‘Vuçiç kërcënim për rajonin’/ Berisha: I bëj thirrje KFOR-it të ndërhyjë për lirimin e policëve të rrëmbyer

‘Vuçiç kërcënim për rajonin’/ Berisha: I bëj thirrje KFOR-it të ndërhyjë për lirimin e policëve të rrëmbyer

14:07, 15/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi sot në Parlament projektin e ndarjes së Kosovës që ka për arkitekt jo vetëm Presidentin serb, Vuçiç, por tashmë edhe kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Berisha deklaroi se Rama është kthyer në argat të Beogradit dhe Vuçiçit menjëherë pas vizitës së tij në Serbi.

Berisha u shpreh se skenarët e ndarjes së Kosovës të Vuçiçit u morën nga Rama dhe të dy bashkë janë sot njerëzit që po punojnë për krijimin e Serbisë së Madhe.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se vënia në shërbim të plotë e Ramës ndaj Vuçiçit me planin serb të Asosacionit lidhet jo vetëm shërbimin ndaj Beogradit, por edhe me dëshirën e tij për të lehtësuar pozitën e vështirë që ka nga hetimi i dosjes McGonical në Shtetet e Bashkuara.

Berisha paralajmëroi zhvillime të reja nga hetimi i kësaj dosje, e cila tashmë është bashkuar me hetimin rus që po kryhet në SHBA.

Berisha e konsideroi Vuçiçin si faktorin kryesor që kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ai dënoi përpjekjet e Ramës për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës në favor të Serbisë.

Lideri i opozitës i bëri thirrje Komunitetit Ndërkombëtar që të ndërhyjë menjëherë në lirimin e policëve të rrëmbyer dhe kthimin e tyre në Kosovë. Rrëmbimin e policëve të Kosovës nga forcat serbe, Berisha e quajti një akt terrorist dhe banditesk në shkelje të hapur të rezolutën së OKB-së dhe Pavarësisë së Kosovës.

FJALA E PLOTË

Zonja deputete, zotërinj deputetë, zonja drejtuese e seancës, të dashur qytetarë dhe qytetare.

Drejtuesja e seancës, Kryetarja e Kuvendit, pak minuta më parë u shpreh se Kosova nuk duhet të bëhet çështje e problemeve tona të brendshme. Mendimi dhe qendrimi im dhe i PD ka qenë dhe është se, Kosova është një vend i pavarur me qeveri legjitime, dhe se në dialogun Kosovë-Serbi, Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të implikohet, të përzihet në asnjë moment.

Kjo së pari se, në qoftë se përzihet Shqipëria për definicion qendron në anën e Kosovës, askush nuk mund ta besojë Shqipërinë si një broker të paanshëm, por në rastin e Edi Ramës ai qendron në anën e Vuçiçit dhe nuk ka shqiptar që beson në qëllime të tjera, përveçse për të ndihmuar me çdo kusht, me çdo mënyrë padronin e tij, argati i të cilit është.

Deri në vitin 2013, Shqipëria, ndonëse u zhvilluan negociatat më intensive në Bruksel bëri zero ndërhyrje në ato negociata dhe në një moment kritik të tyre kur konkretisht m’u kërkua që të ndërhyj, refuzova në mënyrë të prerë me bindjen se ai nuk ishte interesi i suksesit të negociatave.

Gjithçka ndryshoi pas vizitës së Edi Ramës në Beograd. Ky zotëri për arsye të cilat i di ai vetë, pas asaj vizite u bë një zëdhënësi neveritshëm, avokat i turpshëm i të gjitha projekteve të Serbisë së Madhe me të cilat, e vërteta është u zhbënë ato suksese që u arritën, përfshi këtu suksesin e marrëveshjes së përgjithshme, e cila jo de juro, por de facto ishte marrëveshje që normalizonte në zbatimin e saj marrëdhëniet dhe de facto realizonte njohjen e të dy vendeve, them jo de juro.

Dolën skenarët që Vuçiçi nuk i shiste dot më parë, e ndryshimit të kufijve dhe të ndarjes së Kosovës. Edi Rama e mori me pasion të madh këtë skenar, dhe unë iu them shqiptarëve se prapa hartave të ndryshimit të kufijve kishte vetëm një qëllim, zhvlerësimi total i pavarësisë së Kosovës, dhe për rrjedhojë ndarja e saj midis Shqipërisë dhe Serbisë. Vetëkuptohet një ndarje midis padronit dhe vasalit, argatit.

Fatmirësisht, ky projekt u hodh poshtë më së pari falë Kancelares Merkel, por më pas edhe Komuniteti Ndërkombëtar e realizoi se ky projekt ishte një projekt shumë problematik. Nuk humbën asnjë minutë kohë, dhe nxori Nano Visadi mini Shengenin në të cili hartën që vendosën në platformën e samitit, Kosova ishte zhdukur, ishte përfshirë e tëra në hartën e Serbisë.

Edi Rama vet postoi, meqënëse jemi për ndërhyrjet, në facebookun e tij hartën e asgjësimit të Kosovës. Gjithçka ishte me qëllimin e vetëm që të ndahej Kosova. Ky projekt përfundoi në një aleancë trilaterale të turpshme destabilizuese për Ballkanin, aleancë Beograd-Tiranë-Shkup, viktimat më të mëdha të së cilës ishin fermerët shqiptarë.

Ata me hapjen për prodhimet e Shumadisë, Banatës dhe zonave të tjera falimentuan në radhë njëri pas tjetrit. Pasi dështoi me Ballkanin e Hapur, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama me të cilin kërkonin të instalonin hegjemoninë serbe në rajon, dhe dua të them këtu se nga çereku i parë i shekullit të kaluar dei sot, deri para luftës në Kosovë dhe deri para luftrave të tjera, Ballkani u bazua mbi hegjemonizmin serb, kombe që sundoheshin nga kombi serb.

Kjo ide, kjo pikëpamje që lau në gjak, që i krijoi Ballkanit dramat më të mëdha është përsëri e gjallë, përsëri mbahet, promovohet dhe reklamohet nga Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama dhe Dodik. Në këtë kontekst, paraqitja që ai i bëri projektit të Asosacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës. Në një akt kombëtar, antishqiptar, duke konsideruar Kosovën, jo si një vend të pavarur, por një vend vasal, anuloi takimin me qeverinë e Kosovës, sepse ajo nuk pranoi të diskutojë për draftin e tij të marrë në sirtaret e Vuçiç. Ai bëri një provokacion të rëndë dhe përkeqësoi më tej gjendjen e dialogut të vështirë midis Prishtinës dhe Beogradit.

Edi Rama e bëri këtë, jo vetëm si shërbim ndaj Beogradit, po e bëri këtë sepse korriku po vjen, ai është nën hetim të hapur në aferën McGonigal.

Ai flet sot për komunitetin euroatlantik, por është i vetmi në atë komunitet që ka kompromentuar, i ka korruptuar njëri nga personat më të rëndësishëm në fushën e sigurisë, udhëheqësit të komunitetit euroatlantik të SHBA-ve, dhe tani është i gatshëm të kryejë çdo akt, të bëjë çdo gjë vetëm që të lehtësojë pozitën e tij të pashpresë.

Shqiptarët duhet ta dinë se një muaj më parë dosja shqiptare e McGonigal e cila kishte në brendi vetëm ryshfetin dhe kontraktimin e tij në një kohë kur ishte në detyrë për të shkatërruar opozitën shqiptare, tani është shkrirë me dosjen ruse. Është shkrirë me dosjen ruse se, ky peshk i madh nuk binte kollaj në duart e Edi Ramës, por dikush e solli atë, dhe ata që e sollën atë, ata janë në dosjen Deripaska. Koha do t’i provojë.

Ndaj edhe Edi Rama tani ka humbur, nuk vjen dot këtu dhe kur del në media del sterr i zi, del i shfazuar, nuk d çfarë flet, kështu që në rast flasim për Kosovën, në radhë të parë duhet të flasim për mosndërhyrjen në punët e brendshme të saj për interesa personale, apo interesa të Vuçiçit.

Së fundmi, rrëmbimi i ushtarëve të policëve të Kosovës përbën një akt terrorist, banditesk, një shkelje flagrante të rezolutës së OKB të pavarësisë së Kosovës, të marrëveshjeve që ka me NATON-n Serbia.

I bëj thirrje KFOR-it, i bëj thirrje Komunitetit Ndërkombëtar të ndërhyjë për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer, rikthimin e menjëhershëm të tyre në vendin e tyre, dhe dënimin e atij i cili sillet si një fqinj zuzar që nuk njeh ligj të brendshëm dhe as ligj ndërkombëtar, Aleksandër Vuçiç, që përbën dhe sot faktorin më kryesor, që kërcënon paqen, stabilitetin e rajonit të Ballkanit, bën Putinin e Vogël.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco