ditë dhe në Gjykatën e Lartë, ku aktualisht po trajtohen dosjet e rekursuara në periudhën 2019-2020.

Megjithëse raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor përshkohet nga nota optimiste, sërish situata në sistemin e drejtësisë vijon të jetë shumë e vështirë.

KLGJ pranon se trupa gjyqësore në detyrë është afërsisht 60 përqind e asaj që duhet të ishte normalisht, për shkak të procesit të rivlerësimit. Stafet e këshilltarëve ligjorë dhe ata administrativ janë gjithashtu të reduktuara, gjë që ndikojnë në një performancë të dobët të sistemit gjyqësor.

Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjykata e Apelit të Përgjithshëm, “nuk ka arritur të përballojnë fluksin e çështjeve të reja të regjistruara, duke thelluar gjendjen e stokut të trashëguar”. Aktualisht, në Gjykatën e Apelit është një stok prej 31.700 dosjesh që presin shqyrtimin. Ndërkohë, stoku në Gjykatën e Lartë është 26.058 çështje.

Referuar shifrave të publikuara nga KLGJ, prej fillimit të procesit të vetingut, janë shkarkuar 89 gjyqtarë me vendim përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe 73 të tjerë janë pezulluar, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco