Beleri në burg/ Dule në parlament: Urdhri u dha nga Ludoviku i Parë!

Beleri në burg/ Dule në parlament: Urdhri u dha nga Ludoviku i Parë!

10:08, 23/06/2023
A+ Aa A-

Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës nuk do të dalë shpejt nga burgu. Gjykatat rrëzuan kërkesat e tij për një masë më të lehtë sigurie, pavarësisht se në Himarë e shpallën fitues të zgjedhjeve të 14 Majit.

Së fundmi ishte Gjykata e Posaçme e Apelit që hodhi poshtë kërkesën e kryebashkiakut të Himarës për një masë më të lehtë sigurie. Beleri kundërshtoi vendimin që shpalli të ligjshëm arrestimin e tij në 12 maj, kur iu vunë prangat për blerje votash. Të mërkurën gjykata rrëzoi kërkesën për një masë më të lehtë sigurie për arsye shëndetësore.

Vendimet e gjykatave për ta lënë në burg Belerin erdhën pas një opereacioni që nisi nga policia e Vlorës përmes një personi të infiltruar, që iu ofrua Belerit për t’i shitur disa vota. Ka dyshime të forta nëse ka prova që e implikojnë direkt Belerin në blerjen e votave apo arrestimi i tij ishte me urdhër politik. Prangat iu vunë me vendim të prokurorëve të Vlorës, të cilët nuk e kishin në kompetencë çështjen penale të krimeve zgjedhore.

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, nga foltorja e parlamentit denoncoi burgosjen e kandidatit fitues të Himarës, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama si Ludoviku i Parë.

“Ne jemi në një fazë shumë të arrirë të pushteteve ku kemi shtet, qeveri, dhe një Ludovik që thotë; Shteti jam unë. Në një kohë kur Luigji i XIV ishte idhull, ky i joni është turp i kombit. Një qytetar, Fredi Belerit i dhunohet në mënyrë arbitrare në çdo këndvështrim, liria. Një kryetari të zgjedhur me mandat të ratifikuar të një nga 61 bashkive të vendit, i privohet e drejta kushtetuese. Një komuniteti, atij të Himarës, i nëpërkëmbet e drejta klasike e sovranit. Përse? Thjesht dhe vetëm se nuk i pëlqen Ludovikut të parë të Shqipërisë. Autor i pengmarrjes së zotit Beleri është Rama. Para zgjedhjeve të majit, ishte ai që dha sinjalin në takimin me himariotë, të supozuar. Ky motiv i cili ishte denigrues, intimidues, nga çdo këndvështrim, abuziv, motivi ishte Fredi Beleri. Stigmatizimi, demoniuzimi i tij me qëllimin final rrëmbimin e Bashkisë së Himarës. 30 minuta para rrëmbimit të Belerit, Rama dha urdhrin që të rrëmbehet dhe të mbahet peng”, tha Vangjel Dule.

Një ditë më parë, një reagim i fortë erdhi nga Greqia për lirimin e Fredi Belerit. Ministri i Jashtëm i vendit fqinj Nikos Dendias tha se: “Refuzimi që iu bë z. Beleri për të marrë detyrën si kryebashkiaku i ri i Himarës pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe nxit reflektim të thellë mbi qëllimet e vërteta që qëndrojnë pas ndjekjes penale. Ministria e Jashtme e Greqisë po i ndjek nga afër zhvillimet dhe pret respektimin e prezumimit të pafajësisë – element themelor i shtetit ligjor – nga shteti fqinj”.

Akuzave se ka burgosur për arsye politike Fredi Belerin, kryeministri Rama nuk i është përgjigjur deri tani. Ai ka thënë se do të presë përfundimin e zgjedhjeve në Greqi për t’i dhënë përgjigje fqinjëve, në mënyrë që të evitojë deklaratat për efekt të fushatës.

Kronologjia, si ia ngritën kurthin Fredi Belerit

Në datën 6 maj, Edi Rama shkoi në Himarë ku me një gjuhë raciste dhe tallëse sulmon rivalin e kandidatit të PS-së. Një burim tha për Lapsi.al se eksperët e PS-së kalkulonin se autobuzët me emigrantë që do vinin për Belerin nga Greqia e përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve, duke i dhënë fitoren opzotës.

Pikërisht dy ditë pas mitingut të kryeministrit në Himarë, në policinë e këtij qyteti paraqitet një njeri, i quajtur Arsen Rama. Ai bën rolin e qytetarit të revoltuar dhe denoncon tentativat për blerje votash nga kandidati i opozitës. Rama është një peshkatar i thjeshtë, që mban mbi supe një tragjedi të rëndë familjare në det, të cilën nuk e ka kaluar pa pasoja. Zanati i tij e ka bërë që ta njohë Fred Belerin duke i shitur peshk për restorantin e tij.

Pra, njëri version është se ndërgjegjja e lartë e një varkëtari të këputur e bëri atë të denonconte në policinë e Himarës shkeljen e ligjit nga kandidatit të opozitës. Versioni tjetër është se duke zbatuar urdhërin politik, policia i futi një të infiltruar Belerit, për të shkatëruar fushatën e tij.

Në datën 8 maj, Arsen Rama nënshkruan dokumentat se pranon të luajë rolin e të infiltruarit. Nga ky moment duke qenë se bëhej fjalë për një krim zgjedhor çështja duhet ti kalonte SPAK-ut. Por policët e dërgojnë tek prokurorët e Vlorës, Aurel Zarka dhe Matilda Peza. Qëllon që ata janë po aq injorantë për ligjin sa edhe policët dhe autorizojnë ndjekjen, përgjimin e deri tek arrestimin e Belerit.

Dhe kështu, në 9 maj, Arsen Rama paraqitet te bamirësi që i blente peshkun, këtë herë me një gjah më të madh në duar. Ai i flet për një listë me 13 persona që mund t’i konvertonte kandidatit se do votonin pro opozitës. Beleri heziton. Edhe në pohimet e peshkatarit, që Lapsi.al i ka lexuar nga dosja gjenden shprehjet “nuk më hapte telefonin”, “nuk më priste”.

Pas disa refuzimesh kandidati për kryebashkiak i thotë të takojë një mikun e tij tashmë të arrestuar, Pandeli Kokoveshin.

Kurthi fillon të funksionojë.

I infiltruari Arsen Rama dhe Kokoveshi takohen disa herë mes datave 9 dhe 11 maj. Bisedat dhe fotot e tyre u treguan edhe në procesin e masës së arrestit në Gjykatën e Vlorës, përpara gjykatëses Dorina Stroka. Aty ka aludime për para dhe blerje vote. Por asgjë më tepër sesa kaq. Aty u treguan dhe foto të Arsen Ramës me Pandeli Koroveshin, pranë ëC-së së një lokali, por në asnjë mënyrë nuk u paraqit provë filmike e dhënies apo marrjes së parave.

I vetmi pretendim se ka marrë para vjen nga i infiltruari që pretendon se disponon 40 mijë lekë për listën me 13 veta. Edhe këta të 13-të janë pyetur nga prokuroria dhe nuk kanë rezultuar të dinin gjë për këto pazare. Pra “është një aksion, i bërë me shpejtësi, i ndërtuar keq, jo një punë prej profesionistësh por prej njerëzish që kanë vepruar me urdhër politik”, tha për Lapsi.al avokati Demo.

Pra në përfundim, Fred Beleri u prangos tre ditë para garës, pa pasur asnjë provë se ai kishte paguar personalisht para në këmbim të votës. Madje deri më tani, nuk është paraqitur asnjë imazh filmik apo fotografik se as bashkëpuntori i tij, Koroveshi t’i ketë dorëzuar 40 mijë lekët./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco